E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muça: “Dinamo luan vetëm për fitore”



Dinamo ka shansin e madh për të kryesuar e vetme Superligën, nëse klubi blu do të marrë pikë të plota nga transferta e vështirë me Laçin. Besa u ndal në një barazim pa gola me Gramozin në Ersekë, duke bërë një gjysmëhapi fals në javën e 6-të, e duke i bërë indirekt një favor rivalëve të tyre më të fortë në këtë fillimedicioni. Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça pas rifiniturës së mëngjesit, ku përcaktoi edhe formacionin që do të hedhë kundër laçjanëve, tha për mediat se ai personalisht nuk e motivon kurrë ekipin e tij drejt një barazimi. “Unë në asnjë ndeshje nuk nisem me mendimin se duhet të kënaqem me barazimin. Dua trepikëshin nga kjo sfidë, edhe pse e konsideroj relativisht të vështirë. Nuk di të them për momentin se do të jem apo jo me Bakajn në fushë. Është mungesë e rëndësishme, aq më tepër që lojtari ishte në formë dhe kishte demonstruar në ndeshjet e fundit. Gjithsesi, Dinamo ka njëzet futbollistë dhe mund ta zëvendësojmë Bakajn”.”, - tha Muça, një trajner që ka dalë tre kampion me Tiranën në këtë rol. Dinamo në pesë ndeshjet e para nuk ka humbur asnjë takim, 4 fitore e një barazim. Laçi në shtëpi nuk e njeh humbjen, për më tepër që laçjanët nuk janë një ekip i lehtë për tu mundur përballë publikut të zjarrtë. Së fundi, Laçi fitoi me Apoloninë 3-2. Një fakt është interesant. Laçi ka sulmin e tretë më të mirë në kampionat: 7 gola, dy më pak se Dinamo e vendit të parë dhe 1 më shumë se Besa e vendit të dytë. Në katër përballjet e fundit midis dy ekipeve, e që i përkasin sezonit 2004-2005, Dinamo i ka fituar të katër ndeshjet, dy në Tiranë (6-1, 4-0) dhe dy në Laç (3-0, 1-0).

Gramozi ndal edhe Besën

Gramozi e Besa ndanë nga një pikë në ndeshjen hapëse të javës së 6-të Kategorisë Superiore në barazimin e tyre pa gola. Besa përkohësisht mori kryesimin e Superligës, tashmë në kuotën e 14 pikëve, por me një ndeshje më shumë se Dinamo, që nga ana e saj luan të shtunën në Laç. Ndeshja pati dy tablo, në të parën u pa një impenjim më i madh i formacionit të Agim Canajt. Dos Santos, Hyseni e Oliveira ishin pranë golit, ashtu si Xhafaj e Poçin për Besën. Në fraksioni e dytë të lojës grupi verdhezi i Shpëtim Duros tregoi potencën e një ekipi me përvojë të gjatë në Superligë. Lufta sportive ishte e fortë si në fushë, (sulmuesi i Besës, Cikalleshi, doli me barelë), por në shkallët e stadiumit midis tifozëve. Pika e marrë, mund të konsiderohet një gjysmësuksesi i Agim Canajt në debutimin e tij me skuadrën modeste kolonjare. Gramozi regjistroi barazimin e tretë në gjashtë javë - gjashtë pikë në gjashtë ndeshje. Besa vazhdoi pathyeshmërinë e saj. Skuadra kavajase realizoi barazimin e dytë pa gola në gjashtë javët e para. Të pranishëm në stadiumin “Gramozi” ishin dhe dy presidentët, Mustfa Taçi i Gramozit dhe Nexhat Bizhdili i Besës.

KATEGORIA SUPERIORE
Java 6-të, ora 15:30

02.10.2009
Gramozi-Besa 0-0

03.10.2009
Skënderbeu-Apolonia
Tirana-Kastrioti
Laci-Dinamo
Shkumbini-Teuta

04.10.2009
Flamurtari-Vllaznia

RENDITJA, JAVA 5
1. Besa* 6 14
2. Dinamo 5 13
3.Skenderbeu 5 9
4.Apolonia 5 9
5.Teuta 5 9
6.Tirana 5 7
7.Gramozi* 6 6
8.Laci 5 5
9.Kastrioti 5 4
10.Shkumbini 5 4
11.Vllaznia 5 4
12.Flamurtari 5 3
* Një ndeshje më shumë

3 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›