Drejtësia, afër dhe larg qytetarëve

Në çdo komunitet është e domosdoshme, që infrastruktura gjyqësore ti
përshtatet nevojave të gjyqtarëve dhe stafit të tyre administrativ, në
përballimin e detyrave të përditshme, për të sjellë sa më afër drejtësinë tek
qytetarët
Bujar
Nishani*
Ministër
i Drejtësisë
Krijimi i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe
Apelit për Krimet e Rënda ka qenë një nga reformat më kryesore institucionale
kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Kombinimi i ligjit penal me atë civil
për sekuestrimin e pasurive të prejardhura nga aktivitete të krimit të
organizuar është gjithashtu një reformë thelbësore në këtë drejtim.
Sot dëshiroj të përforcoj edhe njëherë
vendosmërinë e Qeverisë Shqiptare dhe partnerëve tanë evropianë në luftën
kundër krimit të organizuar, kësaj here duke garantuar kushtet më të mira të
punës për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët pjesëmarrës në mbrojtjen e
shoqërisë nga njëra anë dhe ruajtjen e të drejtave themelore të njeriut nga ana
tjetër.
Në çdo komunitet është e domosdoshme, që
infrastruktura gjyqësore ti përshtatet nevojave të gjyqtarëve dhe stafit të
tyre administrativ, në përballimin e detyrave të përditshme, për të sjellë sa
më afër drejtësinë tek qytetarët.
Godina e re e Gjykatës për Krimet e Rënda
është kthyer tashmë në një simbol të modernizimit të pushtetit gjyqësor, me
infrastrukturën estetike sipas standardeve më të fundit evropiane, duke ruajtur
njëkohësisht simbolet e saj të drejtësisë.
Me këtë rast dëshiroj të shpreh mirënjohjen
për Bashkimin Evropian i cili mundësoi këtë infrastrukturë moderne për sistemin
e drejtësisë penale në vlerën prej 6.5 milionë euro investim, ku përfshihet
sistemi i teknologjisë së informacionit dhe baza materiale për realizimin sa më
efektiv të procesit gjyqësor si dhe Delegacionin Evropian në Tiranë që e bëri
efektiv këtë financim.
Drejtësia ka nevojë për më shumë transparencë
nëpërmjet pjesëmarrjes së publikut. Për këtë arsye edhe godina e re e Gjykatës
për Krimet e Rënda mundëson pjesëmarrjen e rreth 300 personave në 5 sallat e
saj gjatë zhvillimi të proceseve të ndryshme gjyqësore penale.
Është akoma shpejt të thuash se brenda godinës
së re, është krijuar një traditë juridike e konsoliduar, megjithatë unë kam
besim të plotë se në mbi 200 zyrat e vëna në dispozicion të pushtetit gjyqësor,
Gjykata e Krimeve të Rënda me transparencën dhe përgjegjshmërinë e saj do të
garantojë bërjen e drejtësisë.
(*) Fjala e mbajtur sot me rastin e përurimit
të Gjykatës së Krimeve të Rënda