E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrimi i tatimeve është kërkesë e kohës

“Arti i të tatuarit i ngjan artit të rrjepjes së patës: t’i marrësh maksimumin e pendëve me sa më pak gagaritje dhe klithma”.
Jean Baptiste Colbert

Kërkesa për të mbledhur më shumë tatime dhe kontribute të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, këto vitet e fundit ka ardhur në rritje. Mjafton t’u hedhësh një sy të ardhurave tatimore gjithsej në shtatë vitet e fundit për të parë se si nga rreth 56.3 miliardë lekë që mblidheshin në vitin 2003, në vitin 2009 u mblodhën rreth 105 miliardë lekë ose pothuajse 50 për qind më shumë sesa në vitin 2003. Por një rritje e tillë do analizuar duke parë si është shoqëruar ajo me përshtatjen e burimeve të domosdoshme si stafi, godina, mjetet, pajisjet, kompjuterat etj., pasi administrata tatimore dy-tri vitet e fundit është përfshirë në një reformë më të gjerë modernizimi, ku vendin kryesor e ka zënë plotësimi i kërkesave në lidhje me një bazë të shëndoshë ligjore, kritere të qarta dhe të thjeshta për përzgjedhjen e tatimpaguesve për kontroll, duke u bazuar te risku, procedurat standarde dhe transparente, administrimin e të gjithë tatimpaguesve të mëdhenj pa përjashtim dhe linjat e qarta të raportimit në DPT, si dhe përcaktimin e një niveli të përshtatshëm të stafit dhe pagesës së tyre, trajnimit të tij dhe identifikimit e hartimit të treguesve kyç të performancës. Pikërisht identifikimi dhe hartimi i treguesve kyç të performances ka qenë dhe mbetet thembra e Akilit në administratën tatimore, veçanërisht, për sa i përket majës së menaxhimit të saj. Duke iu referuar të dhënave për të ardhurat tatimore gjithsej në shtatë vitet e fundit, të bie në sy mungesa e uniformitetit të ritmit të rritjes së të ardhurave të mbledhura nga vitit në vit, të cilat duke filluar nga viti 2004 krahasuar me vitin 2003 është 3.8 miliardë lekë e kështu me radhë 2005/2004 pothuajse as 80 milionë lekë; 2006/2005 3.1 miliardë lekë; 2007/2006 1 miliard lekë; 2008/2007 8.1 miliard lekë dhe 2009/2008 0.5 miliard lekë. Nëse vitet 2005 dhe 2009 me të drejtë justifikohen ashtu si në mbarë botën nga ekspertët dhe analistët si vite që ndikohen nga efektet zgjedhore (madje 2009 do parë më tej edhe si viti kur kriza ekonomike botërore shtriu ndikimin e saj më shumë në ekonominë e vendit), vitet e tjera pothuajse janë karakterizuar nga një rritje ekonomike pa kërcime të mëdha (përkatësisht 4.8 për qind; 7.3 për qind; 6 për qind; 6.6 për qind 5.5 për qind. 3 për qind dhe 2009 rreth 2.5 për qind duke iu referuar statistikave të FMN-së), pa harruar faktin domethënës se në tri vitet e fundit ka pasur një ulje të përqindjeve tatimore dhe kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Megjithatë, nganjëherë arritjet e çastit ndërtohen në kurriz të së nesërmes, veçanërisht, kur sjellja e administratës tatimore në zbatim të politikave tatimore (ligjeve tatimore) është arbitrare, por pa paragjykim dhe jashtë këtij konteksti mbetet për t’u analizuar mirë rasti i mbledhjes së 8.1 miliardë lekëve më shumë në vitin 2008 në krahasim me vitin 2007 (100 772 253 000 lekë kundrejt 84 205 092 000 lekë), kur një vit më parë në 2007 në krahasim me 2006 u mblodhën vetëm 1 miliard lekë më shumë të ardhura tatimore gjithsej (84 205 092 000 lekë kundrejt 77 742 759 000 lekë). Në rast se krahasimi do të bëhej duke u mbështetur në të dhënat e krahasuara të të ardhurave tatimore gjithsej vetëm për muajin dhjetor të shtatë viteve të fundit, vihet re se