E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësi për fëmijën e vdekur, gjyqi shtyhet prej 3 vjetësh

Tiranë- 1050 ditë nuk i kanë mjaftuar Gjykatës së Tiranës për të dhënë verdiktin përfundimtar nëse 7-vjeçari që humbi jetën në një nga kabinat elektrike të lëna pa masa sigurie nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, meriton apo jo dëmshpërblim nga kjo e fundit.  Është ky një nga proçeset gjyqësore që fsheh pas tij një kalvar të gjatë vuajtjesh të një nëne që ka humbur të birin 7-vjeçar në rrethana tragjike dhe i duhet që prej 3 vitesh, tashmë për të 28 herë të rrëfejë para gjykatës së Tiranës ngjarjen.

Gazeta IDEA rikthen në vëmëndje një nga çështjet gjyqsore që u shty për të 28-tën herë, më e fundit si pasojë e mungesës së ekspertit dhe Avokaturës së Shtetit. Ne publikuam disa javë më parë historinë e Alime Sula, që ka paditur Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes të Energjisë Elektrike (OSSH), duke kërkuar dëmshpërblim për humbjen e jetës së të birit.

Marglen Sula ishte vetëm 7 vjeç në vitin 2008, kur humbi jetën si pasojë e kontaktiti me rrymën elektrike në një kabinë elektrike në Kodër Kamëz, e lënë e hapur, pa derë dhe pa çelës. OSSH ka detyrmin ligjor të marrë masa sigurie në kabinat e energjisë elektrike që përbëjnë rrezik për qytetarët, një detyrim ligjor që në rastin konkret nuk e ka përmbushur. Bazuar në nenin 608/654 nëna e tij Alime Sula, në përpjekje për të kërkuar drejtësi për vdekjen e të birit, ka paditur OSSH me 12.05.2009. Kanë kaluar tre vjet dhe ajo ende nuk ka marrë një përgjigje për përgjegjësinë e vdekjes së vogëlushit.

Mesatarja  e kohëzgjatjes së cështjeve të ngjashme sipas standartit të Gjykatës së Tiranës është 385 ditë. Dosja gjyqsore në fjalë ka kaluar 1050 ditë nën statusin në gjykim. Çështja ka kaluar në 28 seanca që janë shtyrë për arsye të ndryshme, që nga mungesa e Avokaturës së Shtetit, gjyqtarëve, palës së paditur deri tek  ekspertët.  Më 28.06 2010 çështja shtyhet për të tërhequr disa prova materiale që i përkisnin një fashikulli penal që zotëronte Prokuroria e Tiranës që kishtë hetuar mbi vdekjen e vogëlushit.

Pikërisht ky fashikull penal është bërë i mundur të sigurohet  vetëm me datë 10.06.2011, duke mbajtur pezull çështjen për gati një vit. Bashkëpunimi dhe komunikimi  mes ketyre dy institucioneve qe supozohet t`i sherbejne qellimit te njera tjetres eshte i ketij niveli. Sigurimi i nje fashikulli penal ka nevojë për një vit kohë.

Seanca e 28-të u shty për mosparaqitje të  ekspertit. Me 23 mars Alime Sulajn do ta shohim sërish nëpër korridoret e Gjykatës së Tiranës , duke risjell ndërmend kushtet në të cilat humbi jetën i biri. Ndërkohë përgjegjësia e vdekjes së këtij vogëlushi që tashmë do t’i kishte mbushur 10 vjeç  nëse OSSH nuk do të kishte neglizhuar detyrimin ligjor për sigurimin e kabinave elektrike, vijon të ngelet jetime.

Matilda Alku /IDEA

Shkrime të tjera me interes:

  1. NË KËRKIM TË DREJTËSISË/ Proçesi që shtyhet prej 6 vjetësh Tiranë- Në vazhdën e gjurmimit të çështjeve që kanë thyer...
  2. 1000 ditë duke kërkuar drejtësi dyerve të gjykatës… Gjurmimi i historive njerëzore që fshihen pas padive të Shkaktim...
  3. Pedagogët denoncojnë: Universiteti Evropian për Turizmin (EUFT) nuk paguan profesorët prej tre vjetesh Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për shkelje e kontratave...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›