E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Brace:Niveli i varfërisë në shifra alarmante

"Masaker sociale" e cilësoi Brace shifrën prej 331 të vetëvrarëve në vitin 2008, ndërkohë që për 12 ditët e para të këtij viti 16 shqiptarë i kanë dhënë fund jetës për shkak të krizes ekonomike dhe mungesës së perspektivës. 

TIRANE- Nënkryetari i grupit kuvendor socialist Erion Brace akuzoi qeverinë dhe kryeministrin se me varferinë e skajshme po i shtyn shqiptaret drejt vetevrasjes. Masaker sociale e cilësoi Brace shifrën prej 331 të vetëvrarëve në vitin 2008, ndërkohe që për 12 ditët e para te këtij viti 16 shqiptare i kanë dhënë fund jetës për shkak të krizes ekonomike dhe mungesës së perspektivës.

Selia rozë ka shprehur shqetësim në lidhje me numrin e të vrarëve e të të vetëvrarëve në ditët e para të këtij fillim viti. Përmes një deklarate për mediat , deputeti Erjon Brace ka thënë se “që në 12 ditët e para të Janarit, 16 vetëvrasje kanë ndodhur duke paralajmëruar një masakër të re vjetore” “Vetëm, të dielën dhe dje, janë 5 viktima, një 55 vjeçar në burg, një fëmijë 14 vjec në shtëpi, një nënë e dy fëmijëve në Vjosë, një tjetër nënë në shtëpinë e saj”.
Brace është shprehur se kryeministri Berisha në vend që të merret me llogaritjen e shifrave të rreme të rritjes ekonomike, duhet të hedhë sytë mbi disa shifra të tjera, që kanë të bëjnë me numrin e Shqiptarëve të cilët i kanë dhënë fund jetës, për shkak të kushteve të vështira të jetësës. “Për vitin 2008, kur rritja ekonomike sipas Berishës ka qenë me 2 numra, numri i shqiptarëve, që i dhanë fund jetës, si zgjidhje për t’i shpëtuar vuajtjeve të varfërisë është me 3 numra”- tha Brace.
Partia Socialiste e ka konsideruar këtë situatë si një masakër të përbindshme sociale e cila duhet të rëndojë në kurrizin e atyre që na qeverisin. “Raporti i kësaj masakre është 1 shqiptar në ditë, 1 i vetëvrarë në çdo 1000 shqiptarë, ose për ta kuptuar përmasën e kësaj masakre dua t’ju kujtoj se në 10 ditë lufte në Gaza bombardimet pa kufij, u vranë 300 persona. Ne jemi në paqe këtu”- ka vazhduar më tëj deputeti Brace nga selia e PS-së.
Sipas Braces, “Kryeministri në vend që ti numërojë elektronikisht këta njërëz duhet të kishte menduar ti numëronte ekonomikisht, ti përfillte humanisht si të punësuar, si familjarë, si shtetas të lirë që lëvizin lirisht në Evropë”.
Partia socialiste e ka mbyllur deklaratën duke i atribuar Kryeministrit Berisha dhe qeverisë të gjitha shkaqet e të ashtuquajturës masakër sociale, dhe duke konsideruar si të vetmen zgjidhje largimin e Berishës nga pushteti.

(e.n / Balkanweb )



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›