Serwer: Diplomaci më agresive për njohjen e Kosovës
Drejtori i Institutit amerikan për paqe, Daniel Serwer, ka se Washingtoni dhe në veçanti, Prishtina zyrtare duhet të bëjnë përpjekje më agresive diplomatike për të shtuar numrin e vendeve që njohin pavarësinë e Kosovës. Ai gjatë një interviste për BBC-në, e ka cilësuar si të turpshme përmbajtjen e Bashkimit Evropian ndaj pavarësisë së Kosovës për shkak të kundërshtimit të Beogradit.
Ai ka thënë se evropianët duhet ta thonë qartë se Serbia nuk mund të presë që t'i bashkohet BE-së derisa të mos e zgjidhë statusin e Kosovës.
Sipas tij, qëndrimi rus kohët e fundit ka ndryshuar dhe tani duhet që Washingtoni të gjejë se çfarë duan rusët dhe cili është çmimi që ata duan për të tërhequr mbështetjen për Beogradin në raport me Kosovën.
BBC: Cila është rëndësia e vizitës së udhëheqësve kosovarë në Washington?
Z.Serwer: Ka një rëndësi të veçantë dhe të madhe. Sjellja e mirë e autoriteteve të Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, përpjekjet e tyre për t'i mbajtur gjërat në qetësi dhe të mos keqtrajtojnë serbët dhe pakicat e tjera në territorin e Kosovës, ka bërë që të fitojnë një vëmendje pozitive në Ëashington.
BBC: Kjo do të thotë se Washingtoni po luan një rol të rëndësishëm për Kosovën sot?
Z.Serwer: Mendoj se Washingtoni gjithnjë do të luajë një rol të rëndësishëm në Kosovë. Europa ka disa pengesa në këtë aspekt për shkak se është e ndarë rreth çështjes së pavarësisë.
BBC: Pra, ju vlerësoni se BE-ja nuk mund të jetë më e angazhuar në Kosovë për shkak të ndasive?
Z.Serwer: Shpresoj se do të jetë më e angazhuar dhe nuk mendoj se ndarjet brenda përbrenda Evropës e kanë ndaluar atë të jetë e angazhuar në Kosovë. Ajo që e ka përmbajtur atë të jetë më e angazhuar në Kosovë është rezistenca nga Beogradi. Ky vërtet është turp.
BBC: Zoti Serwer, ju thatë se autoritetet në Prishtinë kanë luajtur një rol pozitiv pas shpalljes së pavarësisë. Po ku janë sot serbët, marrë parasysh se ata e kanë kundërshtuar pavarësimin e Kosovës?
Z.Serwer: Nëse flasim për serbët në Beograd, ju keni të drejtë. Mendoj se qëndrimi i serbëve të Kosovës, posaçërisht në pjesën jugore të lumit Ibër, në territoret që nuk janë të kontrolluara nga Beogradi, është plotësisht i kundërt. Çështja është se kjo rezistencë ndaj pavarësimit të Kosovës do t'i shkaktojë Serbisë humbje, sidomos në aspektin financiar, për shkak të borxheve ndaj Bankës Botërore, që Beogradi duhet të vazhdojë t'i paguajë, për shkak të mbështetjes së institucioneve serbe në Kosovë, të cilat Beogradi i paguan. Dhe sinqerisht, për shkak se Serbia nuk do të mund t'i bashkohet BE-së aq shpejt me Kosovën e bashkëngjitur, sikur do të mund ta bënte pa të.
BBC: Pra, kjo nënkupton se anëtarësimi i Serbisë në BE është i kushtëzuar me Kosovën?
Z.Serwer: Unë besoj se kështu do të ndodhë. Mendoj se do të ishte më e dobishme sikur evropianët ta thoshin këtë, ta thoshin qartë se Serbia nuk mund të shpresojë që t'i bashkohet BE-së, derisa të mos e zgjidhë statusin e Kosovës, çka do t'i kënaqte të gjithë.
BBC: Zoti Serwer, ne kemi parë një stagnim në njohjen e pavarësisë së Kosovës në këto javët e fundit. A mundet SHBA-ja të bëjë më shumë rreth kësaj çështjeje? Apo, ndoshta, do të duhej që dikush tjetër të jetë i ndërlidhur në këtë process?
