Drejtësi selektive

Është e zhgënjyer me sugjerimin e KZAP’së për përsëritje të zgjedhjeve në tri komuna të Kosovës, e drejtë që mendon se i është mohuar Gjakovës. Këtë sugjerim e quan të motivuar politikisht. Nuk ka besim në institucionet e drejtësisë. Premton se do t’i përkrahë qytetarët nëse ata duan të protestojnë në rrugë. Mimoza Kusari, ish-Kandidate e AKR’së për Gjakovën, flet për Express.
Express: Si e keni ndjerë veten kur kuptuat se KZAP-ja ka sugjeruar rivotim në tri qytete?
Mimoza Kusari: Jam ndjerë sikurse ditën që kam marrë vesh që pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës kanë qenë në funksion të keqpërdoruesve të votës së lirë, njëjtë sikur e kam ndjerë veten se KZAP-ja ka refuzuar ankesat tona, që kanë qenë shumë mirë të argumentuara dhe vetëm se po thellohet humbja e besimit të sistemit që është krijuar për të menaxhuar zgjedhjet dhe për të ndarë drejtësi për procesin zgjedhor. Është zhgënjim, mbi të gjitha, është një dhembje që ndjej për votën e qytetarit të Republikës së Kosovës, po flas në tërësi, sepse nuk kemi të bëjmë këtu vetëm me komunën e Gjakovës, por flas për tërë territorin e Kosovës. Nëse votuesit kanë qenë përfaqësues ose kanë përkrahur një parti tjetër, e cila nuk e ka forcën politike, që e kanë partitë në pushtet, atëherë ata nuk janë të respektuar nga askush në Kosovë. Thjesht këtu po thellohet mosbesimi ndaj institucioneve. Unë frikësohem që procesi zgjedhor, nëse ngutemi, do të bëjë që në zgjedhjet për nivel qendror, do të ketë edhe më pak votues. Kosovarët nuk e shohin arsyen për të dalë në zgjedhje nëse ato janë të predispozuara ta favorizojnë një parti apriori, ende pa dalë votuesi në zgjedhje.
Express: Sa ankesa tuaja janë hedhur poshtë nga KZAP-ja?
Mimoza Kusari: Pesë janë hidhur poshtë, po flasim me qendra, me disa vendvotime brenda këtyre qendrave, me argumente dhe fakte, të cilat kanë prezantuar prej shkeljeve të shumëfishta, votimeve në emër personave të vdekur, dhunës së përdorur në këto qendra, dhunës ndaj vëzhguesve, me dëshmi të vëzhguesve, të komisarëve me emër dhe mbiemër. Me fakte edhe involvimin e pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës në këto keqpërdorime dhe kërkesën për verifikim të listave të votuesve, në vendet ku ka pasur më shumë votues sesa që ka pasur banorë që aktualisht banojnë në ato fshatra. Prandaj, këtu ka qenë një vendim politik, i cili e ka sjellë një situatë që të besohet se KZAP-ja është krijuar për të ndarë drejtësi, për të gjykuar ankesat për krejt Kosovën, njëjtë apo vetëm partitë e koalicionit qeveritar.
Express: Cili ka qenë arsyetimi i KZAP-së kur ka refuzuar ankesat tuaja?
Mimoza Kusari: Kryesisht ka qenë se ankesa refuzohet për shkak të mungesës së dëshmimeve, për shkak të deponimit të ankesës tri ditë pas marrjes së dëshmive, që nuk ka qenë e vërtetë. Kanë qenë aspekte administrative. Unë kam shprehur pakënaqësinë time kur ka ardhur edhe te vendimet e Gjykatës Supreme, për shkak që edhe vendimet e saj nuk kanë asgjë përmbajtjesore me vetë ankesën, sa kanë me çështje administrative.
Express: Siç është krijuar situata, mendoni se zëri po u shkon vetëm atyre që mund të jenë faktorë destabilizues në Kosovë?
Mimoza Kusari: Mesazhet e organeve që kanë menaxhuar zgjedhjet e institucioneve vendimmarrëse në Kosovë, kanë treguar se vetëm ka hapësirë për destabilitet, ose nëse rrezikohet ky stabilitet, ata do të ndërmarrin masa, pra stabiliteti është treguar si qëllimi dhe rezultati i fundit, të cilët ata e promovojnë, nëse e vlerësojnë dhe në momentin kur shfaqet një mundësi e prishjes së këtij stabiliteti ata do të reagojnë. Ndërsa në rastin tonë ka pasur të bëjë me një forcë paqësore, që nuk i ka strukturat militante, prandaj edhe nuk janë marrë seriozisht, pavarësisht kualitetin e ankesave dhe faktet e dëshmitë që janë deponuar lidhur me faktet dhe dëshmitë që janë prezantuar gjatë procesit zgjedhor.
Express: Këto fakte që ju keni prezantuar, a ndryshojnë në Gjakovë nga këto tri komuna ku është sugjeruar të përsëriten votimet?
