Shqipëria lufton për Bashën

Migjen Bashës i është ringjallur shpresa që ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare. Pas gati dy vjet pritjeje, mesfushori kosovar ka gjasa të mëdha që brenda pak javësh të bëhet pjesë e ekipit kuqezi.
Që nga koha e ish-selektorit kroat, Josip Kuze, mesfushori i Torinos ishte i gatshëm t’i bashkohej Shqipërisë, mirëpo FIFA ishte ajo që nuk e lejoi therandasin ta bëjë një gjë të tillë, pasi më herët kishte luajtur me ekipin U21 të Zvicrës.
Mirëpo me iniciativën e selektorit të ri të Shqipërisë, Gianni De Biassi, Migjen Basha mund ta realizojë ëndrrën. Trajneri italian dhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) po mundohen ta bindin FIFA’n se 25-vjeçari ka të drejtë të luajë me ekipin kuqezi.
“Para disa ditësh, De Biassi më ka marrë në telefon dhe më ka pyetur se a kam dëshirë të luaj për Shqipërinë. Unë i thash që këtë dëshirë e kam kaherë, por që FIFA nuk ma ka mundësuar ta bëj një gjë të tillë, pasi kam pasaportë zvicerane”, deklaroi Basha për Express.
“Pas kësaj bisede, De Biasi ka shkuar në Shqipëri dhe ka shikuar se a ka mundësi që unë të luaj me Kombëtare dhe pas konsultimeve me FIFA’n, më ka thënë se gjasat janë të mira që kjo të realizohet”, shtoi ai.
Nëse FIFA i jep sinjal pozitiv Bashës, ky i fundit pritet t’i bashkohet ekipit kuqezi qysh në muajin e ardhshëm, në ndeshjen miqësore që Shqipëria do ta zhvillojë kundër Moldavisë. Po ashtu, Gianni De Biassi i ka premtuar kosovarit vend në ekip edhe në fushatën eliminatore për Kampionatin botëror ‘Brazili 2014’.
Nëse Basha i bashkohet Shqipërisë, atëherë numri i kosovarëve në Kombëtaren shqiptare do të rritet në dhjetë. Aktualisht, në ekipin A të Shqipërisë luajnë: Samir Ujkani, Etrit Berisha, Mërgim Mavraj, Armend Dallku, Debatik Curri, Lorik Cana, Ahmed Januzi, Besart Berisha dhe Mërgim Brahimi.
Basha në Tiranë, për pasaportë
Migjen Basha sot do ta marrë rrugën drejt Tiranës për t’i takuar drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe t’i kryejë disa procedura, që të pajiset me pasaportë shqiptare.
“Unë të dielën do të shkoj në Shqipëri, ku pritet ta marr pasaportën shqiptare. Më herët e kam dorëzuar dokumentacionin, por tani më janë kërkuar edhe disa dokumente shtesë”, deklaroi Basha, i cili sezonin e ardhshëm do të luajë në Serie A me Torinon.
De Biasi lëvdon Bashën
Në anën tjetër, selektori i Shqipërisë, Gianni De Biassi e ka lëvduar kosovarin gjatë një interviste për mediat shqiptare.
“Basha është një lojtar që i duhet Kombëtares. Po shikojmë mundësinë me zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit që ai të jetë pjesë e ekipit tonë kombëtar. Jam optimist se gjërat mund të shkojnë në drejtimin e duhur”, ka deklaruar ish-trajneri i disa klubeve të njohura italiane.