Z.Serwer: Unë mendoj se SHBA-ja duhet të bëjë më shumë dhe mendoj se Prishtina duhet të bëjë më shumë vetë. Ajo duhet të bëjë përpjekje më agresive diplomatike. Nuk është e habitshme që ka qenë paksa e ngadalshme, sepse ajo nuk kishte establishment diplomatik. Me kalimin e kohës ajo duhet të ndërtojë një përfaqësim diplomatik jashtë, për të gjetur levat që kërkojnë njohje të mëtejme. Mendoj se me të drejtë njerëzit në Prishtinë shikojnë nga një pjesë e botës islamike që të fitojnë një numër thelbësor vendesh të reja që e njohin Kosovën. Mendoj se është me rëndësi që ky numër të arrijë në 100 dhe kjo do ta ndryshojë formatin e diskutimeve në mënyrë thelbësore.
BBC: Por, Serbia dhe Rusia kanë ndërmarrë një aktivitet diplomatik që të dëshmojnë se pavarësia e Kosovës nuk është reale për shkak të numrit të vogël të vendeve që e kanë njohur?
Z.Serwer: Ashtu është. Serbia, në veçanti, ka qenë shumë aktive në fushën diplomatike. Mendoj se qëndrimi rus, sinqerisht, po ndryshon paksa. Qëndrimi rus sot nuk është i ngjashëm me mbështetjen për Beogradin siç ka qenë më herët. Problemi është se dikush duhet ta gjejë se çfarë duan rusët, cili është cmimi që ata duan për të tërhequr mbështetjen për Beogradin. Të vetmit që mund ta bëjnë këtë janë njerëzit në Ëashington.
BBC: A mendoni se me ndryshimin e qeverisë në Beograd do të ketë ndryshim edhe të qëndrimit ndaj Kosovës?
Z.Serwer: Nuk mendoj se do të ketë. Qeveria e re në Beograd e ka bërë shumë të qartë se do të mbajë të njëjtin qëndrim ndaj pavarësisë së Kosovës. Ajo nuk do të jetë aq në ankth për të ndërmarrë posaçërisht aktivitete të dhunshme ndaj pavarësimit të Kosovës. Qeveria e mëparshme ishte e përkushtuar jo vetëm për ta parandaluar pavarësimin e Kosovës, por edhe për të përdorur të gjitha mjetet e mundshme, përfshirë edhe ato të dhunshme. Ajo këtë e bëri në mënyrë shumë agresive dhe, sipas meje, ajo nuk u dënua për këtë. Qeveria e re ka të njëjtin qëndrim ndaj pavarësisë së Kosovës por ka një qëndrim krejtësisht tjetër rreth dhunës dhe, në veçanti, një tjetër qëndrim ndaj anëtarësimit në BE. Kjo është arsyeja se pse kushtet për të hyrë në BE janë aq të rëndësishme.
BBC: Kur flasim për dënimet, atëherë cilat duhet të jenë ato për qëndrimin e vazhdueshëm të Beogradit ndaj çështjes së Kosovës?
Z.Serwer: Mendoj se nuk duhet të dënohen njerëzit për qëndrimet por për veprimet. Dhe veprimet e qeverisë së mëparshme të Beogradit duke sulmuar ambasadat dhe duke djegur postet kufitare të UNMIK-ut në Kosovë, këto janë gjëra që kanë merituar veprime më energjike të bashkësisë ndërkombëtare, se sa ndërmorri ajo. Sa i përket qëndrimit, ne duhet të bisedojmë me Beogradin dhe duhet ta bindim atë se serbët, në përgjithësi, do të jenë më mirë sikur të zgjidhet statusi i Kosovës, përfundimisht.
BBC: Tani do të shohim një dialog të Prishtinës dhe Beogradit sipas një plani të zotit Ban Ki Moon. Si e shihni këtë dialog ju?
Z.Serwer: Mendoj se është me shumë rëndësi që Prishtina dhe Beogradi të fillojnë të flasin në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo është një pjesë e rëndësishme e procesit. Ka ende shume çështje që duhet të zgjidhen mes Prishtinës dhe Beogradit dhe tani kur Kosova është një shtet i pavarur, ajo duhet të angazhohet drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të hapur me Beogradin.
BBC: Pra, thjesht, nuk do të shohim një konflikt të ngrirë në Kosovë?
Z.Serwer: Mund të shohim konflikt të ngrirë në Kosovë, por për mua ky është një rezultat i keq dhe jo një rezultat për të cilin ne do të duhej të festonim ose ta kërkonim. Sipas meje ne do të duhej të kërkonim një zgjidhje që shumica e popullit në Kosovë mund ta pranojë dhe kjo nuk e dëmton mirëqenien e serbëve.
(Arbër Vllahiu, BBC)