E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Drejtuesit politik të PS në qarqe, Klosi ikën nga Lezha, e zëvendëson Ulsi Manja! Balluku merr Dibrën

Ulsi Manja do të zëvendësojë Blendi Klosin në detyrën e drejtuesit politik të Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës.

Lajmi është bërë me dije nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, i cili shkruan në Facebook se Klosi po largohet nga kjo detyrë për shkak të përgjegjësive të shtuara prej zgjedhjeve në parti dhe se do t’i kushtohet këtij procesi.

Po ashtu Gjiknuri ka bërë me dije se do të jetë Belinda Balluku që do të zëvendësojë Manjën si drejtues politik në qarkun e Dibrës.

“Me strukturat e Partisë Socialiste të Qarkut të Lezhës ku prezantova Ulsi Manjën si drejtuesin e ri politik. Falenderova Blendi Klosin për punën e bërë deri më tani në këtë qark. Në cilësinë e Sekretarit Organizativ, në këtë fazë, Blendi ka një përgjegjësi të shtuar duke ju përkushtuar plotësisht mbarëvajtjes së procesit të brendshëm zgjedhor të partisë në territorin e 61 bashkive.  Punën e mirë të bërë nga Ulsiu në Qarkun e Dibrës do ta vazhdojë më tej Belinda Balluku”, shkruan Gjiknuri.

Partia Socialiste do të zhvillojë zgjedhjet për 61 krerët e rinj të degëve të partisë, vendim ky që vjen pas Kuvendit të 9 prillit ku u shkarkuan drejtuesit e mëparshëm.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›