Tryeza e bisedimeve dhe fundi i absurdit të PS-së
Kryeministri, në asnjë rast, as drejtpërdrejt dhe as në mënyrë të tërthortë, nuk ka vënë në dyshim më parë gatishmërinë e tij për t’u takuar me palët. Më herët, u supozua si fitore e madhe nga e majta në përgjithësi dhe Edi Rama në veçanti, një element krejtësisht i parëndësishëm i përfshirë në rezolutën e KiE-së: termi “krizë politike” për përcaktimin e situatës politike në Shqipëri. Duke i mëshuar këtij termi, kryetari i PS-së bëri sikur nuk e kuptoi rezolutën e ndërkombëtarëve, e cila nënvizonte dy elementët thelbësorë të kërkesave të tyre: ndërprerjen e menjëhershme të bojkotit nga PS-ja dhe krijimin e menjëhershëm nga mazhoranca të komisionit hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve, mbështetur në Kushtetutën e RSH-së dhe ligjet e vendit. Anashkalimi i këtyre përcaktimeve dhe deklarimet e përçarta se nuk do të ndërpriste bojkotin, por do t’i rikthehej rrugës derisa të plotësoheshin kërkesat e tij, i dhanë krizës nota komiciteti dhe e bënë Edi Ramën të dukej po aq qesharak sa Ali Komiku. Për kujtesë, shtatë vjet më parë, ministri zulmëmadh i Informacionit të Sadam Huseinit, i quajtur Ali, gajasi gjithë botën kur nga kopshti i ministrisë së tij u deklaronte mediave të huaja se ushtria irakiane po i zmbrapste trupat e Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që gazetarët, prapa kurrizit të tij, shihnin tanket amerikane që po përparonin drejt qendrës së Bagdadit. Pas kësaj, askush nuk ia mbajti mënd mbiemrin ministrit, i cili i bëri vend vetes në histori duke u quajtur Ali Komiku. Çuditërisht dhe natyrisht, për fat të keq, “kthjelltësia e Aliut” ka kapluar jo vetëm kreun e PS-së, por edhe drejtuesit kryesorë të saj dhe të majtën në përgjithësi. Fjalët magjike “hapni kutitë” dhe “tryezë bisedimesh” kanë zëvendësuar të gjitha fjalët e tjera magjike që kryetari i Bashkisë së Tiranës ka aq qejf t’i shkruajë në fasadat e pallateve të Kryeqytetit. Sinqerisht, përpiqem të përfytyroj se cila do të jetë ajo formulë magjike që e servirur në një pjatë magjike do të vendoset mbi tryezën magjike të bisedimeve për të sjellë zgjidhjen magjike. Fatkeqësisht, nuk shoh ndonjë të tillë. Gjatë këtyre muajve, si PD dhe PS kanë luajtur me letra të hapura. Nga njëra anë Edi Rama ka kërkuar as më shumë dhe as më pak, por vetëm hapjen e kutive. Dhe për këtë ka shpenzuar së paku 1.5 milion lekë të reja për të blerë qofte dhe birra që t’i mbante simpatizantët e tij para Kryeministrisë për të protestuar për zgjedhjet, “armë”, të cilat nuk rezultuan aq shumë efikase për të mposhtur qeverinë. Nga ana tjetër, Sali Berisha, i cili, mbështetur në Kushtetutën dhe ligjet e vendit ka kundërshtuar hapjen e kutive, por ka shprehur gatishmërinë e tij për të pranuar çdo kërkesë tjetër të opozitës për ta bindur atë të hyjë në Parlament. Siç shihet, që në fillim Berisha ia ngushtoi Ramës mundësitë e lëvizjeve të tjera alternative, duke e kthyer atë në rob të kutisë së tij dhe njëkohësisht i krijoi vetës të gjitha hapësirat e nevojshme për kompromiset e mundshme politike. Me një shikim të vëmendshëm të të gjithë dinamikës së zhvillimit të situatës nga 28 qershori e këtej, rezulton se rezoluta e KiE-së ka bërë të sajën bazën e ofertave të bëra me kohë nga kryetari i mazhorancës: ndërprerjen e bojkotit nga PS-ja dhe krijimin në Parlament të një komisioni hetimor për zgjedhjet. Madje, ndërkombëtarët, duke këshilluar qeverinë të ngrejë sa më shpejt komisionin parlamentar, kanë kërkuar më pak se ç’ka ofruar vetë Berisha. Kryeministri ka propozuar që komisionin ta drejtojë opozita. Por, për ta bërë këtë, në bazë të ligjit, propozimin duhet ta paraqesë grupi parlamentar i PS-së me anë të 29 deputetëve të betuar të saj. E që këta deputetë të betohen, së pari duhet të ndërpresin bojkotin e të futen në Parlament. Kështu, kjo situatë e ka futur Edi Ramën në një rreth të mbyllur, si në fabulën e vezës dhe pulës. Atëherë, çfarë magjie do të na sjellë tryeza?! Asgjë! Ka vetëm një mundësi suksesi: Edi Rama të heqë dorë nga bojkoti e të dërgojë grupin e vet parlamentar në Kuvend për të marrë ndër të tjera edhe drejtimin, edhe shumicën e komisionit, siç i është ofertuar nga Berisha. Çështja bëhet më delikate për Edi Ramën, pasi në tryezë (apo pas saj) do të jenë edhe përfaqësuesit e Këshillit të Evropës. Dhe ata nuk mund t’ia lejojnë vetes dështimin e zgjidhjes së ofruar dhe sponsorizuar prej tyre. Në debatin e organizuar në AP të KiE-së për rezolutën për Shqipërinë, raporteri David Willshire deklaroi se “ka ardhur koha që në Shqipëri disa duar të shtrëngohen”. A është ky objektivi minimal i delegacionit të KiE-së? A konsiderohet “shtrëngimi i disa duarve” si çelësi magjik i zgjidhjes së “krizës” në Shqipëri? Ditët e fundit, disa eksponentë të opozitës kanë kërkuar me forcë praninë e Berishës të tryezë. Berisha ua bëri qefin kur deklaroi se do të merrte pjesë, qoftë edhe sa për të pirë një kafe. Edhe kjo u konsiderua si “një fitore e madhe” e opozitës. Por a mjafton vetëm një kafe për ta çuar grupin parlamentar të PS-së në Parlament? Ndoshta jo! Ndoshta kërkohet më shumë. Mbase Rama, përveç pirjes së kafesë, kërkon edhe një shtrëngim të fuqishëm duarsh si dhe pak buzëqeshje. Atëherë, z. Berisha duhet të pranojë këtë “kompromis historik”: T’i japë Edi Ramës një kafe, dy shtrëngime duarsh dhe shumë buzëqeshje! Të gjitha këto mund ta bindin z. Rama të heqë dorë nga bojkoti, duke shlyer kështu aq shumë deklarata dhe kërcënime, aq shumë mitingje dhe aq shumë shpenzime për qoftet e protestës. E mbi të gjitha, të heqë dorë një herë e mirë nga aq shumë absurd në politikën e PS-së.