E Diel, 1 Nëntor 2026

Drew Barrymore, një vogëlushe gjeniale në kinematografi

është aktore, producente dhe tani edhe regjisore. E ka kaluar gjithë jetën e saj në qendër të vëmendjes publike, por a mund ta quani me të vërtetë një person të famshëm sipas modelit hollivudian?

Drew Barrymore është shfaqur për herë të parë në një film, në moshë shumë të njomë, 3 vjeçe. Tani është 35 vjeçe dhe ndodhet në kulmin e famës dhe begatisë së krijimtarisë artistike. E pikërisht ndërsa po përjeton një moment shumë të mirë të karrierës, ka vënë në shënjestrën e saj një nga fjalët me të cilat karakterizohen më së shumti koleget dhe kolegët e saj të botës së show biznesit: “celebrity”, apo “njeri i famshëm”. “është bërë fjala më e shpifur në planet dhe ma pështjellon stomakun sa herë që e has”, deklaron me neveri 35-vjeçarja bionde. “Kur nisa karrierën time në botën e artit, isha një aktore e thjeshtë, por me kalimin e kohës nisën të më thërrisnin ‘celebrity’. Dua t’i qëlloj ata që më thërrasin kështu. është një term që nuk ka të bëjë fare me një realitet, të paktën me realitetin tim. Kam 35 vjet që punoj në kinematografi. Jam stërmunduar që të arrij në pozicionin solid në të cilin ndodhem sot dhe ata më quajnë me këtë term, që sot në fakt e mbajnë mbi vete shumë persona të cilët janë bërë të famshëm për hiçmosgjë”.

Barrymore ka të drejtë. Për të arritur në pozicionin që gëzon sot, ka punuar dhe e ka treguar me akte se i vlen lëkura. Filmat e saj u kanë dhënë studiove kinematografike fitime marramendëse. Sipas një llogarie, plot 2.3 miliardë dollarë të ardhura. Për 15 vjet ka qenë një producente e suksesshme dhe sapo ka përfunduar së drejtuari filmin e saj të parë dhe aktualisht po merret me reklamimin dhe marrëdhëniet me publikun në kompaninë e produksionit që drejton. Falë statusit të saj ajo duket sikur ka lindur e famshme. Kjo sepse ka dalë në ekranin e madh që e vogël dhe që gjithsesi duket sikur ende nuk është rritur plotësisht. Pjesë e kësaj ideje është paraqitja e saj e jashtme. Ajo në të vërtetë ka përmasat e një vogëlusheje, me atë fytyrën që kur buzëqesh të duket se do të të shfaqë dhëmbët e qumështit. Ka duar të vogla dhe veshjen e mban ende atë të një adoleshenteje. Parapëlqen gjërat e gjera dhe me ngjyra. Kur e pyesin se cila është fjalia më me vend që do të përmblidhte gjithë ekzistencën dhe qenien e saj, ajo thotë: “Unë jam dikush që ia ka dedikuar veten plotësisht dhe në mënyrë pasionante e besnike punës së saj”.

