E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cështja "Gërdeci", Prokuroria: Do apelojmë vendimin

TIRANË- Çështja “Gërdeci”, pas shqyrtimit të saj në Gjykatën e Tiranës, pritet të kalojë në Gjykatën e Apelit. Një ditë pas shpalljes se vendimit të Gjykates se Tiranes për të akuzuarit e çështjes, prokuroria deklaroi se do të apelojë vendimin.
“Do ta apelojmë vendimin”, u shprehën burime nga Prokuroria e Tiranës, pas shpalljes së vendimit të Gjykatës së Tiranës lidhur me të akuzuarit e çështjes “Gërdeci”.
Sipas tyre, vendimi i Gjykatës do të apelohet në tërësi, ndërsa termat e përveçëm do të përcaktohen mbi bazën e një analize të hollësishme që do t’i bëhet vendimit të dhënë nga Gjykata.

Por, edhe nga të pandehurit e çështjes u pohua se do t'i drejtoheshin Gjykates se Apelit per rishikimin e vendimit. Ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari, një nga të akuzuarit e çështjes, është shprehur se, “prisja pafajësinë”, ndersa konfirmoi faktin se, "do të ndjekë të gjitha hapat gjyqësore derisa të fitojë të drejtën e tij".
Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe disa të pandehur të tjerë, të cilët paraprakisht deklaruan se do ta apelonin vendimin e Gjykates së Tiranës.
Thuajse, pas katër vitesh nga kjo tragjedi, Gjykata e Tiranës shpalli dje vendimin për 29 të akuzuarit e çështjes, në pjesën më të madhe, ish- funksionarë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë.

Kjo Gjykate, në vendimin e saj, dënoi me nga 18 vjet burg ish-kreun e MEICO-s,Ylli Pinari dhe ish-drejtorin e Fabrikës ne Gerdec, Dritan Minxolli dhe me 10 vjet burg ish-administratorin shqiptar të "Albademil" sh.p.k, Mihal Delijorgjin, përkundër kërkeses së prokurorisë për dënimin e tyre me burgim të përjetshëm. Gjykata rrëzoi akuzën për vrasje kundër të pandehurve, ndersa la në fuqi akuzat per shperdorim te detyres, shkateterrim të pronës etj.
Ndërkohë, me 10 vjet burg u dënua ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Sokol Ngjeçi, dhe me 6 vjet heqje lirie, bashkë me 4 vjet të tjera moslejim për ushtrim të detyrës, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha.

Të pandehurit e tjerë, u dënuan me masa më të lehta dënimi, ndërsa disa u shpallën të pafajshëm.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës, shkaktoi reagimin e familjarëve të viktmave të Gërdecit, te cilet deklaruan se dënimi ndaj të pandehurve ishte tepër i lehtë dhe i padrejtë.

Te pandehurit e procesit akuzohen si pergjegjes per ngjarjen e ndodhur në 15 mars te vitit 2008, në fshatin Gërdec, afro 18 kilometra larg Tiranës, kur si pasojë e një shperthimi te fuqishëm në ish- fabriken e demontimit të armëve dhe municioneve luftarake humbën jetën 26 persona, shumica punetorë, ndërsa qindra të tjerë u plagosën.
Nga shperthimi i fuqishem, i shkaktuar nga eksplodimi i sasive të mëdha të barutit, pati dëme të shumta materiale në zonën përreth sidomos ne banesat e banorëve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›