Drejtësi në Vlorën ku do të bëhet biznes nafte
Ditën e martë, 2 prill, erdhëm në Vlorë një përfaqësi gazetarësh, veprimtarësh të të drejtave të njeriut, intelektualë të pavarur, ambientalistë, për t'u informuar lidhur me ndalimin e drejtuesve të Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, studentëve, qytetarëve, gjithsej 7 vetë, nga komisariati i policisë Vlorë. Ishin në grup drejtuesja e Qendrës shqiptare për të Drejtat e Njeriut, Kozara Kati, ekspertët e mjedisit Sazan Guri dhe Lavdosh Feruni, juristja Brizida Gjikondi. Na u bashkangjitën në Vlorë edhe përfaqësuesit e Avokatit të Popullit dhe të dërguar të Komitetit shqiptar të Helsinkit.
Disa nga personat dhe organizmat e përmendur kanë dhënë ndërkohë relatimet e tyre për ato çka dëgjuan, panë dhe konstatuan në Vlorë dje. Dëshmive të tyre po u bashkangjisim edhe këtë përshkrim tonin nga përshtypjet e drejtpërdrejta në Vlorë. Mund të duket e vështirë në rastin tim, bashkëthemelues dhe aktivist i Aleancës, ose eseist i faqeve të Shekullit, që të shkruaj një raport "të thatë" për një ngjarje. Por në përgjithësi duhet thënë se kush nuk di të tregojë drejtpërdrejt atë që pa dhe dëgjoi, pa asnjë ngarkesë emocionale ose anësi, më mirë të mos i hyjë fare punës së të shkruarit. Pra kam besim se nuk do të ketë ndonjë fjalë të tepërt lidhur me atë që konstatova dje, siç e konstatoj dhe sot, për çka po ndodh në Vlorë.
Ndalesa jonë e parë ishte në zyrën e prokurorit të rrethit. Aty prokurori na bëri me dije se personat e arrestuar dyshohen se kanë bllokuar në mënyrë të përsëritur një rrugë, ndaj në bazë në një neni të Kodit Penal, kjo vepër quhet vepër penale dhe ndëshkohet me dënime që shkojnë nga gjobat në tre vjet heqje lirie. Një prokuror që e ka çështjen në shqyrtim dhe nuk ka marrë ende vendim, nuk mund të thotë më shumë dhe unë këtu nuk shkel ndonjë konfidencialitet, kur relatoj pozicionin e tij, që la fare qartë të kuptohet se, nëse ka dëshmi filmike, fotografike ose verbale se Besnik Lulaj, Sadrit Danaj dhe të tjerët kanë bllokuar rrugën te Skela më 1 prill 2008, ata mund të dënohen edhe me tre vjet burg.
Pozicioni ynë ishte që nga dëshmitë e vetë të ndaluarve, familjarëve dhe të tjerë dëshmitarëve okularë, drejtuesit në fjalë të Aleancës nuk kishin hedhur gurë në rrugë, pra nuk kishin bërë asnjë veprim që t'i ngjante kapjes në flagrancë, madje ndodheshin në kafe, kur kishte ndodhur derdhja e disa gurëve në rrugë. Edhe sikur, ta zëmë, do t'i kishin hedhur ata gurët në rrugë, nuk kemi dëgjuar ende që në Shqipëri të arrestohen e të mbahen disa ditë izoluar njerëz që bllokojnë një rrugë dhe rrugë nacionale këtu janë bllokuar shumë deri më sot. I thamë gjithashtu se ata veprojnë në emër të një çështjeje jo të vogël, mbrojtjes së Gjirit të Vlorës nga ndotjet e pashmangshme të industrive e bizneseve të naftës, pra kishim një rast politik që nuk mund të trajtohej si një punë e dhunshme e disa njerëzve të dëshpëruar që nuk u japin, bie fjala, kompensime për tokën e tyre. Janë të shumtë aktivistët e mjedisit në vendet europiane që bllokojnë shina treni, rrugë etj., por nuk kemi dëgjuar të mbahen për kaq ditë në arrest e izolim.
