Drejtuesit e spitaleve, trajnim për menaxher
Drejtuesit e institucioneve shëndetësore do të trajnohen, por këtë herë jo për fushën në të cilën janë kualifikuar, por për menaxhim. Dje ka nisur trajnimi i specialistëve të shëndetësisë për “Menaxhimin e institucioneve dhe Shërbimeve Shëndetësore”. Në ditën e parë të këtij trajnimi, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha: “Qeveria e Shqipërisë është e vendosur për të përmirësuar cilësinë dhe eficencën e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Për arritjen e këtij qëllimi, një nga strategjitë që po gjen zbatim është forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore të sektorit të shëndetësor nëpërmjet formimit të vazhduar”. Ekzistojnë tri komponentë të rëndësishëm të lidhur me formimin e vazhduar të forcës punëtore të sektorit shëndetësor në Shqipëri.
Sistem i mirëstrukturuar i formimit të vazhdueshëm, sistem akreditimi për programet dhe kurset e formimit të vazhdueshëm, inkurajimi i personelit shëndetësor për të ndjekur trajnime. Ministria e Shëndetësisë për zhvillimin e burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor ka ngritur një Sistem të Zhvillimit Profesional. Kjo përbëhet nga Qendra Kombëtare për Edukimin e Vazhdueshëm (QKEV) për personelin shëndetësor, sistem akreditimi të programeve të trajnimit dhe sistem certifikimi për personelin shëndetësor. Kjo qendër ka filluar të kontribuojë në përmirësimin e njohurive, aftësive dhe kapaciteteve të personelit shëndetësor në Shqipëri nëpërmjet vlerësimit të nevojave, planifikimit, organizimit, financimit, akredimit dhe implementimit të programeve dhe të aktiviteteve të formimit të vazhduar. Funksioni i certifikimit është i lidhur me njohjen e aktiviteteve të trajnimeve profesionale nëpërmjet një sistemi kreditesh që mund të fitohet nga personeli shëndetësor për ndjekjen e aktiviteteve trajnuese ose për kompletimin e një numri të përcaktuar orësh të formimit të vazhdueshëm. Kjo me qëllim që të rikualifikohet për t’u rilicencuar, të avancojë në karrierë ose të marrë benefitet. Një sistem certifikimi për personelin shëndetësor është i rëndësishëm që të sigurojë që profesionistët e shëndetësisë mund të përmbushin kriteret e lidhura me zhvillim e tyre profesional nëpërmjet pjesëmarrjes në kurse të ndryshme ose didaktike.
#