Edi Rama dhe Amendamenti i 13-të shqiptar!
Nga Ilir METAJ
Dje qëlloi të shihja filmin Lincoln. U impresionova me madhështinë e Abraham Lincoln, përmes interpretimit të shkëlqyer të Daniel Day-Lewis.
Abraham Lincoln është njeriu që ndryshoi historinë,jo vetëm të SHBA-ve, por edhe të gjithë njerëzimit.
E bëri të mundur me miratimin e historikut Amendamenti 13. Ky ishte Amendamenti që bëri të jashtëligjshme skllavërinë në gjithë territorin e SHBA. Ishte një vendim i jashtëzakonshëm historik i ndërmarrë në një moment tepër të vështirë, kur SHBA-të ishin të rraskapitura nga Lufta Civile.
Koha kërkonte aktin e Njeriut të Madh! Koha kërkonte Abraham Lincoln!
Por, jo vetëm kaq. Njeriu i madh Lincoln e mori përsipër miratimin e Amendamentit 13 në një parlament që përbëhej në shumicë nga republikanët (qe ishin pro) dhe në pakicë nga demokratët (që ishin kundër). Ishte një vendim i vështirë, sepse për miratimin e Amendamentit duheshin 2/3 e parlamentit dhe, për ketë, nuk mjaftonin votat e republikanëve. Duheshin edhe 20 vota demokratësh. Por ishte një akt historik qe duhet të kryhej me sukses. Linkoln kishte përpara alternativën: ose miratohej Amendamenti 13 me 2/3 e votave, ose SHBA do vazhdonin të lëngonin në agoninë e Luftës Civile dhe mbase skllavëria do vazhdonte të ishte ekzistente edhe në ditët tona. Sigurisht që,nëse ky Amendament rrëzohej, nuk do të kishim SHBA të ditëve të sotme. Edhe bota nuk do të ishte kjo e sotmja. Do të ishte më e shëmtuar dhe e pasigurtë!
Lincoln,një figurë mjaft e dashur dhe e respektuar për personalitetin e tij, nuk mund të ishte aq naiv sa të shpresonte që demokratët do të bindeshin nga argumentat dhe, ndaj, ti jepnin 20 votat e nevojshme për miratimin e Amendamentit 13 dhe nxjerrjen jashtë ligjit të skllavërisë. Jo, ky do të ishte një iluzion edhe pse bëhej fjalë për një vend si SHBA.
Por Lincoln gjithashtu e kuptoi plotësisht dimensionin historik të momentit dhe e ndjeu mbi vete të gjithë peshën e misionit të tij. Ishte koha që amerikanët duhet të vendosnin nëse do të vazhdonin të pengonin vetveten me zinxhirët e skllavërisë e të errësirës, apo do të linin hijet e së shkuarës për të mos u ndalur më në rrugëtimin drejt diellit të lirisë, barazisë e prosperitetit.
Por, Lincoln duhej të ndihmonte popullin e vet për vendimmarrjen e drejt. Dhe ai duhej ta kryente këtë mision me çdo kusht !
Pak a shumë, në të njëjtin moment historik ndodhemi ne në vitin 2013!
A do të vazhdojmë të lëngojmë në vorbullën e korrupsionit,mungesës se shtetit, ligjit të xhunglës e rraskapitjes ekonomike, apo do të lëmë hijet pas e do të nisim më në fund rrugëtimin e qartë drejt diellit të barazisë, shtetit të se drejtës e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik?
Sigurisht, zgjedhja nuk është e vështire! I vështirë është realizimi! Si?
Lincoln-it i duheshin të gjitha votat e republikanëve dhe të paktën të 20 demokratëve të Parlamentit Amerikan për të bërë të mundur zgjidhjen. Edhe ne ndoshta nuk na mjaftojnë vetëm votat e socialistëve për të bërë të mundur zgjidhjen. A duhet të kërkojmë votat e kujtdo tjetër qe do të na bënte të realizonim qëllimin historik, atë të ndarjes njëherë e mirë nga mbretërimi i errësirës – kolera e Sali Berishës? Përgjigja pragmatiste do të ishte po!
Natyrisht, unë po bëj një paralelizëm të figurave dhe qëllimeve të kohëve të ndryshme, të dimensioneve të ndryshme. Por historia duhet të na mësojë diçka. Dhe ajo na mëson vetëm prej akteve që kanë hyrë në histori, qe do të thotë akteve të mëdha dhe njerëzve të mëdhenj. E, në këtë kontekst, asnjë krahasim që na ndihmon në gjykimin tonë nuk është i pavend.
Pse e bëra paralelizmin pikërisht me Amendamentin 13 të Lincoln? Edhe për një arsye tjetër: mënyrën sesi Lincoln arriti ta kalojë Amendamentin në Parlament.
Lincoln bindi 20 deputetë demokratë! Disave u ofroi para cash,të tjerëve vende pune në administratën e tij. Po, po! Abraham Lincoln hoqi skllavërinë dhe ndryshoi historinë e SHBA-ve dhe të gjithë botës me votat e disa njerëzve jo fort të moralshëm. Madje pikërisht të atyre njerëzve që ndihmuan të mbanin në këmbë skllavërinë për aq sa zgjati.
Por ky ishte një vendim historik! Dhe historia ka progresuar përmes kompromiseve, disa herë edhe joparimore. Amerikanët janë ata që janë sot në botë, falë miratimit të Amendamentit 13 edhe me ndihmën e votave të pamoralshme të disa demokratëve. I madhi Abraham Lincoln e beri të mundur, sepse ishte Burrë Shteti!
A është më mirë që opozita e udhëhequr nga Edi Rama të rrezikojë të humbasë zgjedhjet dhe bashkë me to edhe momentin historik të ndarjes nga agonia, apo me votat e pamoralshme të LSI-së të sigurojë realizimin e Amendamentit 13 shqiptar? Kushdo mund tí japë kësaj dileme përgjigjen që dëshiron.
Por zgjedhja e Abraham Lincoln na mëson se ka momente kur qëllimi justifikon mjetin.
Vetëm se qëllimi duhet të jetë vërtet madhor! I tillë është edhe qëllimi ynë : lënia pas e hijes dhe ecja drejt diellit! Çdo gjë në funksion të realizimit të tij!
Unë jam pro Amendamentit të 13-të shqiptar në 23 qershorin e 2013!