Rama “mobilizon” deputetët e Tiranës, ndan grupet e punës dhe kërkon praninë e tyre në terren

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte (4 korrik) një tjetër mbledhje me deputetët aktualë dhe të zgjedhur të Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, si dhe me përfaqësues të bashkisë.
Takimi u organizua pasi një pjesë e deputetëve munguan në mbledhjen e një dite më parë për shkak të seancës plenare në Kuvend.
Në fokus të diskutimeve ishte nevoja për një angazhim më të madh në terren, me qëllim mbledhjen dhe adresimin e problematikave në çdo njësi administrative të kryeqytetit. Kryeministri kërkoi që përfaqësuesit politikë të jenë pranë qytetarëve dhe të bashkëpunojnë ngushtë me pushtetin vendor për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre.
Gjatë takimit, Rama ndau disa grupe pune, që do të fokusohen secili në një zonë të caktuar të Tiranës. Detyra e tyre do të jetë evidentimi i problematikave në komunitet dhe ndjekja e zgjidhjes së tyre në bashkëpunim me strukturat vendore.
Ndër grupet e ndara të punës, paraprakisht hapësirat publike do të kenë në krye Ogerta Manastirliun dhe Anuela Ristanin, Blendi Gonxhja dhe Enton Punavija do të jenë në krye të çështjeve të trafikut, ndërsa financat do të mbikëqyren nga Petrit Malaj dhe Delina Ibrahimaj.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu nevojën për bashkim forcash mes deputetëve aktualë dhe të zgjedhurve më 11 maj, duke kërkuar angazhim dhe koordinim të ngushtë për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/