Pararendje e zënë në çark
Në Slloveni ndodh që sa më shumë të kërkohet e synohet gjetja e zgjidhjeve për problemet e vendit, aq më tepër shpërfaqen një mori problematikash të cilat u duhet vënë pika mbi “i”: Shembujt dëshmues: taksat dhe burokracia. Fushata për reformën në sektorin e pensioneve është në udhë e sipër prej qeverisë së kryesuar nga Barut Pahor, ndërkohë që krahu opozitar kundërshton me sa ka mundësi, qofte edhe dëshpërimisht për të fituar mbështetje në elektorat. Një mori personalitetesh të spikatura në vend, si dhe disa organizata të tjera po debatojnë fort me sindikatat dhe të gjitha ato organizma që synojnë të përfaqësojnë shtresat “më pak të begenisura”. Ndërkohë që pjesën më të madhe të kohës qeveria e shpenzon për të pasur një qasje sa më të arsyeshme e të argumentuar ndaj çështjes në shqyrtim, pjesa e kundërshtarëve të reformës po i përqasen gjithnjë e më shumë metodave populiste. Kjo është një taktikë që kërcënon të mbajë vendin peng në planet e kapërcimit të krizës dhe përgatitjes për t’u përballur me sfidat e së ardhmes. Sindikata më e madhe në vend, “ZSSS”-ja (“Zveza Svobodnih Sindikatov Slovenije” - Shoqata e Sindikatave të Pavarura të Sllovenisë) ka pjesën e luanit në shpalosjen e populizmit përmes argumenteve të kundër-dobishme në lidhje me reformën e pensioneve. Një nga sugjerimet e “ZSSS”-së është edhe gjetja e mënyrës se si të shtohen fondet publike pa ndryshuar moshën e daljes në pension, por, duke rritur nivelin e taksave. Kjo ide është sa origjinale aq edhe gjeniale. Në një vend tashmë të kritikuar ashpër për rritjen e taksave, sindikata më e bujshme në vend dëshiron t’i ngrejë ato edhe më tej. “ZSSS”-së dhe kryetarit të saj Dushan Semoli, duket se u del nga mendja fakti se një nga problemet madhore të Sllovenisë është tërheqja e profesionistëve e kalibrit të lartë dhe mbajtja në vend e të rinjve dhe të rejave të talentuar. E përse ndodh kështu? Ngaqë pjesa më e madhe të ardhurave të sllovenëve shkon për të paguar taksat. Por nuk mjafton me kaq. ZSSS-ja ka edhe ide të tjera të bujshme për të krijuar vende të reja pune. Por, fatkeqësisht sindikata më e madhe në vend nuk ka sugjerime konkrete se si qeveria duhet të veprojë për t’ia arritur këtij synimi. Një nga argumentet e shqetësimit të presidentit të sindikatës, z.Dushan Semoliç, është thirrja që ai lëshon në publik se po rritet përqindja e njerëzve që kanë humbur besimin te koalicion që qeveris vendin. Kjo do të thotë që problemi rrezikon të shndërrohet nga çështje pensionesh në çështje të votëbesimit të qeverisë. Për të qenë të sinqertë, “ZSSS”-ja nuk është e vetmja që duhet qortuar për këtë dukuri. Megjithatë, është një fakt shqetësues kur sindikatat kanë kaq shumë pushtet në një vend që kërkon me paderman të jetë edhe më garues, çka lyp nevojën e jetësimit të masave të forta për t’ia dalë mbanë. Sidoqoftë, duket se mësimi nuk është nxënë, kur Sllovenia është kritikuar më shumë për nivelin qesharak të administratës publike se sa për taksat e larta. Ka edhe ngjarje të tjera që rrezikojnë të na ndodhin. Nëse kalon amendamenti i ligjit të familjes, regjistrimi i detyrueshëm i bashkëjetesës do të jetësohet edhe në Slloveni. Synimi parësor i këtij amendamenti ishte të institucionalizonte martesën e homoseksualëve. Por, pas kundërshtive të forta që u hasën nga grupimet e familjeve konservatore dhe nga opozita e qendrës së djathtë, qeveria u shtrëngua të skicojë një projektligj “të hyrë në ujë”, i cili e përjashtonte martesën e homoseksualëve. Kështu, ne kemi përpara vetes jo vetëm një amendament që nuk përfshin njohjen e të drejtës së “çiftit homoseksual” që të martohen nëse e ndajnë mendjen, por njëherazi u krijon një mal me pengesa burokratike edhe çifteve heteroseksualë. Më tepër se t’i jepte zgjidhje një problemi, faturës së re po i shtohet edhe një problem tjetër. Në një kuptim më të gjerë, Sllovenisë i është bërë zakon krijimi i problemeve më shumë se sa zgjidhja e tyre. Kjo dukuri ngjan se po shumëfishon radhët e armatës së sabotatorëve të tillë si “ZSSS”-ja, që këndvështrimi i saj i ngushtë dhe përqendrimi në interesa po të ngushta, rrezikon më shumë ta mbajë vendin peng, se sa ta ngarendë përpara. Kjo është një gjendje vërtet mjaft shqetësuese.