Mjekët: Nuk vendosim dot diagnozat, pasi është krizë për analizat
Sipas mjekëve të QSUT-së kriza e analizave po vështirëson punën e tyre. Po punojmë si në kohën e Hipokratit
QSUTMjekët: Nuk vendosim dot diagnozat, pasi është krizë për analizat
Kriza e mungesës së realizimit të analizave në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" po shkakton problem jo vetëm për shëndetin e pacientëve, por po vështirëson së tepërmi edhe punën e mjekëve në vendosjen e diagnozave. Këtë e pohojnë vetë mjekët e QSUT-së, të cilët theksojnë se pasojat e mungesës së analizave po bien mbi pacientët dhe mjekët. "E kemi shumë të vështirë të vendosim diagnozat për sëmundjet e pacientëve. Tashmë ka filluar të ketë mungesë analizash edhe për pacientët e shtruar, dhe kjo është vërtet shqetësuese", pohojnë mjekët e QSUT-së. Ndërsa burime zyrtare të QUT-së pranojnë se ka mungesa të bërjes së analizave për ambulatorët, ndërsa për pacientët mund të ketë vetëm në ndonjë rast kur analizat janë specifike. "Duhet të pranojmë se nuk mund të mbulojmë ambulatorët me analiza, pasi ka mungesë kitesh. Ndërsa për pacientët e shtruar ato realizohen, por mungesa ka vetëm për ndonjë rast specifik", theksojnë burime zyrtare të QSUT-së. Ndërkohë, pacientët theksojnë se në spital nuk po realizojnë as edhe analizat më elementare dhe se janë të detyruar t'i drejtohen klinikave private për t'i realizuar ato.
Mjekët
Mangësi në realizimin e analizave e si pasojë e kësaj edhe vështirësi në vendosjen e diagnozave. Madje, vendosja e diagnozave po realizohet vetëm falë aftësive të mjekëve, pasi analizat dhe ekzaminimet në spital në shumicën e rasteve mungojnë. "Pacientët e shtruar nuk po realizojnë analizat. Jemi përballë faktit se po punojmë si në kohën e Hipokratit dhe diagnozat po i vendosim me hamendësime. Pacientët po marrin shërbim vetëm falë aftësive të mjekëve, pasi procesi i realizimit të analizave është në krizë dhe kjo po ndikon negativisht jo vetëm mbi shëndetin e pacientëve, por mbi të gjitha po vështirësohet së tepërmi edhe puna jonë", shpjegojnë mjekët e QSUT-së, të cilët theksojnë se duhet të merren masa sa më shpejt për t'i dhënë fund kësaj situate. Sipas tyre, problemi vështirësohet sidomos kur kanë të bëjnë me sëmundje tepër specifike që duhet në mënyrë të domosdoshme që të vendosen diagnozat me anë të analizave. Madje problemi, po sipas mjekëve, bëhet akoma më evident kur këto mangësi janë pikërisht për pacientët e shtruar në spital. "Spitali më i madh në vend është kthyer si në poliklinikë lagjeje, pasi këtu pacientët nuk munden të realizojnë as edhe analizën më elementare. Kjo është vërtet skandaloze, ndaj dhe duhen marrë masa sa më shpejt për të përmirësuar situatën", theksojnë mjekët.
Pacientët
Mangësitë e spitalit, janë pacientët që i vuajnë më shumë se kushdo mbi kurriz. E ndonëse kanë zënë shtratin në spital, ky i fundit nuk iu ofron atyre realizimin e analizave dhe rruga e vetme për ta mbetet t'u drejtohen klinikave private me çmime stratosferë. Por ajo çka e bën akoma më problematike situatën, është fakti se disa analiza specifike nuk ofrohen as në klinikat private. Këtë e pohojnë vetë pacientët, të cilët theksojnë se në spital nuk po marrin shërbim korrekt, dhe kjo sidomos në drejtimin e realizimit të analizave. "Jam shtruar në spital prej 2 javësh dhe detyrohemi t'i drejtohemi klinikave private për të realizuar analizat, pasi në laboratorin e spitalit nuk bëhen të gjitha", thotë njëri nga pacientët.
