INTERVISTA PA DORASHKA/ Ambasadori danez: Kam qenë pranë vdekjes disa herë, militantët i jepnin makinës në mënyrë moskokëçarëse në Bllok
SHENIM: Dy herë kemi botuar ekstrakte nga intervista pa dorashka e ambasadorit danez në Tiranë, herën e parë për çështjen e Piramidës dhe herën e dytë për numërimin e votave në Tiranë. Kjo është intervista e plotë e tij, një intervistë e fortë, me nota të qarta kritike.
Nga: Ervin Qafmolla, MAPO
Vetë shqiptarët mund ta bëjnë Shqipërinë një histori suksesi evropiane. Ky duket të jetë mesazhi qendror që ambasadori danez në Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen hedh në këtë intervistë ekskluzive, e cila mund të konsiderohet pa rezervë si e bujshme. Zoti Jensen fokusohet në të gjithë listën e problemeve dhe krizave që po e mbajnë vendin tonë larg Europës. Ai e bën këtë me një gjuhë të hapur dhe jashtë formatit klasik të diplomatit
Si e shikoni perspektivën e Shqipërisë në të ardhmen, pas tre vitesh këtu, dhe si përfaqësues i presidencës së ardhshme të BE-së në Janar të vitit tjetër?
Shqipëria është një vend shumë i bekuar: me një natyrë të bukur, me bollëk burimesh natyrore, me klimë të mrekullueshme, me popullsi të arsimuar, të palodhur, jashtëzakonisht mikpritëse dhe miqësore. Shanset për sukses, pasuri dhe lumturi janë nga më të mirat në Europë. Sikurse e kam thënë publikisht më parë, kam besim të patundur se Shqipërisë me të vërtetë që nuk i mungon asgjë për tu shndërruar në një histori të suksesshme europiane. Shqipëria mund të jetë Estonia e Europës Jugore: Në kohë rekord, të jetë në gjendje të kapërcejë nga varfëria në begati.
Por, Shqipëria gjithashtu, duket sikur është e mallkuar, me një gen vetëshkatërrues. Nuk di si ta përshkruaj ndryshe. Kjo është menjëherë e dukshme për shumë të huaj. Nocioni se për të fituar vetë duhet të shkatërroni armikun, se shkatërrimi është rruga e duhur, mendoj se është një mendësi tepër unike e klasës politike shqiptare, e cila po bllokon përparimin. Në shumicën e vendeve përparimi vjen nga ndërtimi mbi arritjet e të kaluarës; nga kuptimi i të mirës së përbashkët dhe interesit kombëtar; nga të pranuarit se, nëse kontribuoni për ta bërë tortën më të madhe për shoqërinë, edhe feta juaj do të jetë më e madhe. Megjithatë, koncepte të tilla, edhe nëse janë dëgjuar ndonjëherë, janë të rralla në debatet politike shqiptare.
Në të vërtetë mendoj se ka ardhur koha që shqiptarët t´i bëjnë vetes një pyetje ekzistenciale: Përse tashmë nuk jemi një anëtar i suksesshëm dhe i begatë i BE-së? Përse ne shqiptarët nuk jemi aty ku estonezët janë sot?
Për një vëzhgues të jashtëm, përgjigjja fatkeqësisht është e drejtpërdrejtë: Gjatë 20 viteve të fundit politikanët estonezë kanë bërë vazhdimisht zgjedhjet e duhura në interes të kombit të tyre. Politikatët shqiptarë në shumicën e rasteve kanë bërë zgjedhjet e gabuara.
Është koha, sa nuk është vonë, që ky model të prishet. Shqiptari i thjeshtë nuk meriton më pak. Nëse ndodh, jam i bindur se zelli dhe vrulli i jashtëzakonshëm i popullit shqiptar do të bëjë që ai të fitojë të paktën ca nga koha e humbur.
Por shumë shqiptarë pyesin se përse ndërkombëtarët nuk luajnë një rol shumë më aktiv. Duket sikur kritikat vijnë në rritje për rolin e ndërkombëtarëve. Dukeni sikur nuk i përmbushni pritshmëritë apo edhe më keq sikur i përkeqësoni çështjet kur veproni.
Më duhet të shpreh atë që në të vërtetë është një fakt i qartë: Shqipëria është një vend sovran. Pikë. Votuesit shqiptarë vetë i zgjodhën ata që duan ti përfaqësojnë. E vërteta është se zgjedhjet nuk përmbushën standardet europiane, por në përgjithësi politikanët shqiptarë janë ata që elektorati shqiptar i vendosi vetë atje.
