E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtuesi i nje ciklo-motori eshte aksidentuar me vdekje

Drejtuesi i një çiklo-motori është aksidentuar me vdekje në segmentin rrugor që lidh sheshin “Rilindja” me rreth-rrotullimin e doganës në Tiranë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mesditë në vendin e njohur si kryqëzimi i Laprakës.

Sipas policisë, drejtuesi i çiklomotorit dyshohet të ketë humbur kontrollin duke u përplasur dhe hyrë në gomat e pasme të një kamioni betonier, në aksin e dytë të rrotave.

Aksidenti ka qenë fatal për drejtuesin e çiklo-motorit Vangjel Simoni duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në vendin e ngjarjes ka shkuar një grup ekspertësh dhe hetuesish të policisë rrugore të Tiranës.

Policia ka shoqëruar dhe ka marrë dëshminë e drejtuesit të betonieres, ndërsa nuk ka dalë edhe me një version zyrtar për shkaqet e aksidenteve.

Lëvizjet e pakujdesshme të drejtuesve të motorëve janë bërë shqetësues për policinë rrugore në Tiranë.

Në një tjetër ngjarje gjatë paradites, drejtuesi i një motori mbeti i plagosur nga përplasja me një automjet tip golf.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›