Drejtori për Evropën në MPJ-në e Francës: Franca mbështet fuqishëm integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian
Kryeministri Berisha priti sot pasdite, në një takim të përzemërt, z. Roland Galharague, Drejtor për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës. Në takim merrte pjesë edhe Ambasadorja e Francës në Shqipëri znj. Maryse Daviet.
Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen z. Galharague, duke shprehur kënaqësinë e tij që Ministria e Jashtme franceze ka zgjedhur pikërisht Shqipërinë, si vendin ku do të mbahet takimi i Ambasadorëve të Republikës franceze në Ballkan.
Drejtori për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës theksoi se ndihej i privilegjuar që ndodhej në Shqipëri , si përfaqësues i Ministrisë së Jashtme franceze në këtë takim, i cili zhvillohet në Shqipëri, edhe për faktin se Shqipëria ka njohur një zhvillim të jashtëzakonshëm gjatë viteve të fundit.
Zoti Galharague i shprehu Kryeministrit Berisha urimet më të përzemërta për fitoren në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke theksuar se këto zgjedhje janë një fitore, jo vetëm për Kryeministrin Berisha dhe Partinë Demokratike, por për Shqipërinë dhe zhvillimin e saj, zhvillim i cili është i njohur tashmë në sytë e mbarë komunitetit ndërkombëtar.
Drejtori për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, z. Galharague, përgëzoi Kryeministrin Berisha për koalicionin e qeverisë së re, duke vlerësuar se ky koalicion do t’i garantojë Shqipërisë stabilitet dhe zhvillim.
Kryeministri Berisha u shpreh se arritja më e madhe e këtij procesi zgjedhor, ishte se ato u bazuan në një infrastrukturë të re zgjedhore. Një meritë të madhe këtu ka kompania franceze e prodhimit të Kartave të Identitetit, e cila ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe ka dhënë një kontribut të vyer në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Kryeministri u shpreh se qeveria e tij, edhe në mandatin e dytë, do të vazhdojë me vendosmëri reformat dhe projektet e nisura, pa humbur kohë, si dhe do të implementojë reformat që çojnë Shqipërinë drejt projektit më madhor të shqiptarëve, integrimin në BE.
Drejtori për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, z. Galharague, u shpreh se Franca mbështet fuqishëm integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu, z. Galharague, theksoi se, së shpejti, Ministri i Jashtëm francez, z. Kushner, do të vizitojë Shqipërinë, në krye të një delegacioni industrialistësh të mëdhenj francez. Ky rast, theksoi ai, do të jetë një mundësi e shkëlqyer për t’i dhënë një tjetër mbështetje integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe për të forcuar lidhjet e bashkëpunimit mes industrialistëve francezë dhe Shqipërisë.
Kryeministri Berisha u shpreh se ai dhe qeveria që kryeson do të mbështesin dhe inkurajojnë investimet franceze në Shqipëri, në mënyrë që ato të jenë sa më të suksesshme.
07/07/2009