Ekspertët: Ngjyra e kartmonedhave si origjinali
Paratë false
TIRANE- Ekspertët e Policisë Shkencore që kanë analizuar dhe vëzhguar paratë false të bllokuara tri ditë më parë në një banesë në Allias, kanë konkluduar se pjesa më e madhe e elementëve të sigurisë së këtyre kartëmonedhave mungonin.
Por sipas tyre boja ishte elementi që i jepte më tepër besueshmëri kësaj kartëmonedhe të prodhuara në shtëpinë e Artur Pashkajt, nga grupi i 26 personave të arrestaur. Një fakt i tillë ëhtë pohuar për "Shekullin", nga burime të prokurorisë së Tiranës që pohuan se një konkluzion paraprak ka mbërritur nga specialistët Kriminalistë të Institutit të Policisë Shkencore.
Këta të fundit po merren me kryerjen ekspertimit grafik të kartëmonedhave të bllokuara nga Antikrimi Ekonomik i Policisë së Tiranës, të shtunën në banesën e vëllezërve Pashkaj në Tiranë. Në kuadër të këtij operacioni të koduar "Piramida", policia arrestoi 26 persona të moshës nga 16- deri në 30 vjeç.
Nga hetimi i kryer, policia ka mësuar se pajisjet e prodhimit të parave të falsifikuara, kryesisht ato kompjuterike, si dhe skanerat e printerat dhe një makineri tjetër ishin blerë në Itali dhe ishin të një cilësie tepër të lartë.
Ndërkaq, ende nuk dihet sasia e saktë e parave që kanë mundur të prodhohen dhe të hidhen në qarkullim nga të arrestuarit, ndërsa policia iu bllokoi atyre një sasi prej 1.4 milionë lekësh të vjetra.
Një pjesë e mirë e parave të fituara nga të arrestuarit, ishin hedhur në qarkullim në pika karburantesh në lokale nate, në lokale bastesh sportive apo kazino prej personave të ngarkuar për të kryer veprimtarinë e hedhjes në treg të parave. Disa prej të arrestuarve po hetohen nga policia si të dyshuar për grabitje me armë.