Drenica me telashe
Përveç rezultateve, Drenica po përballet edhe me një krizë financiare. Ekipi kuqezi tash e dy muaj nuk iu ka dhënë paga futbollistëve të saj. Ndërsa burime të gazetës Express brenda klubit tregojnë se atmosfera në skuadër është e zymtë.
Sipas këtij burimi, lojtarët e klubit nga Skenderaj fillimisht kishin vendosur që mos ta zhvillonin fare ndeshjen e xhiros së 19’të kundër Flamurtarit (2:1), por megjithatë kishin vendosur të dalin në fushë.
“Për shkak se nuk janë kryer obligimet ndaj nesh, edhe atmosfera në ekip është prishur. Kjo po shihet edhe gjatë ndeshjeve tona, në të cilat nuk po ia dalim të luajmë mirë, pasi nuk po kemi motivim”, tha një lojtarë i ekipit nga kuqezi, i cili deshi të mbetet anonim.
“Fillimisht vendosëm të mos luajmë ndaj Flamurtarit, por na premtuan zyrtarët se do t’i fshijnë borxhet brenda shtatë ditëve, dhe e ndërruam mendjen. Por, nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë do t’i bojkotojmë stërvitjet dhe ndeshjet e radhës, derisa t’i marrim pagat”, shtoi ai.
Ndërsa, edhe kryetari i Drenicës, Rafet Rama konfirmoi se klubi nuk i ka kryer për dy muaj obligimet ndaj futbollistëve. Por, theksoi se shumë shpejt klubi do t’i shlyejë borxhet ndaj futbollistëve të vet.
“Besoj se do të kryhen brenda javës të gjitha obligimet dhe situata do të rregullohet në klubin tonë”, tha Rama për Express.
Pas 19’të xhirove në Superligë, skuadra e Drenicës, që po luftojnë për mbijetesë, i ka tubuar 22 pikë, derisa zënë vendin e tetë në renditjen tabelore.
Klubet e Superligës vazhdojnë të jenë në gjende të rëndë financiare, pasi përveç Drenicës, edhe disa skuadra të tjera u kanë borxh futbollistëve të tyre.