“Tema”, Rama: Berisha dhunë ndaj medias
Kryetari i partisë më të madhe në opozitë në Shqipëri, Edi Rama, del në krah të gazetës “Tema” dhe i bën apel Kryeministrit Sali Berisha të heqë dorë nga shantazhi policor, duke i kërkuar kryeministrit të ndalojë “dhunën ndaj medias”. “Ndonëse kjo gazetë ka ndjekur një politikë kundër zërit të opozitës, i bëj apel Berishës të heqë dorë nga shantazhi policor”, tha dje Rama në një konferencë për shtyp. Rama e quajti sulm të kryeministrit ndaj një media që kundërshton qeverinë dhe i bëri apel policisë të mos pengojë gazetarët e gazetës “Tema” të ushtrojnë aktivitetin e tyre në mjediset shtetërore, duke respektuar vendimin e gjykatës. “Pronat e shtetit nuk janë pronë e qeverisë. Unë i bëj apel Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës që të çojë përpara ligjit urdhëruesit e rrethimit policor të redaksisë së gazetës ‘Tema’ dhe të mos lejojë që pushteti ekzekutiv të përdorë paligjshmërisht Policinë e Shtetit, duke rrëzuar me forcën e verbër të dhunës pushtetin gjyqësor në këtë episod shqetësues të radhës, ku parimet kushtetuese marrin një tjetër goditje nga politika e vjetër antidemokratike e Kryeministrit Sali Berisha”, vazhdoi më tej kryetari i PS-së. Gjithashtu Rama kërkoi nga Bashkimi Evropian dhe institucionet e tjera ndërkombëtare që ta marrin seriozisht shfaqjen brutale të dhunës shtetërore ndaj mediave. Kreu socialist duke sqaruar pozicionin e tij përballë botuesit të gazetës “Tema”, tha se “Mero Baze nuk është miku im. Nuk është as i njohuri im”, madje, sipas tij, Baze është botuesi i një gazete që për një kohë të gjatë ka pasur një politikë editoriale në funksion të interesave politike e personale të Sali Berishës”. Sipas tij, “liria dhe e drejta e Mero Bazes për ta thënë lirisht atë që mendon, janë liria dhe e drejta e gjithsecilit prej nesh, prandaj unë jam sot në krah të gazetarit dhe botuesit që kurrë s’ka qenë në krahun tim”.