Por në moshën 35-vjeçare, ndërsa ka shumë përvoja mbi kurriz, befas ajo rrëfen se më në fund po ndihet paksa më e rritur. “Në jetën time gjërat fëminore sa vijnë e po zhduken. Sigurisht që më pëlqen që të kënaqem me jetën dhe me njerëzit, por e shoh se ndërkohë gjëja më e rëndësishme është puna dhe përgjegjësia për ta bërë atë sa më mirë. Më parë shpesh kam vënë edhe qejfin në rend të parë, por tani ndodh gjithnjë e më shpesh e kundërta. Gjithsesi po përpiqem që të ndihem gjithnjë e më pak si një fëmijë, sepse jeta është e mbushur me gjëra shumë të rëndësishme, të cilat për t’i menaxhuar kërkojnë që të jesh një individ i rritur, në tërë kuptimin e fjalës, por kryesisht i rritur në kuptimin e daljes zot dhe marrjes përsipër të përgjegjësive. Këtë rritje ajo e tregon edhe në rrugën e saj artistike. Debutimi i parë në pozicionin e regjisores tregon se tashmë “aktorja fëmijë” është në gjendje që të drejtojë sipas vizioneve dhe disiplinës së saj një ushtri të tërë kineastësh që i binden dhe janë të bindur se ajo po jep shembullin më të mirë. Përpjekja e saj e parë ka në qendër jetën e një aktoreje amerikane, e cila edhe pse nuk ishte shumë e famshme dhe e njohur botërisht, është një nga personazhet më interesantë dhe ende misteriozë të jetës artistike amerikane. “Në qenien e asaj nuk kishte asgjë prej diveje Hollivudi. është historia e dikujt me një origjinë krejt të thjeshtë, që befas rastësisht bie në sy dhe fillon rrugëtimin e një ylli kinemaje, rrugëtim i cili ka ndryshuar shumëkënd”. Vetë Barrymore u mor me këtë sfidë menjëherë pasi kishte përfunduar së xhiruari filmin “Kopshtet e gjelbra”, në të cilin luajti mrekullisht rolin e një nëne shumë egoiste. Por kalimi nga aktrimi në regji për të nuk ishte edhe aq dramatik dhe i vështirë siç mund të ketë qenë për aktorë të tjerë që kanë eksperimentuar në këtë zhanër pas një karriere në aktrim. Kjo sepse ajo kishte një përvojë të gjatë si producente. Ajo që i ka habitur të gjithë, është autoriteti i saj në sheshin e xhirimit. Në pamje të parë duket si dikush që është marrë një jetë të tërë me këtë profesion. “Më thonë që kam një imagjinatë të zhvilluar dhe unë personalisht jam e mendimit që është një bekim dhe një mallkim njëherazi. Bekim sepse të jep krijimtari në punë, mallkim sepse ti ecën shumë ndryshe me mendime nga të tjerët dhe shpesh nuk kuptohesh, apo të duhet shumë kohë për t’ua shpjeguar idenë e akoma më shumë kohë për ta vënë atë në jetë”. Për sa i përket drejtimit të filmit, ajo është e mendimit që një regjisori i duhet që të bëjë një punë shumë të madhe paraprake dhe të mos t’ia lerë kurrë në dorë punën rastësisë. “Kam parë ndërkohë shumë regjisorë të cilët vendosin në minutën e fundit për skena apo veprime të caktuara, por unë punoj ndryshe. E qartësoj çdo detaj imtësisht dhe pastaj kur e vendos një gjë të tillë, jam e gatshme që të veproj pa e kthyer pas vendimin e marrë. Për mua çdo detaj është i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm në suksesin tërësor të një vepre.

