Drejtoresha me tatuazh

Ishte maji i vitit 2008, kur Jill pati një aksident me makinë në New York, në Manhattan. Ishte një kamion që ia shtypi këmbët dhe i krijoi shumë probleme, por nuk arriti dot që ta ndalonte. Tri vjet pas kësaj tragjedie, Jill Abramson ka marrë në dorë timonin e gazetës më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara dhe ndër më të rëndësishmet në botë, “New York Times”. Ajo është e para grua në historinë e kësaj gazete që zë një post të tillë, të ëndërruar dhe të synuar nga shumë e shumë gazetarë të famshëm.
Rënia dhe ringjallja e saj që nga dita kur pësoi atë aksident të rëndë, e deri ditën kur iu dha detyra më e rëndësishme në redaksi, është e jashtëzakonshme. Në 160 vite të gazetës së famshme dhe prestigjioze, asnjëherë një grua nuk ka qenë në një pozicion kaq të rëndësishëm dhe vendimtar për editorialet dhe vijën drejtuese të një gazete, që bën opinione dhe vendos fate njerëzish dhe shtetesh. Dhe kjo grua vjen në një kohë, kur gazetaria vazhdon që të konsiderohet ende një profesion mashkullor.
Jill është gruaja të cilën nuk mund ta ndalonte asgjë. Nuk e mposhti dot konkurrenca e ashpër dhe e jashtëzakonshme me kolegët e saj meshkuj, të cilët jo gjithmonë ia kanë bërë jetën të lehtë në të shkuarën dhe sigurisht, që do t’i krijojnë sërish përplasje edhe në punën e saj të ardhshme, edhe pse bëhet fjalë për përplasje profesionale dhe normale brenda një vendi pune. Ajo është gruaja që do të pasojë në drejtimin e gazetës drejtorin Bull Keller. Guximin e saj për të synuar dhe për të arritur nuk ia mposhti as mungesa e një përvoje në terrenin ndërkombëtar, që deri më tani është konsideruar tërësisht e rëndësishme dhe kyçe për CV-në e atyre që kanë dashur të jenë në drejtimin e gazetës, që ndryshe njihet edhe me nofkën “Ledy Gri” (Zonja gri).
Nuk është dorëzuar nga problemet personale me familjen, duke qenë se është nëna e dy fëmijëve dhe madje as kamioni që i shkatërroi këmbët nuk e dorëzoi dhe nuk e mposhti. “Unë jam një vajzë njujorkeze”, thotë Jill. “Këtu kam lindur dhe kam mësuar që të mos i druhem asgjëje”.
Jo vetëm që është gruaja e parë drejtoreshë e gazetës së famshme, por është edhe drejtoresha e parë që ka një tatuazh shumë interesant në formën e një medaljoni. Por para se të jetë një grua, një drejtoreshë me tatuazh, e diplomuar në histori dhe me master në biznes, një lundërtare e sigurt dhe e fortë në ujërat e trazuar të “New York Times” me një karrierë që nisi nga zyra e korrespondencës dhe përfundon me zyrën e drejtoreshës, Jill është një gazetare, një “reportere” me vokacionin e një hulumtuese.
Në Washington përjetoi vitet e tmerrshme të periudhës së pas 11 shtatorit të vitit 2001, kur iu kundërvu lajmeve të rreme të rivales së saj Judith Miller, e cila dha të gjitha njoftimet mbi ekzistencën e rreme të armëve të shkatërrimit në masë të Saddamit, që ishte edhe shkaku i luftws. Jill nuk i besonte shumë këto histori të Shtëpisë së Bardhë dhe veçanërisht të nënpresidentit amerikan të kohës, Cheney. Qëndrimi i saj “kundër rryme” e vuri në kundërthënie me shefat kryesorë, drejtorët e gazetës, duke filluar nga Howell Raines e më pas Keller dhe vetë pronarin, Charles Sulzberger, i cili donte ta pushonte nga puna. Sot është pikërisht ky njeri që vendosi promovimin e saj, duke zgjedhur të drejtojë gazetën. Dhe për dallim nga zonjat e tjera, që këto vjet janë duke marrë poste të rëndësishme në piramidën e botës mashkullore të medies 250-vjeçare, Jill nuk ia detyron karrierën dhe pozicionin e saj asnjë burri.
Kjo gazetare 57-vjeçare ka çarë e vetme. Ndërsa të gjitha të tjerat kanë pasur në shpatullat e tyre, kush më shumë e kush më pak, hijen e ndonjë mashkulli të afërt e dashamirës. Kështu Katharine (Kaye) Meyer Graham e kishte trashëguar gazetën “Washington Post” nga bashkëshorti i saj, i cili vrau veten. Sigurisht që ajo pati një meritë të jashtëzakonshme, sepse arriti që ta shpëtonte gazetën nga falimentimi, megjithatë ishte i shoqi që kishte arritur gjithçka më parë. Shohim një tjetër zonjë të fortë të gazetarisë, Arianna Stassinopoulos, ishte gruaja që u martua me miliarderin Huffington, duke krijuar të famshmen “Huffington Post”, sajtin e madh të lajmeve në internet, që u bë i suksesshëm duke u shitur këtë vit për shumën prej 315 milionë dollarësh.
Zonja e re e “New York Times” nuk ia detyron suksesin dhe arritjen e saj, madje as aspektit të jashtëm, të qenit simpatike, apo fotozhenike, që për hir të vërtetës në botën e medies i ndihmon shumë gratë, që të bëjnë karrierë dhe të ngjisin shkallët e pushtetit, famës dhe parasë. Të tillë janë për shembull rastet e Oprah Winfrey, Barbara Walters, Katie Couric, të gjitha të “ndihmuara” fuqishëm nga elementët femërorë, që i kanë përdorur për të bërë përpara në profesion. Jill ndërkohë, jo vetëm që nuk ka sharmin e zonjave të para të gazetarisë televizive, por kurrë dhe asnjëherë nuk ka bërë ndonjë operacion plastik, apo ndërhyrje kirurgjikale estetike, për të ndryshuar pamjen e jashtme e për t’u bërë joshëse. Ajo nuk ka bërë kurrë asgjë për të fshehur moshën e saj, rrudhat, apo edhe probleme të tjera fizike që mund të ketë pasur. E vetmja gjë që i shton pamjes, janë disa fije të arta në flokë, për të bërë thinjat më të pranueshme nga ana estetike. Është në zonjë që gjithmonë ka respektuar moshën, duke përdorur edhe gardërobën e denjë për këtë moshë.
Në zyrën e saj brenda pallatit që ndodhet në bulevardin e tetë, pak blloqe nga vendi ku u shtyp me kamion tri vjet më parë, ajo mban në një vend shumë të dukshëm foton e gruas së parë që u pranua të punonte në këtë gazetë, Mary Taft. Është një foto e vitit 1904. Këtu tani më në fund, pas thuajse 100 vitesh, redaktorja e parë e gazetës së famshme dhe drejtoresha e parë e saj do të mund të qëndrojnë ballë për ballë dhe do të punojnë së bashku, pavarësisht shekullit të gazetarisë që i ndan nga njëra-tjetra. Për Jill, shumë urime. Ka bërë vërtet një rrugë shumë të gjatë.