E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Nju-Jorkut: Ja harta e krimit shqiptar

SHBA - Departamenti i Policisë së Nju Jorkut ka hartuar një raport sekret në lidhje me “Qartësimin e vendndodhjes së shqiptarëve”. Në këtë raport janë mbajtur nën vëzhgim dhe janë mbledhur informacione për një kohë të gjatë mbi bizneset e shqiptarëve dhe mbi vendet ku ata mblidhen. Këto ambiente janë fotografuar dhe janë përfshirë në këtë raport sekret. Raporti në fjalë është i ndarë në 7 seksione.
I pari është një vështrim i përgjithshëm mbi komunitetin shqiptar. I dyti flet për xhamitë shqiptare ndërsa pesë seksionet e tjera janë zonat e Nju Jorkut ku jetojnë shqiptarët. Ajo që bie në sy është fakti se në këtë raport të NYPD-së, janë përfshirë dhe 7 xhami të cilat janë cilësuar si vende ku mblidhen më së shumti shtetasit shqiptar që jetojnë në Nju Jork. Madje për njërën prej tyre, Staten Island thuhet se Imami i saj mund të ketë lidhje me xhaminë e Al Farooq e ndodhur në Bruklin dhe se shqiptarët kanë deklaruar se kanë paguar rreth 5 milionë dollarë për ndërtimin e saj në vitin 1990.
RAPORTI
“Njësia Demografike ka shqyrtuar raportet e regjistrimit si dhe sisteme të ndryshme kompjuterike për të identifikuar përqendrimet gjeografike të shqiptarëve. Pas identifikimit të këtyre zonave puna në terren u krye për të përcaktuar vendet e mëdha ku qëndrojnë shqiptarët brenda Nju Jorkut”, – thuhet në hyrje të këtij raporti. Më tej, vijohet dhe me një përshkrim për organizatat kriminale shqiptare që veprojnë në këtë qytet, ku NYPD veçon “Familjen Rudaj” si një prej 6 familjeve mafioze që vepron në Nju Jork. “Krimi i organizuar shqiptar është term i përgjithshëm që përdoret për organizata të ndryshme kriminale të bazuara në Shqipëri ose të përbërë nga shqiptarët etnik. Kriminelët shqiptarë janë shumë aktivë në Shtetet e Bashkuara (veçanërisht në Nju Jork) dhe pjesëmarrës në një gamë të larmishme kriminale nga trafikimi njerëzor dhe prostitucioni tek narkotikët dhe kontrabanda. Një nga këto organizata kriminale është “Organizata Rudaj” e cila është konsideruar nga zyrtarë të FBI-së si një prej gjashtë anëtarëve të familjeve mafioze që operojnë në Nju Jork”, – shkruajnë hartuesit e këtij raporti. Gjithashtu, përmendet dhe një grup i quajtur “Albanian Boys Incorporated”, i cili është i përbërë nga adoleshentë nga veriu i Shqipërisë dhe Kosova.
BIZNESET
Ekspertët e Policisë së Nju Jorkut kanë identifikuar dhe mbajtur nën vëzhgim 48 biznese të cilat administrohen prej shqiptarëve. Zona me më shumë biznese të administruara nga shqiptarët është ajo e Bronksit, ku 23 dyqane janë në pronësi të tyre. Më pas vjen zona e Kuinsit me 13 dyqane të shqiptarëve, State Island me 6 biznese, Bruklin me 5 dhe Manhatan me 1 biznes të regjistruar në emër të një shqiptari.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›