Drenica vazhdon me përforcime

Drenica po vazhdon t’i konsolidojë radhët e veta për edicionin e ri, i cili nis më 18 gusht, duke u përforcuar me futbollistë mjaft cilësorë. Kuqezinjtë tashmë e kanë bërë përforcimin e pestë në këtë afat kalimtar, derisa janë shumë afër ta kompletojnë edhe transferimin e gjashtë.
Në fakt, pas Liridon Zeqirit (Ferronikeli), Berat Hysenit (Trepça ’89), Festim Krasniqit (Trepça 89) e Fitim Llapashticës (Prishtina), skuadra nga Skenderaj të shtunën e ka zyrtarizuar edhe transferimin e Labinot Halitit nga Fushë-Kosova.
Ndërkohë, shumë shpejt pritet që kuqezinjtë të nënshkruajnë kontratë edhe me futbollistin nga Shqipëria, Denis Bejlerin.
“Labinot Haliti është përforcimi ynë më i ri. Ai ka ardhur nga Fushë-Kosova dhe me të skuadra jonë do të jetë më e fortë. Po ashtu, jemi shumë afër të nënshkruajmë edhe me futbollistin shqiptar, Denis Bejlerin. 90 për qind e punës me të është kryer, por kanë mbetur edhe disa detaje për t’u negociuar”, ka deklaruar për Express, trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku.