Iku demokrati dhe evropiani i madh Otto von Habsburg
Pinjollit të familjes së fundit perandorake austro-hungareze, Otto von Habsburg, i kishte mbetur dëshira e parealizuar ta vizitonte edhe një herë Kosovën e pavarur, me të cilën e lidhnin shumë gjëra, mes të tjerash edhe miqësia e madhe me Ibrahim Rugovën
Më 4 korrik u mbyll në një rreth të plotë ekzistence tokësore harku i gjatë jetësor gati njëshekullor i politikanit, publicistit dhe shkrimtarit gjerman, pinjollit të familjes së fundit perandorake austro-hungareze, Otto von Habsburg. Të hënën herët në mëngjes në "Villa Austria" në Pöcking am Starnberger See në Bavari mbylli sytë përgjithmonë njeriu, jeta e të cilit kishte filluar me monarkinë e vjetër 98 vjet më parë dhe përfundoi në epokën e demokracisë moderne masive. Si djali i madh i arqidukës Karl, perandorit të mëvonshëm austriak dhe mbretit hungarez dhe arqidukeshës Zita, e lindur Bourbon-Parma, Otto von Habsburg erdhi në jetë më 20 nëntor të vitit 1912 në Reichenau an der Rax, në Austrinë e Poshtme, 100 km në juglindje të kryeqendrës perandorake Vjenë, pra vetëm pak ditë pasi që në Vlorë pas shekujsh robërie valëvitej i lirë flamuri i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Por lindja e një shteti, siç e shohim edhe në rastin e Kosovës, është diçka tjetër nga lindja e një njeriu, individi, qoftë ai edhe nga një familje perandorake, e drejta për jetë e të cilit u nënshtrohet ligjeve të tjera. Shqipëria, si shtet i vetëshpallur i lirë, por i panjohur ndërkombëtarisht, u desh të kalonte tmerrin e dy luftërave ballkanike dhe të një lufte botërore për të marrë përfundimisht të drejtën e ekzistencës shtetërore, ekzistencë kjo që ishte rezultat i kompromiseve të fuqive të mëdha të kohës, por tani pa Austro-Hungarinë e Otto von Habsburgut, e cila në fillim të shekullit të kaluar për shqiptarët ishte SHBA-ja e fundit e të njëjtit shekull.
Otto von Habsburg ishte ende fëmijë kur e përjetoi rënien e perandorisë dhe iu desh së bashku me familjen të jetonte në ishullin portugez Madeira, ku në vitin 1922 vdiq babai i tij, Karli I. Më pas ai do të rritet në Belgjikë dhe në Spanjë. Ai studio në Löwen të Belgjikës shkencat politike dhe u promovua doktor shkence. Otto von Habsburg e kundërshtoi të ashtuquajturin “Anschluss“, bashkëngjitjen e dhunshme të Austrisë Perandorisë gjermane. Në shkurt të vitit 1938, përmes një letre i ofroi kancelarit austriak Kurt Schuschnigg marrjen përsipër të postit të kancelarit në luftë kundër nazistëve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Otto von Habsburg shkoi në ekzil në SHBA.
Otto von Habsburg njihej jo vetëm si kundërshtar i vendosur i Hitlerit dhe i ideologjisë së tij nacionalsocialiste, por edhe si kundërshtar i komunizmit, ideologjisë tjetër politike totalitariste të shekullit XX. Në kohën kur nacionalsocializmi po bëhej forca kryesore dhe e vetme në hapësirën gjermane e deri në kohën kur lufta e ftohtë në fillim të viteve ´60 po e mbyste gjithë botën me peshën e kërcënimit të një lufte atomike, Otto von Habsburg do të angazhohej nën parashenjën monarkike të krishterë me Unionin Paneuropian për një bashkim evropian. Këtë angazhim nazistët e ndëshkuan me shpronësim të pronave të tij, por Otto von Habsburg nuk u ndal në rrugën e tij politike. Ai vë kontakt dhe takohet me njerëzit me të fuqishëm të globit, me Churchillin, Roosveltin, i cili atë e fton në Shtëpinë e Bardhë. Një gjysmëshekulli më vonë ai do të tregojë të njëjtin vitalitet e guxim sikundër edhe gjatë e para Luftës së Dytë Botërore. Me nismën e tij dhe nën patronazhin e tij u organizua më 19 gusht 1989 i ashtuquajturi “Pikniku paneuropian”, i cili më vonë u kthye në simbolin e rënies së perdes së hekurt.
Përveç shkrimtar, autor i disa dhjetëra librave, Otto von Habsburg ishte edhe një politikan i pasionuar që u shqua për vendosmëri e guxim, vizion dhe humanizëm, veprimtaria e të cilit me kohë mori dimensione evropiane. Ai për dy dhjetëvjeçarë e përfaqësoi Unionit Kristian-Social të Bavarisë në Parlamentin Evropian. Me këtë njeri të madh kam pasur rastin të takohesha personalisht për herë të parë më 2 mars të vitit 2009 në cilësinë e të ngarkuarit me punë ne Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin. Lartmadhëria e Tij, Kaiser Otto von Habsburg, më kishte ftuar dhe më priti në rezidencën e tij ne Pöcking afër Münchenit. Ishte pa dyshim një nder i madh dhe i veçantë për mua si diplomat i ri që të takohesha me përfaqësuesin e Habsburgëve historikë, me këtë personalitet që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e popullit tonë.
