E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtoria për Energjinë e Evropës Juglindore: Përmbytjet, situata po menaxhohet mirë

Tiranë, 12 Janar NOA - Drejtori i Komunitetit
për Energjinë të Evropës Juglindore në një letër që i ka dërguar ministrit
shqiptar të Ekonomisë, shprehet me tone të larta vlerësimi duke vlerësuar se
situata e përmbytjeve po menaxhohet me profesionalizëm.

Pohimi i drejtorit të Energy Community, Slavtcho
Neykov u bë nëpërmjet një letre, në emër të sekretariatit të këtij komuniteti për
energjinë në Europën Juglindore, dërguar dje Ministrit të Ekonomisë dhe
Energjetikës, Dritan Prifti.

Në letër shprehen konsiderata për Priftin dhe
për institucionin që ai drejton për menaxhimin efektiv të situatës kritike të
krijuar në vend nga përmbytjet në pjesën veriore të vendit.

Shirat dhe dëbora e vitit të fundit kanë
shkaktuar prurje shumë të mëdha duke krijuar një gjendje të emergjencës civile,
dhe për këtë vlerësohet ndërhyrja tepër profesionale e qeverisë për shkarkimin
e ujërave për të siguruar një ekuilibër të sigurt për të ardhmen, duke iu
larguar një rreziku më të madh, - shkruan Slavtcho Neykov. 

Ai shpreh sigurinë e tij se qeveria shqiptare
do të marrë të gjitha masat e tjera të nevojshme në interes të popullit
shqiptar dhe se monitorimi kaq i mirëfilltë dhe i vazhdueshëm ka siguruar
kujdesin ndaj jetës së njerëzve dhe ka ndaluar rrezikshmëri të tjera më të mëdha.

Gjithashtu Slavtcho Neykov shpreh keqardhjen e
tij për ato 10 mijë hektarë dhe më shumë se 2.400 shtëpi të përmbytura dhe
rreth 5 mijë njerëz që janë evakuuar nga shtëpitë e tyre duke vlerësuar besimin
e tij se situata është nën kontroll të mirëfilltë dhe profesional.

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›