E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjitha rrugët e çojnë Edi Ramën drejt humbjes

21-10-2011 / Gazeta 55

Dështimi me ndërkombëtarët, mosmarrëveshjet me aleatët dhe pasiguria që po shoqëron situatën parakongresuale në PS, po konfirmojnë opinionin e analistëve se fati politik i Edi Ramës është i shkruar dhe se të gjitha rrugët e çojnë atë drejt humbjes. Pa shanse për të shantazhuar procesin e integrimit dhe pa asnjë mundësi për krijimin e një koalicioni fitues për zgjedhjet e ardhshme, humbja e kohës veç sa përkeqëson performancën politike të pinjollit të nomenklaturës komuniste


Humbja e bashkisë së Tiranës nga Edi Rama, përpos serisë së humbjeve të njëpasnjëshme të tij në çdo ballafaqim zgjedhor që prej kohës që drejton PS-në, është lexuar prej tij si një ogur i keq. Humbja edhe personale e bashkisë prej tij në 8 maj 2011, është parë edhe si një ngritje sipari, se seria edhe e këtyre humbjeve do të vazhdojë. Ndërsa ballafaqimi zgjedhor i radhës është në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, Edi Rama ka filluar të mendojë si ta “menaxhojë” edhe këtë humbje të sigurt, e thënë ndryshe, si të amortizojë, sa dhe si të mundet..., më e pakta, llogaridhënien dhe më e shumta, linçimin e tij. Në funksion të “make-up”-it të tij post-humbjes së radhës, të zgjedhjeve të radhës së vitit 2013, Edi Rama po mendon dhe po punon.


* * *


Reformat, aq shumë të përfolura e të mbajtura peng nga Edi Rama, bashkë me të cilat edhe marrja e statusit kandidat të Shqipërisë për në BE, duket se është “kali i betejës”, pas të cilit kryesocialisti sheh gozhdën, ku mund të varë fatin e tij politik. Duke i lexuar ngushtësisht, realizimin e reformave, por edhe marrjen e mundshme të statusit të vendit kandidat, si suksese të qeverisë, Edi Rama ç’nuk po bën për t’ia hequr këtë “bonus”, jo aq qeverisë, se sa gjithë vendit e gjithë popullit. E ka bërë edhe më herët këtë, në tentativa për të minuar anëtarësimin në NATO, apo edhe heqjen e regjimit të vizave, por dështoi me turp. Dhe një mundësi tjetër e tillë minimi të mundshëm, sikurse marrja e mundshme e statusit të vendit kandidat, Edi Rama nuk do të ketë më..., ndaj edhe i ka vënë detyrë vetes që këtë herë “të luajë më fort”...


* * *


Edi Rama i konsumuar në krye të opozitës, “sado që ti jetë regjur lëkura” në humbjet e njëpasnjëshme, ka arritur në një pikë që nuk ka pse të vetësakrifikohet..., megjithëse është ai dhe vetëm ai përgjegjësi i vetëm i gjithë humbjeve. Ndaj, këtë herë, për ti paraprirë humbjes së radhës, ka zgjedhur, që bashkëfajtor të bëjë edhe aleatët e mbetur të gjysmë-opozitës. Ai pra, që në vitin 2008 e bëri reformën zgjedhore si deshi, për të eliminuar nga skena politike aleatët strategjikë të PS-së (për hir të së vërtetës duhet thënë se ia arriti), tani po “lëpin atë që pështyu”, duke tentuar ti gënjejë “me ndonjë kockë”, këta aleatë të mbetur, që tani nuk kanë fuqi as të lehin. Për këtë ka sajuar një thirrje të rërjavshme të një mender tryeze opozitare, ku tjetër gjë i lë porosi Skënder Gjinushit e Nard Ndokës në tryezën pararendëse dhe për të tjera gjëra diskuton në tryezën e radhës, ku merak ka “legjitimitetin e 10 kushteve”. Thjesht këto tryeza i duhen që ai të “mbajë në këmbë” tryezën e opozitës, të cilën në post-zgjedhjet e vitit 2013, ti dërgojë ‘faturën” e bashkëfajësisë së humbjes së radhës.


* * *


Lufta me mullinjtë e erës në Parlament, e frymëzuar dhe e nxitur prej Edi Ramës, është pjesë dhe në funksion të amortizimit të llogaridhënies dhe linçimit të tij. Duke ndërsyer gjithë këlyshët grupit parlamentar të PS-së, të cilët “lehin dhe nuk kafshojnë”, thjesht dhe vetëm për të bërë zhurmë, Edi Rama ndërsa demonstron se ju ka dhënë leje deputetëve të shkojnë në Parlament për të mos humbur mandatet dhe pagat, nga ana tjetër, duke mos i lejuar të votojnë asgjë, nuk e fsheh qëllimin se atij nuk i intereson asgjë veç amplifikimit që suflerët e tij, të tipit Saimir Tahiri, Taulant Balla, Tan Gaçi, Dash Peza, Vasilika Hysi, Olta Xhaçka..., etj..., etj..., të zhurmojnë “idetë” e editorilaleve të kryetarit të tyre. Ndërsa listat për kandidat për deputetë në zgjedhjet e vitit 2013 janë në duart e Edi Ramës, kandidatët e mundshëm, “potencialisht” deputetët aktual, duhet të japin prova që ta meritojnë një vend në këto lista, duke broçkullisur në sallën e Parlamentit, bashkë me ndërtimin edhe të alibisë, që post humbjes së radhës të zgjedhjeve të radhës, ata duhet të jenë të gatshëm të marrin përsipër përgjegjësinë e humbjes..., sikurse mori përsipër Bensik Baraj, humbjen e bashkisë së Tiranës nga Edi Rama në 8 maj 2011.


* * *


I ndërgjegjshëm për humbjen e zgjedhjeve në vitin 2013, Edi Rama, nuk ka pse të mos provojë, sikurse po tenton, të sigurojë në fitore në tavolinë. Hapin e parë, më saktë sinjalin e parë, e dha Blendi Klosi dy ditë më parë. Duke “bërë publik” propozimin e mundshëm të deputetëve të Durrësit, për “emërimin” e Edi Ramës si “kandidat” për kryeministër në vitin 2013, praktikisht Blendi Klosi i ka dhënë një fitore në tavolinë Edi Ramës në kongresin e PS-së, në 5 nëntor. Duke i vënë para faktit të kryer, të “emërimit” të Edi Ramës si kandidat për kryeministër, kongresmenët e 5 nëntorit do të harrojnë dhe nuk do t’ju “bjerë ndër mend”, të kërkojnë një dorëheqje apo votëbesim të Edi Ramës, si shkaktar i humbjes së radhës edhe të zgjedhjeve të shkuara. Pikërisht, këtë “strategji” të Blendi Klosit, për ti krijuar Edi Ramës kushte për të mos i ballafaquar në “përplasjet” brenda PS-së, ky, Edi Rama po tenton ta “zhvendosë” në mesvitin 2013, me dëshirën e lexueshme, për tu bërë kryeministër në tavolinë. Për këtë sigurisht ai do garanci dhe mendon se këto garanci i fiton duke marr peng reformën zgjedhore, a thua se po vazhdon të gënjejë ende, Petro Koçin, Skënder Gjinushin, apo Nard Ndokën...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›