Megjithatë Barrymore nuk ka pasur një jetë gjithmonë të suksesshme dhe sfidat personale i ka pasur të vështira dhe shpesh sfilitëse. Për këtë ndoshta kanë ndikuar edhe vitet e një pune të hershme në ekranin e madh, që i dhanë një dimension që shumë pak fëmijë e kishin. Kjo bëri që në adoleshencë, tashmë e famshme dhe e pasur, të kishte probleme me alkoolin dhe madje për t’u intoksikuar të shkonte edhe në rehabilitim. Prindërit i kishte të dy aktorë, edhe ata me uljet e ngritjet e një profesioni të vështirë. Sot, nga pozicioni në të cilin është, u është mirënjohëse për gjithçka atyre dhe vetë jetës që i dha shumë përvoja. Ajo është një nga aktoret më të mësuara me famën hollivudiane. është rritur me një frymë të tillë dhe e ka pjesë të jetës, ndaj i njeh vetes të drejtën për të dhënë gjykim mbi disa gjëra që nuk shkojnë më në industrinë e show biznesit. “është një botë që shpesh bën mit një person që nuk ka asnjë vlerë dhe që shndërrohet në model për një masë të gjerë njerëzish për atë që nuk është. Kjo është për të qarë hallin”. Vetë Barrymore mendon se suksesi i saj kryesisht ka të bëjë me kurajon që ajo ka pasur për të bërë pyetje për gjërat që nuk i kuptonte. Dikur ajo i shkroi të famshmes Anna Vintour, botueses së revistës “Vogue”, e cila i kishte kërkuar që të dilte në kopertinën e revistës: “Po e bëj sepse të njoh personalisht, por jo se mendoj që imazhi që do të përcjellë fotoja ime e vënë në kopertinë është ai real dhe mbi të gjitha imazhi i dikujt që ia vlen të bëhet shembull e të konsiderohet si i tillë”. Suksesi i madh që pati këtë vit në ndarjen e çmimeve “Oskar” regjisorja Kathrin Bigelow, e ka mrekulluar. “është e jashtëzakonshme, është e mrekullueshme. Ajo theu një tabu, duke u bërë gruaja e parë që merr një ‘Oskar’ për regjinë më të mirë”. Për filmin e Cameron, “Avatar”, ajo ka veçse fjalë të mira: “Mesazhi që ky film përcjell është i jashtëzakonshëm dhe unë do të dëshiroja që edhe Toka jonë të shndërrohej në një Pandora, ku të jetonim të gjithë me atë dashuri për njëri-tjetrin dhe për natyrën. Megjithatë unë mendoj se, për sa më përket, filmat si ai që fitoi ‘Oskar’-in janë ata që do të më pëlqente më shumë të drejtoja”. Për sa i përket karrierës kinematografike, Barrymore thotë se ajo ka luajtur në shumë role, e megjithatë në memorien e të gjithëve konsiderohet dhe mbahet mend si një aktore me një profil komik. Për një kohë të gjatë është votuar si aktorja më e dashur e Hollivudit për amerikanët. “Nuk mbaj mend që të kem bërë ndonjë film vetëm për të fituar para. Me paratë nuk kam qenë keq ndonjëherë, ndaj kam pasur mundësinë që t’i lejoja vetes të zgjidhja ato filma që më bënin edhe të lumtur, edhe më argëtonin, paçka se mund të mos më jepnin shumë para”. E ndërkohë mund të duket çudi që kjo grua me fytyrë fëmije të ketë pasur një jetë personale shumë të lëvizshme. është martuar 2 herë dhe nuk është shquar për ndonjë qëndrueshmëri në marrëdhëniet intime. “Nuk është e lehtë që të kesh një jetë normale personale, kur ke profesionin e aktores që në vogëli dhe kur të duhet që të udhëtosh nga një vend në tjetrin shumë shpesh. Megjithatë, për sa më takon mua dhe për sa kam përjetuar unë, historitë e dashurisë që zgjasin pafundësisht nuk janë të mundura, edhe pse në disa prej filmave të mi kam luajtur rolin e vajzave që kanë histori të tilla”. Një nga gjërat e çuditshme të kësaj aktoreje është fakti që ajo nuk ka marrë kurrë asnjë vit pushim pas filmave që ka bërë, siç kanë bërë aktore të tjera, por ka punuar pa ndërprerje për një projekt, apo për një tjetër. Për momentin, pas përfundimit të regjisë së këtij filmi, ajo është në kërkim të projekteve të tjera dhe nëse do t’i gjente, do ta fillonte punën menjëherë për realizimin e tyre. Në këtë moment të jetës së saj ajo nuk është në shoqërinë e ndonjë personi të afërm. Po çfarë mendon për jetesën vetëm? “Ka një ndryshim të madh mes të qenit vetëm dhe të qenit i vetmuar. Unë për momentin jam vetëm dhe nuk kam pasur raste vetmie, por sigurisht që nëse do t’i kisha, do të dëshiroja që të zgjasnin sa më pak, sepse është diçka e dhimbshme”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›