Dreka e Topit, ja batutat e Silvio Beluskonit
Berluskoni merr në dore frenat e drekës. Flet për ullinjtë e Berishës dhe merr një dhuratë nga Edi Rama
TIRANË- Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e zotit. Një shprehje e hershme kanunore e ruajtur brez pas brezi nder shqiptarët, vlerat e së cilës janë vënë re edhe dje gjatë drekës që kreu i shtetit Bamir Topi shtroi për nder të kryeministrit të Italisë fqinje, Silvio Berluskoni në Pallatin e Brigadave, ku midis miku italian dhe të zotërve të shtëpisë nuk ka pasur asnjë ndroje dhe dallim në sjellje. Madje, burime pranë këtij takimi konfirmojnë se aq të shpenguar kanë qenë të pranishmit në këtë tryezë, sa herë herë gjatë drekës është dukur sikur kryeministri italian ishte mikpritësi dhe drejtuesit tanë shtetërorë ishin të ftuarit. Të njëjtat burime bëjnë me dije për gazetën detajet e kësaj dreke, e cila duket se për shkak të vet tipit alegro të kryeministrit italian ka dalë përtej kornizës zyrtare dhe protokollit shtetëror. Megjithatë në fillim çdo gjë i është nënshtruar rregullave që përcakton protokolli shtetëror dhe drejtuesit tanë të shtetit kanë respektuar mikun dhe hierarkinë edhe në uljen në tryezë. Kështu, në qendër të tryezës përballë njëri tjetrit kanë qenë kreu i shtetit Bamir Topi dhe kryeministri italiain Silvio Berluskoni. Në krah të shefit të qeverisë italiane janë ulur ambasadori italian në Tiranë dhe një nga këshilltarët e tij. Ndërkohë që fill pas këtij të fundit ka qëndruar shefi i opozitës, kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama dhe përballë tij në anën tjetër ka zënë vend rivali i tij politik, kryeministri Sali Berisha, i cili qëndronte në krah të presidentit Bamir Topi. Ndërsa në krahun tjetër të kreut tonë të shtetit ishte ulur kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe më pas me radhë, nënkryetarët e Kuvendit Ylli Bufi dhe Neritan Ceka. Burimet bëjnë të ditur se ka qenë vet kryeministri Italian Silvio Berluskoni ai që ka marrë në dorë “frenat” e drekës, ndërsa ka krijuar një atmosferë të këndshme, ku nuk kanë munguar batutat dhe shakatë. Kështu, mësohet se kreu i qeverisë italiane, duke marrë shkas nga sjelljet e klasës politike shqiptare, ka treguar gjerë e gjatë marrëdhëniet e tij me opozitën dhe rivalët e vet politikë në Itali. Shefi i ekzekutivit italian, duke iu drejtuar homologut të tij shqiptar, ka përshëndetur nismën e qeverisë shqiptare për të mbjellë 20 milionë rrënjë ullinj. Madje ai nuk nguruar të bëjë një lidhje të shkurtër midis jetëgjatësisë që e karakterizon këtë pemë me jetëgjatësinë e tyre në politike. “Të uroj për nismën tënde për të rritur kultivimin e bimës së ullirit. Kjo dashuri ndaj kësaj bime tregon se ne dy vijmë nga përjetësia”,- mësohet të jetë shprehur me humor Berluskoni. Gjatë drekës së shtruar, kryeministri italian mori edhe një dhuratë simbolike (sahati i Tiranës) nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Topi-Berluskoni, vlerësohen marrëdhëniet mes dy vendeve
Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi dje në Pallatin e Brigadave, një takim miqësor me Kryeministrin e Italisë, Silvio Berluskoni, dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës zyrtare. Kryetari i Shtetit shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi dhe vuri në dukje se të tilla vizita dhe kontakte të rëndësishme kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë. Presidenti Topi e konsideroi kryeministrin Berluskoni si mik të vyer të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, pasi emri i tij është shumë i njohur prej vitesh në Shqipëri. Gjatë takimit, Kreu i Shtetit, vuri në pah përpjekjet serioze të vendit tonë për anëtarësimin në familjen euroatlantike dhe atë europiane. Presidenti Topi shprehu interesimin e shtetit shqiptar për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, kryesisht për zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike, më konkretisht në atë energjetike, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Nga ana e tij, Kryeministri italian Berluskoni, pasi shprehu mirënjohjen ndaj Presidentin Topi për mikëpritjen e ngrohtë shqiptare, e vuri theksin në ndryshimet e mëdha që vërehen në Shqipëri, përpjekjet e shqiptarëve për një jetë më të mirë, përparimin dhe ndryshimet e jashtëzakonshme të shënuara nga Shqipëria gjatë viteve të fundit.