E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicionet parazgjedhore dhe loja politike e Metës

Nga Fatos Halili

Fatos-haliliNuk është çudi tashmë që bashkimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim me koalicionin e majtë është lajmi i ditës. Kjo për faktin se pas 4 vitesh qeverisje dhe dy koalicionesh të panatyrshme mes LSI dhe PD, Meta vendos të rikthehet në gjenezë aty ku ka habitatin natyral ideologjik të saj. Shumë diskutohet me çfarë morali rikthehet Meta në koalicion me Ramën, dhe me çfarë morali e prêt ky i fundit këtë bashkëpunim. Në këtë rrëmujë politike dhe mediatike gjithçka që harrojmë është arsyeja madhore përse bëhet kjo gjë.

Në optikën time personale mendoj se kjo lëvizje është thjesht një taktikë politike e z. Meta, një mënyrë e thjeshtë për t`u rikthyer tashmë në vendin e saj si forcë e majtë që është. Në anën tjetër duket tashmë se përpjekjet për një pol të tretë dështuan pasi bisedimet nuk dhanë rezultatet që LSI priste, andaj nisur nga kodi zgjedhor që ne kemi, LSI duhej të merrte një vendim. Të futej e vetme në zgjedhje nuk ishte një opsion i pritshëm dhe i realizueshëm pasi kodi elektoral i ndryshuar nga dy forcat e mëdha është projektuar në atë mënyrë që të mbysë subjektet e vogla politike nëse konkurrojnë si të vetme në zgjedhje. Këtë gjë z. Meta e di mjaft mirë, andaj as që e mendon të konkurrojë i vetëm. Nëse do të futej në koalicion duhej të zgjidhte mes të majtës dhe të djathtës. Një gjë është koalicioni pas zgjedhor që Meta bëri me Berishën në 2009-n, duke folur atëherë për një koalicion të integrimit si një nevojë për vendin. Absolutisht ai vendim për koalicion ishte shumë i panatyrshëm por pas 4 viteve të dyja palët kanë ruajtur respektin dhe marrëveshjen e tyre.

Tani LSI nuk mundet të bëjë të njëjtën gjë dhe aq më pak të futet në koalicion parazgjedhor me PD-në pasi numrat e saj do të uleshin ndjeshëm. Kjo logjikë risjell në vëmendje të vetmen zgjidhje, atë që z. Meta tashmë e bëri, bashkimin me PS-në në koalicion parazgjedhor si një mënyrë më e mirë jo vetëm për të synuar sërish pushtetin por për ta zgjeruar forcën e saj në qeveri. Kjo do të thotë se LSI s`do të ketë më vetëm 3 ministra dhe disa zëvendës ministra, por do të jetë aktore edhe më e fortë dhe më e përfaqësuar në ekzekutiv.
Pakënaqësitë e aleatëve të Ramës
Bashkimi i PS-së dhe LSI-së, sigurisht ka ngjallur disa komente aspak të mira rreth këtij vendimi. Ndër më të ashprit duket se janë treguar Skënder Gjinushi i PSD, por edhe deputeti i PS-së Pandeli Majko. Për mua këto reagime janë të natyrshme deri në një pikë. Besoj se Rama në një mënyrë u ka paraprirë këtyre reagimeve kur tha se është një vendim i tij, dhe kërkon mbështetjen e të gjithëve dhe se kostot do ti mbajë ai. Gjithsesi besoj se aleatët e tij do të thyhen në një mënyrë dhe do ta pranojnë këtë vendim për bashkimin me LSI-në, pasi është ngjarja më e natyrshme që mund të ndodhte dhe sigurisht i shërben mëse miri gjithçkaje që opozita në këto katër vite ka bërë, largimin e Berishës nga pushteti. Pra së bashku ata kanë një shans, por me LSI-në e ndarë ata nuk e kanë shansin kaq të madh sepse tashmë kjo forcë politike duan apo sduan të tjerët është faktor i padiskutueshëm politik. Andaj mendoj se Gjinushi dhe të tjerë do të binden shumë shpejt se ky është një hap në të mirë të opozitës dhe të synimit të saj. Sigurisht që aleatët ndihen deri diku të cënuar në ndarjen e tortës qeveritare, pasi futja e LSI-së do të thotë më pak pjesë për parti si ajo e Gjinushit, Milos, Ngjelës etj. Kjo gjë sjell xhelozi dhe pakënaqësi por besoj se me pak menaxhim të mirë të situatës ajo do të tejkalohet shumë shpejt madje më shpejt se fërkimet që ka tashmë kreu i PS-së me anëtarë të partisë dhe ish-deputetë që janë të pakënaqur nga vendimi për të mos i rikandiduar ata sërish.

Pra në fund të fundit nëse në 2009 të gjithë mbetëm me gojë hapur dhe të çoroditur nga koalicioni mes LSI dhe PD, tani skemi pse çuditemi nëse një subjekt politik i majtë u rikthye në habitatin e saj natyral në gjirin e majtë, siç nuk kemi pse të çuditemi nëse dikur Ngjela apo Preç Zogaj do të vendosnin të ktheheshin në koalicionin e djathtë aty ku kanë dhe bindjet e tyre ideologjike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›