E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e Thaçit

Hashim Thaçi është i bindur se po e ndjek rrugën e duhur. Opozitën e vlerëson me standardet e tij - të paalternativë dhe të frustruar. Thotë se Presidentja Jahjaga po punon mirë dhe se u gëzohet takimeve të saj të fundit me liderë botërorë. Mohon të jetë izoluar nga ndërkombëtarët. Zhvillimet në PDK i quan profilizim, derisa thekson se kongresi i fundit i partisë ka treguar fuqinë e secilit. Nga Shpend Limoni më 06 qershor 2011 në ora 08:07

Express: Pati vlerësime kryesisht negative nga analistët politikë dhe shoqëria civile për 100-ditëshin e Qeverisë suaj. Si i komentoni ju këto?
H. Thaçi: Qeverisja ime është vazhdimësi e mandatit të dytë, është vazhdimësi e qeverisjes së mirë, efektive dhe efikase, e sundimit të ligjit e perspektivës europiane, e suksesit të konsoliduar si shtet, e forcimit të perspektivës demokratike, multietnike të vendit. Unë angazhimin tim, të qeverisë që e udhëheq nuk e ndaj në njëmujor, dymujor apo tremujor, por në periudhën 3 vjet e gjysmë, megjithëse dua të theksoj se zbatimi apo implementimi i premtimit tim kryesor për rritjen e pagave ka ndodhur vetëm në 30-ditëshin e parë të qeverisë sime në mandatin e dytë, andaj mendoj se kjo është një e arritur e jashtëzakonshme, e cila vlerësohet prej qytetarëve, vlerësohet nga të gjithë. Natyrisht ne jetojmë në demokraci dhe ka pasur edhe zëra hezitues apo kritikë të shkëputur nga një pjesë e opozitës, por e vlerësoj lart edhe të arriturën e Qeverisë së Kosovës që e ka vënë në binarë komunikimin në interes të vendit edhe me opozitën. Tani janë formuar dy komisione që punojnë për reformat elektorale për zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt dhe për reformën e zgjedhjeve të përgjithshme në më shumë distrikte se një zonë elektorale. Mendoj se këto janë të arritura që vlerësohen nga të gjithë dhe mund të them se Kosova është në shumë sfera më përpara se disa vende të tjera të rajonit. Por unë i mirëkuptoj edhe kritikat, zërat kritikë dhe çdo kritikë e arsyeshme e përgjegjshme do të jetë ndihmuese që të punojmë edhe më tepër.

Express: Kur jemi tek opozita, patëm një paraqitje shumë të ashpër të z. Isa Mustafa kundër qeverisjes suaj. Si i përgjigjeni ju z. Mustafa, i cili ju kritikoi fort për 100-ditëshin?
H. Thaçi: Ka pretenduar për të thënë shumëçka, por nuk ka thënë asgjë. Unë nuk dëshiroj të bëj paralele mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe punës së kryetarëve të komunave. Kryetari i Prishtinës është një nga kryetarët e 34-35 komunave të Kosovës. Më tepër ishte një reagim mllefi, jo argumentues, jo profesional dhe i paqëlluar, nervoz dhe agresiv, në kuptimin frustues për suksesin e Qeverisë dhe zhgënjyes për dështimin në Komunë dhe mungesës së vizionit apo alternativës opozitare. Por në çdo rrethanë, është e drejtë e secilit të kritikojë edhe të sulmojë. Unë kam qenë vetë në opozitë dhe zgjedhjet i kam fituar me alternativë për qeverisje të mirë dhe jo me akuza, sharje e shpifje, trillime apo pretendime që nuk përkojnë me realitetin demokratik në Kosovë. Është një reagim i mentalitetit tipik monist në paaftësi për t’u përballur me shumëllojshmërinë e ideve dhe alternativave.

Express: Pikërisht për të njëjtat gjëra ju akuzon juve z. Mustafa. Një akuzë e fortë e tij ndaj jush është se ju po i përndiqni njerëzit e tij duke e përdorur policinë e Kosovës përmes njerëzve të SHIK’ut...
H. Thaçi: Policia e Kosovës është institucioni më i respektuar i gjithë qytetarëve të vendit dhe gjithë faktorit ndërkombëtar, sikurse dhe FSK’ja dhe mekanizmat e sigurisë në Kosovë. Të pretendohet të politizohen këto institucione është më tepër një pretendim dashakeqës, një pretendim që nuk është në interesin e askujt, as të pozitës, e as të opozitës. Është obligim i secilit lider politik, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë, të distancohet nga e keqja dhe jo me motive politike të mbrojë të keqen.

Express: Me z. Mustafa i keni pasur edhe disa momente të mira, e kam fjalën për periudhën kur u bë marrëveshja për Presidenten. Pse u lejua një person pothuaj anonim të hyjë në zyrën kryesore të shtetit. A i keni nënçmuar qytetarët e Kosovës me përzgjedhjen e saj?
H. Thaçi: Unë dëshiroj të theksoj se ka qenë një përkushtim i përbashkët për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët pozitë-opozitë. Mendoj se kjo është një frymë konstruktive dhe e përgjegjshme dhe në këtë rast shpreh edhe vlerësimin tim edhe për z. Mustafa, edhe për sjelljen burrështetase të z. Pacolli, për gjetjen e një emri të përbashkët, personaliteti të përbashkët, kësaj radhe të zonjës Jahjaga për Presidente të Republikës së Kosovës. Kështu që është një kontribut i përbashkët i ne të treve që kemi qenë në takim, por është edhe një mirëkuptim nga opinioni i përgjithshëm kosovar nga kjo që shihet. Presidentja e ka filluar punën mirë, është prezente në botën e diplomacisë, është aktive, është mbi çdo parti. Po përpiqet dhe po luan rolin solid të kultivimit të unitetit qytetar dhe politik.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në Express...

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›