E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabisin taksinë me armë, arrestohen dy të rinj

 

Llozhi e Kallaba kanë hipur në taksi tek Zogu i Zi por në Mamurras kanë nxjerrë automatikun dhe e kanë grabitur

Arrestohen grabitësit e taksisë, të cilëve u gjendet arma e krimit si edhe pesë mijë fishekë

LEZHË- Dy të rinj nga Mamurrasi kanë grabitur me kërcënimin e armës taksinë e një 22- vjeçari nga Kamza. Ngjarja ka nisur në zonën e Zogut të Zi në kryeqytet, kur dy lezhianët kanë hipur në makinë dhe ka përfunduar në Mamurras kur ata i kanë marrë makinën tip Benz 190. Taksisti Roland Lala, është gjendur me grykën e automatikut përpara fytyrës dhe është detyruar që të dorëzojë çelësat. Pas denoncimit të tij policia e Lezhës ka mundur që të identifkojë dy grabitësit, të cilët janë Klajdi Llozhi dhe Gezim Kallaba. Në orët e pasdites së djeshme policia e Lezhës dhe ajo e Dibrës kanë mundur që të arrestojnë dy të rinjtë, të cilët janë kapur në qytetin e Burrelit dhe në fshatin e Thumanës.

***

Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Lezhës pohoi dje se dy të rinjtë kishin planifikuar kohë më parë grabitjen e taksisë. Ata kanë zënë vend tek Zogu i Zi në kryeqytet dhe kanë pritur afrimin e taksive të ndryshme që lëviznin shpesh aty. Në momentin që kanë parë mjetin tip Benz 190, me ngjyrë blu, me targa "TR 6839 N", i kanë ngritur dorën. Drejtuesi i tij, taksisti Roland Lala u ka pohuar se po shkonte në Laç por mund t'i shpinte edhe ata në Mamurras kundrejt pagesës. Klajdi Llozhi dhe Gezim Kallaba kanë hipur në makinë dhe i kanë thënë taksistit se paratë do ia jepnin në Mamurras, kur t'i merrnin në shtëpi. "Kur makina ka ndaluar në Mamurras, njëri prej tyre ka shkuar në shtëpi me pretekstin se do t'i sillte taksistit paratë, por në kthim ka ardhur me një armë zjarri automatike ku e ka kanosur, kërcënuar dhe zbritur nga makina drejtuesin e automjetit. Këta dy persona i kanë marrë mjetin dhe janë larguar në drejtim të paditur",- thanë burimet zyrtare të policisë së Lezhës.

***

Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Shpërdhet të bashkisë Mamurras të Rrethit Kurbin, rreth 400 metra nga rruga nacionale. Taksisti ka dëshmuar në polici se ata i kishin thënë që të ndalonte pikërisht në këtë vend pasi kishin shtëpinë aty e do t'i sillnin paratë. Nga dëshmia e taksistit por edhe puna hetimore e policisë së Lezhës është bërë identifikimi i plotë i dy grabitësve të makinës. Hetuesit pohuan se ka qenë Klajdi Llozhi ai që ka zbritur nga makina me pretekstin se do sillte paratë kur në të vërtetë ka shkuar e ka marrë armën që kishte fshehur më parë. Policia e Lezhës ka nisur kërkimet për dy të rinjtë duke i kërkuar ndihmë edhe kolegëve të saj të Dibrës. Në orët e pasdites së djeshme është zbuluar vendndodhja e makinës, e cila ishte fshehur në një fshat të Matit. Policia lokale ka rrethuar zonën dhe ka kryer arrestimin e shpejtë të personit që kishte mjetin. Ai ishte 22-vjeçari Klajdi Llozhi. Por një kontroll më i imtësishëm i policisë ka zbuluar armën e krimit, automatikun kallashnikov si dhe një sasi prej pesë mijë fishekësh që ndodheshin në makinë. Burimet e policisë pohuan se vetëm pak minuta më pas është arrestuar në Thumanë të Krujësbashkëpunëtori i tij, Gëzim Kallaba.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›