Turqia ndërton gjykatoren
Gjykata Kushtetuese e Kosovës shumë shpejtë do të ketë sallën e gjykatores, donacion ky i ofruar nga Gjykata Kushtetuese e Turqisë. Kreu i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, tha se gjykimet vazhdojnë të mbahen në sallën e Fakultetit Juridik, e cila nuk është adekuate për seancat e kësaj gjykate.
“Shumë shpejtë këta do të fillojnë me ndërtimin e gjykatores. Ju e dini që ne qe 6 muaj që kemi filluar punën dhe i kryejmë gjykimet në gjykatoren e Fakultetit Juridik që është krijuar prej USAID-it, që është për gjykime të rregullta, e dizajnuar jo për Gjykatën Kushtetuese dhe ne tani po e bëjmë gjykatoren tonë dhe shumë shpejt do të fillojë edhe ndërtimi dhe projekte të tjera të gjykatës kushtetuese”, ka thënë Hasani.
Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, Mehmet Okus, megjithëse nuk bëri të ditur kur do të fillojë projekti, sipas tij gjykatorja do të mund të ndërtohet brenda 2 muajve.
“Nuk mund të jap një përgjigje se kur do të fillojë ndërtimi akoma, por që unë besoj se kjo do të ndodhë shumë shpejtë. Ndërtimi është paraparë të zgjasë dy muaj dhe do të kushtojë mbi 100 mijë euro”, ka sqaruar Mehmet Okus.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, po ashtu tha se bashkëpunimi me vendet e rajonit dhe më gjerë do ta ndihmojë këtë institucion në rrugën drejtë integrimeve evropiane.