Ajo që mund të bëjmë dhe po bëjmë ne ndërkombëtarët është të japim këshilla, ndihmë dhe të këmbëngulim në përmbushjen e angazhimeve të marra më parë. Nëse politikanët apo populli shqiptar, nuk dëshiron të veprojë sipas këshillave tona, apo ta përdorë ndihmën në mënyrë efektive, atëherë me të vërtetë që nuk na mbetet shumë për të bërë, për ti shtyrë gjërat përpara.
Fatkeqësisht ne nuk kemi një shkop magjik si Harri Poter. Fuqitë tona janë kryesisht negative. Dhe çdokush heziton të gërmojë në atë arsenal, sepse mund të preken të pafajshmit. Dhe Zoti e di që populli shqiptar ka vuajtur shumë më tepër seç i takonte. Prandaj ndërkombëtarët përpiqen shumë më tepër, me të vërtetë.
Por mesazhet e ndërkombëtarëve janë shpesh të mbështjella me gjuhë diplomatike, aq sa është e vështirë për ata që nuk janë diplomatë, ta kuptojnë se çfarë ata duan të thonë në të vërtetë. Përse, të paktën, nuk flisni në atë mënyrë që njerëzit ta kuptojnë?
Nga njëra anë jemi të ftuar në këtë vend. Asnjë i ftuar nuk dëshiron të ofendojë të zotin e shtëpisë. Për më tepër në Shqipëri, ku ndërkombëtarët, përshëndeten më një ngrohtësi dhe mikpritje të jashtëzakonshme nga të gjitha anët.
Nga ana tjetër, Shqipëria kërkoi të bëhej një kandidat për tu anëtarësuar në BE, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, dhe qeveritë pasardhëse kanë nënshkruar marrëveshje, duke premtuar përmbushjen e disa standardeve të caktuara. E tërë kjo, besoj, e ka mbështetjen e të gjithë popullit shqiptar.
Prandaj, ne ndërkombëtarët, për mendimin tim, kemi një detyrim, të themi qartë se çfarë i duhet Shqipërisë, dhe popullit shqiptar për të arritur qëllimin e tij. Dhe mendoj, se ne të gjithë përpiqemi, me terma të paprecedentë, të paktën sipas standardeve diplomatike. Por, siç duket, nuk funksionon. Përfundimi im pas tre vitesh këtu është se duhet thënë e vërteta e lakuriq, që të ndihmosh realisht. Edhe nëse rrezikon që ndoshta të ofendosh të zotin e shtëpisë.
Zoti ambasador, cilat janë disa nga të vërtetat lakuriqe, për të cilat folët?
Njëra është gjendja e mjerueshme e sektorit publik, pas 20 vitesh përpjekje ndërkombëtare. Taksapaguesit europianë kanë shpenzuar shuma të jashtëzakonshme parash, vetëm BE, si institucion më vete, 40 milionë Euro. Po ashtu, kohë dhe përpjekje të qeverive të shumta të vendeve anëtare të BE-së, institucioneve, individëve, etj. për të ndihmuar Shqipërinë të ndërtojë një sektor publik mirëfunksionues.
Përse? Sepse një sektor publik modern, profesional dhe efektiv, është absolutisht thelbësor për një vend, që të përmbushë standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare. Pa të, ka pak ose aspak shanse që Shqipëria të përmbushë kriteret për anëtarësim në BE, ndoshta as për statusin e kandidatit në një afat të shkurtër apo të mesëm. Në botën e sotme, një sektor publik efektiv është thelbësor për të ecur përpara.
Por, akoma ky mesazh nuk duket se po kuptohet apo merret seriozisht. Pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, LSI kërkoi dhe mori 20% të të gjitha pozicioneve publike. Shumë njerëzve të kualifikuar dhe me eksperiencë iu desh të largoheshin nga puna e tyre, për ti bërë vend, në shumë raste, militantëve më pak të kualifikuar. Kur opozita është në pushtet, vihet re një model i ngjashëm.
Le të shohim faktet: Përveç ndihmës shumëvjeçare ndërkombëtare, sektori publik shqiptar ndodhet në një pozicion, ku mund të pretendohet rekordi botëror për qarkullimin e personelit, ku vetëm 5% e punonjësve janë nëpunës civilë. Apo e thënë ndryshe, një shumë prej 5% janë pjesë e një sistemi profesional të përhershëm që siguron vazhdimësi, cilësi e stabilitet. Imagjinoni një spital me një përbërje dhe normë qarkullimi të ngjashme. Do të donit të ishit pacient aty?
Deficiti në këtë fushë vendimtare jetësore është nga arsyet kryesore, se përse Shqipëria ka mbetur pas të gjithë fqinjëve të saj (përveç Kosovës), me rrezikun real që tani mund të mbetet prapa. Ndoshta edhe për të ruajtur arritjet që ka në të kaluarën.
Dhe më duhet të them se kjo, gjitha