Mimoza Kusari: Asgjë nga ato që kam dëgjuar nga Prizreni, Gjilani dhe Lipjani nuk kanë dalluar nga ato që janë prezantuar për Gjakovën. Aty si fakt është prezantuar rritja e menjëhershme e numrit të votuesve në orët e mbrëmjes në zonat të banuara me komunitetin serb, e njëjta ka ndodhur edhe në Gjakovë. Ka zona që ne kemi deponuar edhe dëshmi që në orët e mbrëmjes është rritur gati në 40 % numri i votuesve, ndonëse natën bie numri i votuesve. Janë raportuar kërcënime ndaj komisarëve dhe vëzhgueseve, e njëjta gjë ka ndodhur në rastin e komunës së Gjakovës. Pastaj ka pasur sjellje të militantëve nëpër qendra të votimit, ka pasur ndikim tek votuesit, votime të shumëfishta, hyrje dalje. Gjëra krejt të njëjta që kanë ndodhur në tërë territorin e Kosovës. Prandaj asgjë që është prezantuar nuk ka qenë shkelje më e rëndë se ato që janë prezantuar dhe dokumentuar edhe për komunën e Gjakovës.
Express: Megjithëkëtë, vendimi i KZAP-së nuk ishte i njëjtë për ju sikurse për tri komunat tjera. Pse?
Mimoza Kusari: Ka qenë vendim politik. Nëse kish pas më shumë anulime, rezultati kishte shkuar drejt balotazhit, ndërsa në këtë rast është anuluar në të gjithë komunën, që është prapë politikisht e ndikuar. Flasim për një vendim tërësisht politik, sepse jo rastësisht përfshin dy forcat në pushtet, prandaj edhe kjo çon një mesazh, që KZAP-i është përkujdesur që të ruaj stabilitetin qeveritar. Stabiliteti prapë mbetet kryefjalë në Kosovë e jo promovimi i një demokracie ose vlerave demokratike.
Express: Ju keni qenë shumë këmbëngulës për të ndriçuar rastin e Gjakovës. Gjatë kësaj rruge a ka pasur pengesa apo mesazhe që duhet ndalur?
Mimoza Kusari: Kam pas mesazhe kryesisht nga bashkësia ndërkombëtare, që realisht janë promotor të demokracisë dhe ruajtjes të vlerave demokratike. Ata më kanë rekomanduar që të lëshoj pe për hir të procesit demokratik. Unë e bëjë të kundërtën nëse ndalëm, nëse asgjë tjetër nuk i kontribuon procesit demokratik dhe nuk mund ta përmirësoj një proces, nëse kënaqem me të gjitha parregullsitë që e kanë përcjell atë. Është situatë në të cilën kemi ardhur te përfundimi ne si shoqëri që vlerat demokratike t’i ruajmë vet, ne të përkujdesemi se çfarë demokracie dëshirojmë. Unë kisha dashur që të pavarur siç kemi qenë ne si subjekt politik, të shihnim edhe institucionet Kosovës dhe gjyqësinë, por realiteti po tregon një gjë tjetër.
Express: Gjykata Kushtetues ka mbetur t’i shqyrtojë ankesat tuaja. Keni shpresë që ajo eventualisht mund të japë një vendim të ndryshëm?
Mimoza Kusari: Nuk më ka mbetur shumë besim të organet e pavarura të Kosovës. Sikur ata të gjykonin drejt dhe të pavarur, e di se aty është bërë një shkelje e ligjshmërisë, shkelje të procesit. Një person shumë laik mund ta vërtetojë këtë. Duke marr parasysh se si ka ndodhur procesi i ndikuar nga instancat politike, kam mbetur e zhgënjyer dhe nuk më ka mbetur shumë besim në fund të këtij procesi, as në Institucionin me të lartë, Gjykatën Kushtetuese.
Express: Keni mjete tjera demokratike për të kundërshtuar atë që ju e quani të padrejtë, apo iu kanë mbaruar?
Mimoza Kusari: Ne kemi një vendim, që si subjekt politik të mos marrim pjesë në Konstituimin e Asamblesë Komunale në Gjakovë, pa e pasur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Po thirren shpesh simpatizantë tanë dhe qytetarë të komunës së Gjakovës në versionin e protestave paqësore, qoftë në Gjakovë ose në Prishtinë. Natyrisht që ne si subjekt politik, drejtpërdrejt nuk as nuk mund t’i refuzojmë, ose ata që drejtpërdrejt i organizojnë. Por, nëse qytetarët e kanë një vullnet të tillë, atëherë me siguri do të vendosin vet që do të protestojnë. Tash është keq se për të njëjtat ankesa, në tri komuna anulohen tërësisht zgjedhjet, ndërsa në ankesa aq mirë të dokumentuara dhe të mbuluar mediatikisht, institucionet kanë qenë ato që nuk e kanë marrë vendimin e drejt në Gjakovë. Kurse në tri komuna tjera me aq furi e nguti anulohet i tërë procesi zgjedhor. Prandaj mjetet demokratike, çfarë ka mbetur është të luajmë rolin e një opozite shumë të fortë, kësaj radhe me mundësinë për të treguar shkeljet e vazhdueshme. Por edhe protestat, të cilat nëse organizohen nga qytetarët, ne nuk mund të mos i përkrahim, sepse ka bëjë me vlera esenciale të demokracisë.