I kujtuam së fundi se nga gjithë katastrofa e Gërdecit, ku humbën jetën me dhjetëra vetë, shëndetin qindra të tjerë, dhe pasurinë mijëra, ka pasur deri më tani vetëm tre të arrestuar, pra katër më pak se në Vlorë, ku disa veprimtarë për mbrojtjen e shëndetit, eknomisë dhe mjedisit të vlonjatëve kishin dashur t'u flisnin bashkëqytetarëve.
Ky ishte një diskutim që mund të zgjaste shumë orë dhe nuk mund të pritej asgjë konkrete nga debati mes një grupi që mbron të drejtat e njeriut e të mjedisit dhe një prokurori që, në dukje, ende nuk kishte marrë vendim dhe që prezumonte gjithçka, deri edhe qenien e aktivistëve të Aleancës kriminelë përsëritës të një vepre penale që dënohet deri me tre vjet burg.
Prej aty grupi ynë u drejtua për nga komisariati i policisë së qytetit. U bashkuan me ne rrugës me dhjetëra qytetarë vlonjatë në rrugën nga Sheshi i Flamurit në komisariat. Kur mbërritëm si nja 70 metra larg kësaj godine, u gjendëm para një gardhi policësh që nuk lejonte afrimin e mëtejshëm te vendi i ngjarjes. Këtu papritur, nga oborri i policisë u nisën me vrull për jashtë një herë një furgon, pastaj një fuori-stradë, pastaj përsëri një furgon, duke ndezur sirena të forta. Dukej shumë e rrezikshme, sepse po të mos hapej turma e mbledhur aty, mund të ndodhte edhe aksident i rëndë. Ndërkohë zëra policësh: hapuni, hapuni, kemi ngjarje! Nuk e kuptuam si mund të ndodhnin aq shumë ngjarje brenda një kohe aq të shkurtër, pikërisht kur mbërriti para policisë grupi ynë, por këtu nuk mund të bëjmë komente ose aluzione, pse kemi marrë përsipër relatimin e drejtpërdrejtë të ngjarjes.
Ndërkohë që koret e njerëzve të mbledhur thërrisnin, "lironi djemtë tanë", kërkuam të hynim si përfaqësi në komisariat për të biseduar me drejtuesit. Doli ndërkaq vetë shefi i komisariatit, z. Vehbi Bushati, që u dha disa përgjigje të shkurtra përfaqësuesve të mbledhur të shtypit e medias tjetër. Na priu në zyrën e tij. Lëvizjet, fjalët, intonacionin i kishte të rrepta, të egra, sikur të ishte i fyer nga prania dhe fjalët tona, përpara se ne të flisnim. I thamë përse kishim ardhur, secili nga ne bëri pyetjet e veta, që përqendroheshin në dy çështje kryesore: si mund të mbahen kaq gjatë për bllokim rruge, njerëz që bllokim rruge nuk kanë bërë konkretisht dhe a është e vërtetë që të ndaluarit në komisariatin e tyre ishin mbajtur në mënyrë çnjerëzore, izoluar në qeli të mbushura me urinë, ku edhe ajri u ka munguar (këtë dëshmi e kisha unë, nga një bisedë e drejtpërdrejtë telefonike natën e parë të arrestimit me të ndaluarit). I kujtuam se Eneid Hamzai ishte arrestuar në mesnatën e 1 prillit, pra s'mund të ishte kapur në aktin flagrant të bllokimit të rrugës. E pyetëm nëse ishte e vërtetë që ishte rrahur në mënyrë brutale dhe mbajtur në qeli i riu Vasil Sholla, vetëm pse kishte protestuar para komisariatit.
Përgjigjet e komisarit ishin shumë të ngjashme me ato të prokurorit të rrethit, me ndryshimin që ky mbrojtjen e ligjit, sidomos të atij nenit që jep deri tre vjet burg për bllokim rruge, e bënte me më shumë emocion, shumë i nxehur, dhe foli diçka më shumë për kushtet e burgimit. Tha se kishte për detyrë të mbronte qetësinë e qytetarëve dhe këta njerëz i ndalonin ata të bënin shëtitje. E pranoi, pa dashur ndoshta, se drejtuesit e Aleancës u kishin folur njerëzve me megafon (pra nuk ishin kapur në flagrancë duke hedhur gurë në rrugë, por kishin folur). Në fund tha se edhe ai e donte shumë natyrën dhe detin e pastër. E mohoi që të ishte ushtruar tortura, i riu Vasil Sholla ishte ndaluar para policisë se kishte fyer dhe kundërshtuar me forcë pesë policë (pra dilte se ai kishte ushtruar dhunë ndaj policisë), ndërsa kushtet ishin vërtet jo të mira në komisariatin e tij, por kjo vlente për të gjithë dhe për këtë kishte dijeni Ministria e Drejtësisë.