Lartmadhëria e Tij pasi më uroi mirëseardhje të përzemërt tha se “është kënaqësi e veçantë që kam arritur të pres sot përfaqësuesin e Republikës së Kosovës dhe kjo pas një ndërprerjeje të kontakteve me këtë vend që nga vdekja e Presidentit shumë të nderuar Ibrahim Rugova”. E falënderova për nderin dhe pritjen tepër miqësore që më bëri dhe i përcolla urimet e Presidentit dhe të Qeverisë se Kosovës, si dhe e falënderova Lartmadhërinë e Tij për kontributin që ai kishte dhënë dhe vazhdonte të jepte për vendin tonë si atëherë kur ishte deputet në Parlamentin Evropian, ashtu edhe me shoqërinë shumë aktive “Paneuropa” dhe tani në këtë moshë të shtyrë kur përpiqej të ndihmonte rritjen e numrit të njohjeve diplomatike për shtetin tonë. Atëbotë biseduam edhe për situatën nëpër të cilën kalonte Kosova dhe për procesin e njohjeve. Ishte kënaqësi të dëgjoje nga goja e Tij për gjërat që s’mund t’i gjeje në asnjë libër historie. Ai më rrëfeu edhe gjëra nga jeta e Tij personale, si bie fjala për vizitën e Tij në Berlin në vitin 1932. Me porosinë e nënës së Tij ai kishte vizituar Berlinin për t’iu paraqitur presidentit të Rajhut, Paul von Hindenburg. Feldmarshalli i vjetër dhe dinjitoz gjerman gjatë bisedës i kishte folur bashkëbiseduesit të tij të ri për rininë e tij, se si ai si oficer i ri prusian kishte qenë prezent kur ishte bërë kurorëzimi i Kaizerit në Versailles, më 18 janar 1871.
Në këtë ditë të marsit të vitit 2009 evropiani i madh ende i mprehtë në mendime hodhi një hark ure nga kohërat e kaluara- gati 140-vjeçare- në kohën tonë. Ndryshe, ku do të mund të dëgjoje tek flitej ende nga njerëzit që ndërmjetësueshëm kishin qenë dëshmitarë okularë të vitit 1871? Otto von Habsburg pastaj foli hollësisht për rëndësinë e këtyre ngjarjeve, diplomacinë dhe politikën evropiane që nga viti 1871. Ai foli me gëzim edhe për njohjen e të drejtës së vetëvendosjes së kosovarëve dhe në përgjithësi për realizimin e këtij parimi të rëndësishëm në të drejtën ndërkombëtare. Otto von Habsburg u shpreh shumë i gëzuar që kishte mundur të përjetonte edhe faktin që një përfaqësues i shtetit më të ri evropian, Kosovës, mund t’ia përcillte Atij përshëndetjet e Qeverisë së tij. E diskutuam edhe rëndësinë që ka njohja e Republikës se Kosovës nga të gjitha vendet e Bashkësisë Evropiane dhe nga Vatikani. Ai ishte më se i bindur, edhe pse ky proces për kosovarët duket që rrjedh ngadalë, vullneti i popullit dhe e drejta për të ndërtuar shtetin demokratik do të jenë elementet më të fuqishme, që Republika e Kosovës të njihet nga vendet e lartpërmendura. Lartmadhëria e Tij, Otto von Habsburg, më premtoi se do të vërë në veprim gjithë influencën dhe reputacionin e Tij në mënyrë që Republika e Kosovës të ndihmohet në këtë proces të rëndësishëm. Gjatë këtij takimi të paharrueshëm ne folëm edhe për probleme ekonomike dhe nevojën e investimeve në Kosovë, sepse vetëm përmes tyre ne do të guxonim të shpresonim për një zhvillim të përshpejtuar të vendit tonë dhe kështu ta shndërrojmë Kosovën në një vend të shpresës dhe të perspektivës për të rinjtë e saj. Ai në fund të takimit m’u drejtua me fjalët: “Dyert e Habsburgëve do të jenë të hapura për Ju dhe për njerëzit që Ju do të m’i sillni këtu, unë nuk do t‘i harroj takimet e shumta që kisha me mikun tim Rugova”. E falënderova nga zemra për këto fjalë dashamirësie dhe i bëra ftesë që, në qoftë se do ta lejonte shëndeti (ai atëherë ishte 96 vjeç dhe jo fort mirë me shëndet), që të na nderojë edhe një herë me një vizitë tashmë në Kosovën e pavarur. Krejt në fund Lartmadhëria e Tij më tha se “unë tashmë jam në moshë të thyer dhe në fakt nuk kam menduar se edhe një herë do të merrja përsipër një udhëtim të tillë, por tani po e ndiej si detyrim që ta vizitojmë Kosovën së bashku, dhe momenti më i mirë do të ishte atëherë kur të kemi marrë përgjigjen pozitive nga Vatikani.“Disa muaj më vonë Lartmadhëria e Tij, Von Habsburg, përjetoi një rrëzim të rëndë dhe më nuk ishte në dispozicionin tonë për të zhvilluar biseda të tilla si ajo e marsit të vitit 2009. Nga kjo vizitë kanë kaluar pothuajse dy vjet. Miku ynë i madh, Otto von Habsburg, kaloi në amshim pa pasur mundësinë të realizonte me gjithë peshën e viteve të Tij të jetës dëshirën e tij të fundit për të vizituar vendin që e deshi sinqerisht.
Autori është Ambasador i Republikës së Kosovës në RF Gjermane