E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Altina Tomorri u flijua në emër të vlerave më të larta njerëzore

Kryeministri Berisha vizitoi sot familjen Tomorri në Velmisht të Roskovecit, për të shprehur ngushëllimet për humbjen e jetës së Altina Tomorrit në përpjekje për të shpëtuar disa turistë gjatë zjarreve të rëna në Greqi.

Kryeministri ndau me familjarët dhembjen e thellë për humbjen e njeriut të tyre të dashur, duke e vlerësuar këtë një akt fisnik në emër të vlerave më të larta njerëzore. Kryeministri tha se qeveria do t'i gjendej pranë dhe do të ndihmonte familjen dhe dy fëmijët e saj.

"Altina u flijua në mënyrë shumë tragjike, por u flijua në emër të vlerave më të larta morale të njeriut, të shpëtimit të jetës së të tjerëve. Ajo shkoi drejt zjarrit, e bindur se do të shpëtonte jetë njerëzish dhe humbi jetën e saj. Është një ngjarje dhe vendim vetëmohues, që i lë nder të madh familjes, rrethit të saj, Shqipërisë dhe shqiptarëve. Familja ka sot dhimbje shumë të madhe, por ajo ka lënë dy fëmijë të mrekullueshëm, Erikën dhe Orlandon. Natyrisht ata do të kenë kujdesin e familjes në radhë të parë, por edhe kujdesin e mbarë shoqërisë," u shpreh Kryeministri.

Qeveria, tha më tej Kryeministri, do të japë një ndihmë për familjen, sikundër do të interesohet edhe në Greqi për të gjitha problemet që duhen zgjidhur.

Çdo shqiptar, tha Kryeministri, do të donte të ishte sot pranë jush, t'ju shprehte vëllazërisht ngushëllimet, tha Kryeministri.

Familjarët e Altinës falënderuan Kryeministrin që u gjendej pranë në këtë moment dhimbjeje dhe u shprehën se ndjehen krenar se jeta e Altinës shkoi për të shpëtuar jetë të tjera. Vizita juaj na jep kurajo dhe forcë të kalojmë dhimbjen, u shprehën ata.

Në këtë vizitë, Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Punës,Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Kosta Barka.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›