E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtorët e bashkisë së Tiranës: Ky institucion nuk përfaqëson më qytetarët, tërhiqemi

Tashmë të gjithë drejtorët e bashkisë së Tiranës kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme. Ata kanë dhënë edhe arsyet e tyre me anë të një letrë për dorëheqjen, duke thënë se bashkia e Tiranës tashmë nuk përfaqëson qytetarët, por pushtetin dhe interesat politike.

Më poshtë është letra e plotë e drejtuesve të bashkisë që kanë dhënë dorëheqjen dhe emrat e tyre:

Në gjithë këto vite pune pasionante, me përkushtim e profesionalizëm, falë edhe një lidershipi frymëzues, kemi shënuar të gjithë së bashku, rezultate të jashtëzakonshme, duke transformuar rrënjësisht kryeqytetin dhe krijuar një institucion publik, të standarteve europiane, Bashkinë e Tiranës. Në këtë institucion, kemi gjetur forcën për t`u përballur, me çdo sfidë të ndryshimit e zhvillimit të Tiranës, në rradhë të parë, falë faktit që na janë garantuar të gjitha kushtet, për të punuar gjithnjë, si shërbëtorë të qytetit e të qytetarëve, asnjëherë si rrogëtarë të zgjedhur, përmes lidhjesh politike dhe të varur prej interesave e orekseve të politikës.

Këto kushte, të domosdoshme për një institucion, të ngritur mbi meritokracinë dhe respektin për vlerat e aftësitë e çdo individi, siç ishte në gjithë këto vite Bashkia e Tiranës, nuk ekzistojnë më. Fatkeqësisht, nuk ekziston më, as themeli moral, mbi të cilin ngrihet çdo institucion i pushtetit vendor, si shprehje e zgjedhjes së lirë e të ndershme të qytetarëve, të cilëve u shërben. Bashkia e Tiranës nuk përfaqëson më qytetin dhe qytetarët, por pushtetin politik, të tjetërsimit të vullnetit të tyre.

Me krenari për shërbimin e kryer deri këtu, ndaj qytetit tonë, me nderim për çdo qytetar, të cilit kemi pasur privilegjin t`i shërbejmë dhe me keqardhje, për pamundësinë që të vazhdojmë punën, nën një lidership pa legjitimitet moral, pavarësisht mbrojtjes që na ofron ligji, për të qëndruar në pozicionet tona, si nëpunës të shërbimit civil dhe shtetit, ne i deklarojmë opinionit publik, dorëheqjen tonë të parevokueshme nga detyra.

Drejtuesit e dorehequr:

Dritan Agolli Administrator i Përgjithshëm

Majlinda Dhuka      Drejtor i Përgjithshëm

Sonila Qato         Drejtor i Përgjithshëm

Albana Kociu        Drejtor i Përgjithshëm

Viola Haxhiademi    Drejtor i Përgjithshëm

Irfan Dashi         Drejtor i Përgjithshëm

Arben Seferaj       Drejtor i Përgjithshëm

Androkli Kokthi     Drejtor i Përgjithshëm

Pal Doçi            Drejtor i Përgjithshëm

Joana Bushi         Drejtor Drejtorie

Flutura Pulaci      Drejtor Drejtorie

Enton Punavija      Drejtor Drejtorie

Afrim Qëndro        Drejtor Drejtorie

Kujtim Spahiu       Drejtor Drejtorie

Anila Shehu         Drejtor Drejtorie

Hantin Bonati       Drejtor Drejtorie

Ogerta Manastirliu  Drejtor Drejtorie

Migena Vishko       Drejtor Drejtorie

Julian Zanaj        Drejtor Drejtorie

Zyhdi Dajti         Kryeinspektor i Policisë Bashkiake

Ardit Kaja          Kryeinspektor i Inspektoriatit Ndërtimor

Ndërkohë, më parë kanë dhënë dorëheqjen dy nënkryetaret e Bashkisë së Tiranës Albana Dhimitri dhe Vali Bizhga, Drejtoresha e Kabinetit Belinda Balluku si dhe të gjithë anëtarët e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›