E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon një grup parlamentarësh të parlamentit të Estonisë

Kryeministri Berisha priti sot, një grup parlamentarësh të parlamentit të Estonisë, anëtarë të grupit parlamentar të miqësisë Estoni – Shqipëri, të kryesuar nga zoti Rain Rosimannus.

Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me ecurinë e reformave të ndërrmarra nga qeveria shqiptare në fusha të ndryshme, si në ekonomi, shëndetsi, arsim, etj. Kryeministri bëri një ekspoze të përpjekjeve dhe arritjeve të qeverisë në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kundër informalitetit, si dhe për realizimin me sukses të reformës fiskale. Gjithashtu kryeministri Berisha vlerësoi se përparësi absolute e angazhimit të qeverisë shqiptare mbetet integrimi i vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Kryeministri Berisha paraqiti për bashkëbiseduesit edhe një seri masash të ndërrmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të shndërrimit të Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja.Kryeministri theksoi se dy vitet e fundit është rritur mjaft interesi i kompanive të huaja, të rëndësishme për të investuar në vendin tonë. Në kuadër të këtyre masave, Kryeministri përmendi nismat për lehtësimin e burokracisë për biznesin, si krijimin e One Stop Shop, i cili do të shkurtojë kohën e regjistrimit të bizneseve nga 42 ditë në një ditë, vendosjen e taksës së sheshtë, etj.

Nga ana e tij, duke falenderuar kryeministrin për mikëpritjen, Zoti Rosimannus vlerësoi punën e qeverisë shqiptare në realizmin e reformave të ndërrmarra, si dhe hapat e hedhura në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur integrimin e plotë të Shqipërisë.

Bashkëbiseduesit vlerësuan se thellimi i bashkëpunimit të mëtejshem në të ardhmen, do të jetë tepër pozitiv për të dy vendet.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›