E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fluks i madh i qytetarëve gjen qeverinë të papërgatitur për kartat

>Berisha inspekton njësitë bashkiake dhe jep garanci për të rregulluar procesin e pajisjes me dokumentin e identitetit.
Një fluks i madh qytetarësh janë vënë re dje pranë njësive bashkiake të kryeqytetit për të aplikuar për kartat e identitetit. Mijëra qytetarë janë dyndur që në mëngjes drejt zyrave të postave për të vërë pagesën fillestare prej 12 mijë lekëve për pajisjen me karta identiteti. Fluksi i madh i qytetarëve ka bërë që 4000 kuponët e dhënë nga firma për filialet e postës të ishin të pamjaftueshëm për ecurinë normale të procesit gjatë paradites. Brenda orës 08.30 minuta në zyrat postare nuk ka pasur më asnjë kupon. Vetë kryeministri Berisha i cili vizitoi dje njësinë bashkiake numër 3 dhe 4 të Tiranës për të parë nga afër procesin e aplikimit pranoi problemet që ishin hasur. Ai justifikoi mungesën e kuponave me ditën e parë të fillimit të këtij procesi ndërsa shtoi se do të nxirrej mësim nga kjo ditë.  Garantojmë se shteti do ti përgjigjet me seriozitet dhe do ta cojmë deri në fund edhe me sukses këtë proces shtoi kryeministri Berisha. Është një moment shumë i rëndësishëm, pasi vendoset në një sistem nga më modernët sot në botë, identiteti i qytetarëve shqiptarë, vazhdoi Kryeministri Berisha, duke shtuar se qytetarët e këtij vendi pajisen me dokumenta të një cilësie shumë të lartë, duke i lejuar të lëvizin të qetë për sa i përket identitetit të tyre në të gjithë botën.
Do ta quaja këtë proces mision për mundësimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare me infrastrukturën më moderne të identifikimit të zgjedhësve, listat elektronike, sistemin tërësor të ri të adresave dhe dokumentet elektronike. Këto janë detyrimet e qeverisë para vendit, para shoqërisë, vlerësoi Kryeministri. Natyrisht, vijoi më tej Kryeministri, më duhet të them këtu që ata që për afro 3 vjet e gjysmë ndërtuan alternativën e tyre mbi boshin dhe mashtrimin, qershori për ta do të jetë dëshpërues, por kjo është çështja e tyre.   Më pas Kryeministri iu përgjigj interesit të medias lidhur me procesin. "Është vetëdije e lartë e qytetarëve për rëndësinë e këtyre dokumenteve. Me këto dokumente qytetari shqiptar barazon veten në aspektin e identifikimit me të gjithë qytetarët europianë. E vërteta është se ne kemi përzgjedhur dokumentin ose teknologjinë më të avancuar që ekziston sot në Europë"-tha Berisha. Natyrisht, tha ai,- në çdo orë dhe në çdo ditë nxirret mësim, nëse ka probleme. Ju nuk mund të prisni që aplikimi i parë të ketë shpejtësinë maksimale të aplikimeve, por shteti dhe e gjithë administrata është e vendosur ta mbështesë fuqishëm procesin. Janë krijuar 40 qendra dhe në rast nevoje mund të shkojnë në 60 apo 70 qendra ndihmëse vetëm në funksion të shpejtimit të këtij procesi. Por përshëndes qytetarët për interesin e tyre. Është një nderim i madh që i bëjnë vetes së tyre për të patur dokumentin që meritojnë, por është edhe një kontribut real i secilit prej tyre në modernitetin e kësaj shoqërie, të këtij vendi dhe ky është një rast i veçantë për çdo njeri. "Sigurisht që posta do të ketë shumë më tepër pika dhe do të kontraktojë dhe punonjës të tjerë në rast se nevojiten dhe do t`u përgjigjet me shpejtësinë më të madhe kërkesave të qytetarëve me pika shpërndarje të kuponave të grumbullimit të të dhënave:-garantoi Berisha.
***********
Aplikimi
Hapi i parë për të marrë kartën e identitetit është pagesa e tarifës prej 12 mijë lekësh të vjetra pranë çdo zyre postare për letërnjoftimin dhe pasaportën biometrike. Ndërkohë që pagesa mund të bëhet edhe pranë institucioneve ku qytetarët punojnë, nga ku duhet të marrin një kupon që dëshmon kryerjen e pagesës.
