E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtori i Zyrës së BERZH në Tiranë: Asnjë vend nuk ka ndryshuar kaq shumë pozitivisht sa Shqipëria, në këto vite

Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim Drejtorin e ri të Zyrës së BERZH-it në Tiranë, zotin Daniel Berg. Kryeministri i uroi zotit Berg suksese në detyrën e tij të re, duke u shprehur se qeveria shqiptare sheh tek BERZH një partner shumë të mirë, me të cilin janë realizuar dhe do të realizohen më shumë projekte të rëndësishme.

Kryeministri e njohu zotin Berg me reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria dhe me objektivat në të ardhmen. Kryeministri vlerësoi si sektorë prioritarë e me interes për bashkëpunim me BERZH-in , sektorin energjetik, të infrastrukturës, sektorin privat në përgjithësi, etj. Zoti Berisha theksoi se synimi i qeverisë dhe fokusi i saj në sektorin e energjisë është diversifikimi i burimeve të energjisë për të zhdukur varësinë e madhe nga burimet ujore. Në këtë kuadër, investimeve në hidrocentrale po u shtohen edhe investimet në TEC-e, investimet në impiante të energjisë së erës dhe të energjisë diellore. Bashkëpunimi dhe kontributi i BERZH-it në këtë sektor është i mirëpritur, tha ai.

Gjithashtu, Kryeministri i prezantoi Drejtorit te zyrës së BERZH në Tiranë investimet në fushën e transportit rrugor dhe detar, si dhe në fusha të tjera të ekonomisë, çimentos etj. Kryeministri përmendi edhe dhe reformat fiskale dhe rritjen e madhe të investimeve dhe interesit të investitorëve vitin e fundit. Sektori i turizmit gjithashtu, me bum-in që njohu këtë vit, është një sektor që do të zhvillohet në vitin në vazhdim me ritme të shpejta, vijoi Kryeministri.

Nga ana e tij, zoti Berg e njohu Kryeministrin me synimet e zyrës së BERZH-it në Tiranë, të drejtuar prej tij. Ai tha se vinte në Shqipëri pas 12 vjetësh dhe se vizita e tij e parë kishte qenë si turist. Zoti Berg theksoi se asnjë vend nuk ka ndryshuar kaq shumë pozitivisht sa Shqipëria në këto vite. Ai tha se, bazuar në ato çfarë po sheh në këto ditë të para në Shqipëri, si dhe nga prezantimi i situatës ekonomike nga ana e Kryeministrit, zhvillimi ekonomik i Shqipërisë dhe objektivat e BERZH-it shkojnë në të njëjtën linjë. Interesi i BERZH-it për projektet e reja që do të prezantojë dhe financojë, fokusohet në sektorin energjetik, infrastrukturë dhe partneriteti me sektorin privat. Ndër projektet e afërta të përmendura prej tij ishte disbursimi i parave për TEC-in e Vlorës që tashmë ka filluar, projekte me kompanitë Euromax dhe Fabrikën eÇimentos Ital Cement, projekti për rrugën Levan –Vlorë, etj Drejtori i Zyrës së BERZH në Tiranë nënvizoi se interesi i kësaj banke është i madh në privatizimin e sistemit të shpërndarjes së KESH-it, për portin e Shëngjinit, si dhe investime në akse të tjera rrugore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›