Thereska: I kemi kërkuar laboratorit shtimin e numrit të analizave
Sëmundjet që trajtohen në pavijonin e Nefrologjisë janë shumë të rënda,ndaj dhe i kemi bërë kërkesë Laboratorit të analizave të shtojë numrin e analizave për pacientët e shtruar. Kështu u shpreh shefi i shërbimit të Nefrologjisë në QSUT, Nestor Theresak, i cili pohon se para dy javësh kishte shumë ankesa në lidhje me mungesën e analizave. "Kemi të sëmurë serioz dhe mungesa e realizimit të analizave padyshim që ndikon negativisht mbi pacientët. Kjo ka qenë arsyeja që i kemi bërë të ditur laboratorit, që këto mangësi të mos ekzistojnë", pohon Thereska, duke shtuar se kërkesa e tyre është realizuar, pasi numri i analizave për pacientët e Nefrologjisë është rritur. Ndërkohë ai pohon se këto mangësi duhet të marrin fund edhe për shërbimet e tjera, pasi kjo vështirëson seriozisht punën e mjekëve.
Pas publikimit të ankesës së Liljana Driçit në gazetë, Drejtoria e QSUT-së dhe Ministria e Brendshme premtojnë zgjidhje
QSUT: Erisa Driçi do marrë epikrizën për trajtim në Turqi
Pacientja Erisa Driçi do të pajiset me epikrizën e mjekëve të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" dhe do të përfitojë trajtim mjekësor në Turqi. Ky ka qenë reagimi i Drejtorisë së QSUT-së menjëherë pas shkrimit të publikuar dje në gazeta "Shekulli" për ankesën e nënës së pacientes Erisa Driçi, sipas së cilës, mjekët e këtij spitali nuk e pajisnin me epikrizë edhe pse ajo jetonte 9 vjet me njërën veshkë dhe gjendja e saj shëndetësore po rëndohet çdo ditë e më shumë, pasi infeksioni po i kalonte edhe në organet e tjera. Madje, për vajzën e policit të vrarë në detyrë është angazhuar edhe Ministria e Brendshme pasi kanë ndihmuar atë në përgatitjen e dokumenteve për t'i ofruar trajtim të specializuar në Turqi. Këtë e pohon vetë Luljeta Driçi, e cila theksoi se vajza e saj vazhdon të jetë në gjendja të rëndë dhe se shpejt pret që ajo të niset në Turqi për një trajtim më të specializuar. "Erisa është vajza e policit të vrarë në detyrë, Rexhep Driçit, para 9 vjetësh, ndaj dhe strukturat përkatëse duhet të vazhdojnë të më ndihmojnë që vajza të marrë ndihmë mjekësore të specializuar për të jetuar, se është e vetmi njeri që më ka mbetur në këtë botë", pohon Liljana Driçi, duke shtuar se fati i ka dënuar të vuajnë edhe në varfëri ekstreme. Tashmë Liljanës nuk i ka mbetur gjë tjetër vetëm të shpresojë që pas pajisjes me epikrizën e së bijës të niset menjëherë për në Turqi, me shpresën se do të bëhet më mirë.
Pollo: Së shpejti një strategji për kërkimin shkencor
Me iniciativën e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo, u organizua sot në Hotel Tirana, nga Zyra Rajonale e UNESCO-s për Shkencën dhe Kulturën në Evropë (një takim me ekspertë të kërkimit shkencor dhe teknologjisë. Këtë e pohojnë burime zyrtare të MASH-it, sipas të cilëve qëllimi i takimit ishte debati mbi prioritetet e Shqipërisë në shkencë, teknologji dhe kërkim, me synimin për të hartuar një strategji afatmesme të kërkimit shkencor dhe integrimin e Shqipërisë në Zonën Evropiane të Kërkimit Shkencor. "Një tjetër qëllim i këtij takimi ishte dhe mundësimi i trajnimit të kërkuesve shkencorë shqiptarë në mbledhjen dhe analizën e statistikave, treguesve në shkencën e teknologjinë tonë, krahasuar me standardet e Evropës, OECD, UNESCO-s",- pohojnë burime të MASH-it, duke shtuar se Shqipëria është ndër të paktat vende në Evropë që nuk disponon të dhëna kombëtare mbi shkencën dhe teknologjinë.