Kompania sllovene Energo Gora, investime rreth 90 milion euro në fushën energjetike
Kryeministri Berisha priti në zyrën e tij përfaqësues të kompanisë sllovene Energo Gora. Kjo kompani ka dorëzuar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës projektin për ndërtimin e pesë hidrocentraleve të vogla, me kapacitet 50 megavat, investim me vlerë rreth 60 milion euro. Përfaqësuesit e kompanisë u shprehën se gjejnë në Shqipëri një mjedis shumë pozitiv për të investuar, prandaj dhe synojnë realizimin e projekteve të tjera. Ata i shprehën Kryeministrit interesin e kompanisë për ndërtimin e një termocentrali me fuqi 95 megavat në zonën industriale të Porto Romanos, një investim me vlerë rreth 30 milion euro.
Kryeministri Berisha falënderoi kompaninë për interesin e tyre për të investuar në Shqipëri dhe siguroi se qeveria do të mbështesë dhe asistojë realizimin e projekteve në fushën energjetike. Kryeministri theksoi se rritja e interesit të biznesit ndërkombëtar për të investuar në Shqipëri dëshmon për një klimë gjithnjë e më të favorshme për investimet.