I kërkuam të vizitonim të ndaluarit në qelitë e tyre. Tha se kjo gjë ishte e pamundur, duhej leje e veçantë nga Ministria e Brendshme etj.. Megjithatë njëra nga koleget e kishte të drejtën për t'i takuar ata persona dhe konstatimet e saj, le të më lejohet t'i jap në thonjëza fjalë për fjalë, pa e shënuar emrin, meqë relacioni i saj njëherë për njëherë po përdoret për një rreth të kufizuar personash.
"...Kam vërejtur si më poshtë: Njëri nga të ndaluarit, Vasil Sholla, kishte një shenjë të dukshme në njërin nga sytë (syri i majtë). Ai tregoi se ishte goditur nga policia dhe se për shkak të goditjes atij i kishte rënë të fikët.
Të ndaluarit më treguan se mbasi ishin marrë me furgon, ishin vendosur në një dhomë ku i gjithë sheshi ishte i mbuluar me urinë.
Më vonë i kishin çuar në një ambient tjetër ku kishte banjo, një dhomë ku flinin të gjithë bashkë dhe dy dhoma të errëta bosh.Të ndaluarit flenë në shesh, me dysheqe dhe mbulesa shumë të holla, ishin të traumatizuar dhe kishin shumë ftohtë. Nuk kanë asnjë mundësi për higjienë personale, ujë të ngrohtë për të bërë dush nuk ka, në banjo ka vetëm një VC, një lavaman dhe një kazan me ujë. Në banjë ka nje erë të rëndë.
Treguan se disa ishin marrë forcërisht në furgonin e policisë duke qenë në një kafene aty pranë."
U larguam nga komisariati i policisë me dy tablo: atë të grupit tonë dhe atë të organeve të shtetit në Vlorë, që ishin në fund të ditës edhe më të ndryshme nga ç'kishin qenë në mëngjesin e saj. Nëse i lejohet shtetit shqiptar, në bazë të ligjeve të tij dhe konventave ndërkombëtare që ka nënshkruar, të arrestojë njerëz, t'i mbajë me ditë në qeli, në kushte si ato që përshkruam, t'i rrahë e t'i mundojë me mënyra të tjera, t'i dënojë deri në tre vjet– këtë le ta gjykojë vetë lexuesi.
Tani që relatova ndodhinë, po e lë mënjanë raportimin dhe po sjell në mbyllje gjykimin e njerëzve në Vlorë, për sa po ndodh.
- Organet e shtetit në Vlorë, në frymën e ngjarjeve të pas Gërdecit, kur shohin se këtu mund të bësh tregti ilegale municionesh për qindra mijëra dollarë dhe të shkaktosh vrasje masive të njerëzve pa pasoja të rënda politike-juridike, kanë vendosur ta mbysin krejt lëvizjen që përfaqëson Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Pasi nuk e quajnë ndonjë punë të vështirë. Këtë e bëjnë, sipas të gjitha shenjave, me udhëzimet përkatëse nga Tirana
- Kompania Petrolifera, pasi ka bërë të heshtë çdo kundërshtim të mundshëm nga Bashkia e qytetit dhe Qarku Vlorë, ka depërtuar deri në organet e lartpërmendura. Na treguan se deri dhe foto për dëshmi, dorëzohen prej njerëzve të tyre. Se ç'mjete përdorin, këtu komentet janë të tepërta.
- Morali më rëndë për t'u shqiptuar i kësaj kronike, për fat të keq me sa duket i vërtetë, është se shteti ka gjetur me një biznes nafte gjuhën e përbashkët, për të vendosur siç do vetë për të ardhmen e Gjirit të Vlorës.