Pas këtij veprimi, qytetari duhet të shkojë në njësinë bashkiake ku është regjistruar, së bashku me kuponin e derdhjes së lekëve si dhe një dokument identifikimi që mund të jetë, pasaportë, certifikatë, patentë për drejtim automjeti, apo edhe fletëhyrje për në institucione shtetërore. Të dhënat gjenerohen direkt nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile; operatori, qytetari dhe nëpunësi i gjendjes civile i kontrollojnë ato dhe nëse i gjejnë në rregull, e printojnë formularin e aplikimit që firmoset nga të tre personat: qytetari, nëpunësi i gjendjes civile dhe operatori i regjistrimit. Nëse jo, qytetari shkon në Gjendjen Civile për të korrigjuar gabimet që mund të ekzistojnë. Në momentin që të dhënat janë korrekte, punonjësi do t'i marrë shenjat e gishtave qytetarit, i cili do të dalë në fotografi dhe do të japë edhe nënshkrimin elektronik. 
**********************************************
Ulet çmimi i kartës për studentët dhe shtresat në nevojë
Kryeministri Sali Berisha u shpreh të hënën gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Integrimin, se "qeveria do të krijojë mundësinë që studentët të marrin letërnjoftimin me çmim të përgjysmuar, ndërkohë që për shtresat në nevojë kjo tarifë do të ulet me 70 për qind". Kreu i Qeverisë vuri në dukje se "mbledhja e sotme e këtij komiteti përkon me një ditë vërtetë të shënuar, në përpjekjet e këtij vendi drejt modernitetit, me ditën e fillimit të regjistrimeve për marrjen e letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike, të teknologjisë më të lartë në Europë". Duke përshëndetur interesimin e lartë qytetarë për regjistrimin dhe marrjen e letërnjoftimeve, Kryeministri Berisha vuri në dukje se "pajisja me këtë dokument është një kusht absolut për liberalizimin e heqjes së vizave".  "Nuk mund të bëhet fjalë që shqiptarët të lëvizin pa viza, nëse ata nuk janë të pajisur me dokumentet më të sigurta të identitetit të tyre, u shpreh Kryeministri.  Duke iu referuar vizitës së tij dje në një nga qendrat e kryeqytetit që operon për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, Kryeministri siguroi se "agjencitë përgjegjëse për këtë proces do të shqyrtojnë  çdo ditë veprimtarinë  e tyre, për ta përmirësuar akoma më tej këtë proces që ka nisur mbarë".  "Sot ka qenë dita e parë e këtij procesi dhe më informojnë se deri në orën 10.00 kanë mbaruar kuponët e regjistrimit, të cilat i emeton një kompani franceze. Ajo do të prodhojë edhe më shumë kuponë, në mënyrë që ti përgjigjemi këtij interesi shumë të lartë të qytetarëve", tha Kryeministri. Kryeministri theksoi më tej se, është e vërtetë që qeveria ka vendosur masa gjysmë detyruese dhe detyruese për pajisjen me këtë dokument, por këtë gjë e ka bërë në interesin më të mirë të qytetarëve dhe të vendit.
Lidhur me tarifën për marrjen e këtij dokumenti, Kryeministri vuri në dukje se "më parë qeveria e ka ulur me mbi 30 për qind çmimin për marrjen e këtij dokumenti, si dhe ka hequr TVSH-në e letrës". "Janë bërë disa hapa, por do të ndërmerren dhe hapa të tjerë  ndaj atyre shtresave që janë më në nevojë. Studentët do ta marrin këtë kartë me çmim të përgjysmuar. Krahas tyre, edhe kategori të tjera do ta marrin me gjysmë çmimi, ndërsa familjeve me ndihmë ekonomike u takon ta marrin me rreth 30 për qind të çmimit, në një kohë kur çmimi real është 14-15  mijë lekë", nënvizoi Kryeministri. Sipas tij "ky dokument nuk mund dhe nuk duhet të shpërndahet falas sepse kjo rrugë është mënyra më e sigurt për abuzivitet, por nga tjetër, ky është një çmim ndër më të ulëtit që mund të ketë praktikuar ndonjë vend".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›