Drejtorët e Bashkisë së Vlorës i binden ultimatumit të kryeministrit, dorëzojnë brenda pak orësh të gjitha dorëheqjet

Kryeministri Edi Rama ka shfaqur sërish rezerva për menaxhimin e qytetit të Vlorës nga Bashkia, ndërsa këtë herë ka kërkuar ristrukturim total të këtij institucioni, duke përfshirë të gjitha drejtoritë.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, gazetarja e RTSH, Afrovita Hysaj, mëson se Rama ka prezantuar edhe komisionet që do të angazhohen në ristrukturim. Komisioni i parë do të kujdeset për ristrukturimin dhe mbledhjen në terren të problematikave, si dhe raportimin e tyre në Bashki çdo të hënë. Komisioni do të ketë në përbërje deputeten e sapozgjedhur Zamira Sina dhe kandidatët Evis Alushi dhe Briseida Çakërri.
Ndërsa emrat e rinj të drejtuesve do të vendosen nga një tjetër komision i përbërë nga drejtuesi politik i qarkut, Bledi Çuçi dhe Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu.
Kryeministri Rama ka kërkuar gjithashtu dorëheqjet e drejtorëve të drejtorive me varësi nga qendra, për të cilat është angazhuar Piro Vengu. Ky i fundit ka sqaruar se një pjesë e dorëheqjeve janë dorëzuar, ndërsa pjesa tjetër pritet në ditët në vijim.
Gjatë vizitës në Bashki, Rama ka lajmëruar gjithashtu edhe emrat e rinj për kryetarë të Partisë Socialiste për Vlorën pas largimit të Admir Malajt. Kryetar i degës së PS-së në Vlorë është emëruar ish-kandidati Klevis Kaso, ndërsa bashkëkryetare e komanduar do të jetë deputetja e sapozgjedhur Erjona Ismaili.
Drejtorët e Bashkisë së Vlorës që janë dorëhequr pas takimit të kryeministrit Rama në ambientet e kësaj bashkie:
- Zambak Selmanaj, Drejtor i Infrastrukturës dhe Urbanistikës;
- Olsi Durrolli, Drejtor i Përgjithshëm i Ekonomisë;
- Dorjan Demiri, Drejtor i Përgjithshëm Juridik;
- Kozma Mali, Drejtor i Financave;
- Jovan Jaupaj, Drejtor i Aseteve;
- Arlinda Tepelena, Drejtore e Turizmit;
- Dorjan Xhelili, Drejtor NSHP;
- Francesko Tozaj, Drejtor i Pastrimit;
- Endri Rrokaj, Drejtor i Gjelbërimit;
- Anila Hitaj, Drejtore e Shtëpisë së Foshnjës;
- Irena Stasa, Drejtore e Shërbimeve Sociale pranë Bashkisë;
- Elida Grabova, drejtore e Shtëpisë për Personat me Probleme Mendore;
- Lorela Ballaj, Drejtore e Shtëpisë se Fëmijëve me Aftësi të Veçanta;
- Sokol Kananaj, Drejtor i Tatimeve pranë Bashkisë;
- Ardian Vreshtazi, Drejtor i Emergjencave Civile;
- Sokol Toto, Drejtor Teatri Petro Marko;
- Genci Demiraj, Drejtor i Pallatit të Kulturës;
- Laura Brinja, Drejtore e Burimeve Njerëzore;
- Igli Zahaj, Drejtor i IMT;
- Emiljano Ismalili, Drejtor i Policë Bashkiake;
- Elona Merkaj, Drejtore e Pallatit të Sportit.
/rtsh.al/