Bunjaku pret sezon pozitiv

Albert Bunjaku pret sezon pozitiv me Kaiserslauternin, të cilit iu bashkua gjatë kësaj vere nga Nurnbergu. Sulmuesi kosovar ka nënshkruar kontratë trevjeçare me ekipin kuqezi, i cili sezonin e ardhshëm do të garojë në ligën e dytë gjermane, pasi ra nga Bundesliga, sezonin që shkoi.
“Jam optimist për faktin se mund ta luajmë një rol të rëndësishëm në divizionin e dytë dhe të kemi sezon pozitiv. Dëshirojmë ta eliminojmë dështimin e sezonit të kaluar”, u shpreh futbollisti gjilanas në konferencë për shtyp.
Përfaqësuesi zviceran ishte transferuar në Nurnberg nga Erfurti, tri vjet më parë. Ai pati një fillim mjaft pozitiv, në elitën e futbollit gjerman duke realizuar 12 gola. Mirëpo, në dy sezonet pasuese e përshkuan lëndimet dhe më pas e humbi vendin në formacionin bazë, me ç’rast këtë vit u largua përfundimisht nga ky ekip, për të luajtur në vazhdimësi. Ai synon që me Kaiserslauternin të rikthehet në Bundesligë sa më shpejt të jetë e mundur.