në dhjetor të vitit 2009 janë mbledhur rreth 8.6 miliardë lekë nga rreth 5 miliardë lekë që u mblodhën në vitin 2003, me një ritëm jo uniform nga viti në vit, madje krahasimi i muajit dhjetor të vitit 2008 me atë të vitit 2007, të jep të kundërtën e krahasimit të vetë viteve (7 951 146 000 lekë kundrejt 7 523 413 000 lekë). Sikundër shihet qartë, mbledhja e të ardhurave mund të jetë një prej treguesve kyç të performancës, por jo e vetmja. Parë nga këndvështrimi i tatimpaguesve, performanca e administratës tatimore matet jo me të ardhurat, por me sjelljen dhe qëndrimin e saj kundrejt tyre ose më saktë, në marrëdhëniet ndërmjet palëve. Tatimpaguesit vlerësojnë më shumë shërbimet dhe trajtimin e tyre profesional gjatë gjithë kohës; shërbimet e shpejta dhe të sakta për pyetjet dhe paqartësitë që ata kanë në lidhje me zbatimin e legjislacionit tatimor; ndihmën para se të plotësojnë deklaratat e ndryshme; njoftimet për proceset dhe procedurat që praktikon administrata tatimore; këshillat e ndryshme teknike/edukimit; botimet në lidhje me rregullat dhe udhëzimet me rëndësi; ndihmën për të shpejtuar procesin dhe procedurat e rimbursimit të TVSH-së; si dhe mbledhjen dhe trajtimin e ankesave të tyre në lidhje me zyrtarët tatimorë. Natyrisht edhe shërbimet janë një tregues i performancës, por aspak kryesori ashtu si dhe mbledhja e të ardhurave duke sjellë edhe njëherë në vëmendje thënien e lartcituar të Jean Baptiste Colbert.
Menaxhimi i riskut në administratën tatimore do të ishte treguesi përmbledhës i performancës, por një tregues i tillë nuk mund të shprehet vetëm me tregues sasior por mbi bazën e të dhënave të mbledhura dhe analizave në bazë të një metodologjie të caktuar të riskut, duke e përshtatur me karakteristikat e veçanta dhe shkallën e zbatimit të legjislacionit tatimor nga tatimpaguesit. Menaxhimi i riskut varet si nga politikat tatimore ashtu dhe nga politikat e administrimit, veçanërisht, në përzgjedhjen e tatimpaguesve mbi bazën treguesit të qarkullimit vjetor (xhiros) ose shitjeve bruto, të vlerës së aseteve (aktiveve); të fushave ku operojnë tatimpaguesit (p.sh. banka, sigurime, telefoni e lëvizshme etj); të angazhimit në biznesin ndërkombëtar, si dhe numrit të punonjësve. Karakteristikat kryesore të tatimpaguesve, siç janë: përqendrimi i të ardhurave; kompleksiteti i biznesit për arsye të njësive të ndryshme operuese; interesi i ndryshëm i biznesit; volumit i lartë i transaksioneve në veprimtarinë e përditshme të biznesit; numri shumë i madh i punëmarrësve; marrëdhëniet me biznesin ndërkombëtar; transaksionet ndërkufitare me personat e lidhur; tiparet unike të industrisë (të tilla si bankat); përhapja e biznesit në kuptimin gjeografik; çështjet e komplikuara (që përfshijnë kompleksitetin e legjislacionit tatimor dhe standardet e kontabilitetit); politikat dhe strategjitë e tatimpaguesve për të minimizuar detyrimet tatimore; strukturat komplekse financiare dhe të organizimit të biznesit, kanë ngritur një sërë problemesh në lidhje me performancën e administratës tatimore që nuk zgjidhen me një të rënë të lapsit, por duke vlerësuar punën e deritanishme të saj, duke identifikuar pengesat dhe faktorët që influencojnë performancën për t’i dhënë një zgjidhje afatgjatë ku forma dhe përmbajtja e reformës të mos kenë dallime të dukshme. Për ta bërë më konkret problemin e performances së administratës tatimore mjafton të marrësh në konsideratë rolin dhe rëndësinë që ka agjenti tatimor, ose agjenti i mbajtjes së tatimit në burim, ose roli ndërmjetës që luan ai në mbajtjen e tatimit mbi të ardhurat personale dhe kontributeve për sigurimet e detyrueshme shoqërore të punëmarrësve dhe tatimit të mbajtur në burim për disa pagesa ndërkufitare të tilla si dividentët, të drejtat e autorit dhe interesat. Po ashtu ka rëndësi të veçantë për performancën e administratës tatimore veprimtaria e këshilltarëve tatimorë që punësohen nga tatimpaguesit për t’u marrë me planifikimin tatimor (shmangien tatimore duke shfrytëzuar boshllëqet e legjislacionit tatimor); njësitë e veçanta që kanë nganjëherë disa tatimpagues të mëdhenj në strukturën e tyre për t’u marrë me çështjet e tatimeve; lidhjet e tyre me kompanitë ndërkombëtare (zakonisht të listuara në bursë) dhe/ose me grupet private të biznesit. Kuptohet se probleme të tilla influencojnë performancën e administratës tatimore për shkak të njohurive dhe aftësisë profesionale të zyrtarëve tatimorë për të administruar kategori të ndryshme të një numri të konsiderueshëm tatimpaguesish. Zgjidhja e problemeve që janë parashtruar më lart tashmë kërkon që administrata tatimore të përfshijë në gjirin e saj, përveç ekonomistëve ekspertë kontabiliteti, juristë të përgatitur për fushën fiskale; inspektorë të specializuar të kontrollit tatimor; ekspertë të industrisë (ndërtim, transport, etj) dhe specialistë kompjuterash. Pra, siç shihet administrata tatimore për sa i përket performancës së saj kur vlerëson riskun e tatimpaguesve duhet të konsiderojë faktorët që modelojnë qëndrimet e tatimpaguesit kundrejt zbatimit të legjislacionit tatimor siç janë: potenciali i korrigjimit të tatimeve të deklaruara dhe të paguara; ndikimi që do të kenë konsideratat e saj mbi sjelljen e tatimpaguesve në vitet që pasojnë në rast se çështjet nuk do të adresohen atje ku duhet; rishikimin e të dhënave historike në lidhje me moszbatimin e legjislacionit tatimor me qëllim që disa konsiderata të riadresohen, si dhe faktorët e jashtëm, si ndryshimet dhe prirjet në industri; ndryshimet e papritura të rezultatit financiar (siç rasti i ndikimit të krizës ekonomike botërore); përcaktimi i transaksioneve që nuk përfshijnë veprimtari ekonomike, por me qëllime të përfitimit tatimor; ndryshimet e shpeshta të bankave, të avokatëve dhe ekspertëve pa arsye biznesi; ekzistencën e transaksioneve domethënëse me personat e lidhur; pronësia, menaxhimi dhe strukturat e biznesit; njohuritë dhe strategjia tatimore e biznesit. Treguesi i riskut të lartë tatimor te tatimpaguesi si performanca financiare dhe tatimore varion nga modelet e industrisë, variacionet domethënëse të pagesave, ose modeleve të pagesave tatimore të krahasuara me treguesit përkatës ekonomik dhe prirjet e industrisë, variacionet e pashpjegueshme ndërmjet produktivitetit të performancës ekonomike dhe performancës tatimore; humbjeve të pashpjegueshme, ose humbjeve të vazhdueshme si dhe rasteve kur tatimpaguesi paguan pak tatime, ka dobësi në strukturën e zbatimit të legjislacionit tatimor, diferenca ndërmjet asaj që deklarohet për TVSH dhe për tatimin e fitimit, rritja ekonomike e kombinuar me rënien e tatimeve të mbledhura; karakteristikat dhe kompetencat e personelit që merret me çështjet tatimore dhe doganore dhe pronësia e firmës. Ta vlerësosh performancën e administratës tatimore nisur vetëm nga sasia totale e të ardhurave tatimore të mbledhura, veçanërisht, në kushtet e ndikimit të krizës vështirë se mund t’u japë zgjidhje afatgjatë problemeve që u parashtruan më lart.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›