Arrestohet pronari i 23 kg heroinë e bllokuar në Mamurras
Policia kapi djalin......................... plaku të arrestuar një muaj më parë, ndërsa shpallen në kërkim 4 bashkëpunëtorët e tij
TIRANE- Arrestohet djali si një nga të dyshuarit për trafik droge djali i një të moshuari nga Mamurrasi, në banesën e të cilit policia gjeti drogë dy muaj më parë.
Emiljano Doçi, u arrestua nga Policia e Shtetit me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, me akuzën e mbajtjes posedimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Arrestimi mësohet se është kryer pasi Doçi, dyshohet se është një nga personat e përfshirë në trafikimin e një sasie prej rreth 23 kg heroinë.
Kjo sasi lënde narkotike është gjetur nga forcat e policisë në një banesë në Mamuras, rreth një muaj më parë, kur policia ishte njoftuar se në banesën e Hamit Doçit, gjendej një sasi lënde narkotike e konsiderueshme. Policia mori informacionin në sallën operative të drejtorisë së Durrësit nëpërmjet një telefonate anonime, që nga ku edhe u orgaizua operacioni për kapjen dhe bllokimin e heroinës.
Gjatë operacionit për sekuestrimin e drogë, policia arrestoi Hamit Doçin, babain e të arrestuarit të djeshëm. Në më pak se një muaj hetim, policia dhe prokuroria mundën të identifikonin personat e përfshirë në një rrjet të mundshëm të trafikut të heroinës.
Veç të arrestuarit të djeshëm, policia dyshon se në këtë grup janë përfshirë së paku edhe katër persona të tjerë mes të cilëve edhe një femër. Të gjithë të dyshuarit janë shpallur në kërkim nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa urdhrat e arrestit për të kërkuarit janë renditur nga policia në krye personave më të kërkuar prej saj.
Prokuroret e Krimeve të Rënda hedhin dyshime se Doçi, se bashku me 4 pjesëtarët e grupit ku bënte pjesë, e kanë transportuar drogën nga Maqedonia me qëllim trafikimin e saj në drejtim të Italisë.
Sipas burimeve të policisë, i arrestuari i djeshëm është person me precedentë të mëparshëm penalë, pasi edhe me parë është ndaluar nga policia edhe për vepra të tjera penale. Ndërkaq, babai i Emiliano Doçit, Hamit Doçi, i arrestuar nga policia pas njoftimit nga një person nëpërmjet një telefonate anonime është lënë i lirë.
Dy ditë pas arrestimit të tij, Gjykata vlerësoi se ai nuk ishte person i rrezikshëm dhe në vendimin e lirimit të tij, gjykata u ndikua edhe për shkak të moshës së tij. I moshuari gjatë seancës së masës së arrestit mohoi të kishte dijeni për lëndën narkotike, ndërsa tha se nëse do të kishte pasur dijeni për të do ta kishte djegur.
Ndërkaq, veç lëndës narkotike, në banesën e tij policia sekuestroi edhe një armë, të cilën i moshuari pretendoi se e kishte blerë 50 lekë në vitin 1991, për t'u ruajtur nga hajdutët e banesave.