Drejt përfundimit regjistrimi i popullsisë dhe banesave
Elbasan, “Censusi Shqipëria 2011”
Procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave në qarkun e Elbasanit është drejt përfundimit, ndërsa mësohet se shumë komuna e kanë përfunduar këtë proces, prej dy ditësh. Një ditë para përfundimit të këtij procesi, i cili nisi në fillim të këtij muaji, kreu i “Census 2011”, Eugen Isai, ka falenderuar të gjithë anketuesit, të cilët u bënë pjesë e këtij procesi dhe trokitën derë më derë për të kryer regjistrimin e popullsisë dhe banesave”.
Ai tha se, “nga të dhënat paraprake të marra nga përfaqësuesit e zyrës së INSTAT, mësohet se rreth 99 për qind e këtij procesi ka përfunduar në 43 komunat dhe 7 bashkitë e qarkut, ndërsa po vazhdon puna për përfundimin e këtij procesi deri në orët e vona të datës 21 tetor”. Në gjithë qarkun e Elbasanit rreth 210 kontrollorë kanë monitoruar me detaje regjistrimin e popullsisë, nga ku do të përcaktohet dhe numri i saktë i popullsisë dhe banesave. Regjistrimi i popullsisë në vendin tonë është kryer rreth 20 vjet më parë, por sipas statistikave jo zyrtare nga INSTAT mësohet se Elbasani në rang qarku përbëhet nga rreth 435 mijë banorë, ndërsa ende nuk dihet një numër i saktë banesash.