Drews: Mbyllja e ‘rrugëve alternative’ detyrë e EULEX-it

“Jam i sigurt se ne jemi të gatshëm të evitojmë tendosjet apo incidentet e mëdha në këtë fundjavë zgjedhore. Në veçanti kur dihet se OSBE-ja, në marrëveshje me Beogradin dhe Prishtinën, ka marrë përsipër përgjegjësinë për drejtimin e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Drews.
Në veri të Kosovës ende ekzistojnë të ashtuquajturat rrugë alternative. Mbylljen e këtyre rrugëve e ka kërkuar edhe NATO-ja. Drews thotë se KFOR-i nuk është mision i shtetit juridik dhe se kjo është detyrë e EULEX-it.
“Detyra e KFOR-it është të koncentrohet në hapësirën e sigurisë, ndërsa e EULEX-it në zbatimin e rregullave të shtetit juridik. Në bazë të mandatit të tanishëm dhe sugjerimeve politike që vijnë nga Brukseli, KFOR-i nuk mund të zbatojë detyra shtesë që kanë të bëjnë me masat policore dhe doganore”.
Kur është fjala te incidentet e fundit në veri, gjenerali gjerman thotë se ato kanë shkaktuar një retorikë të nxehtë tek qarqet politike dhe ka rritur nervozizmin tek popullata e të dy grupeve etnike.
“Për fat të mirë, kjo gjendje është qetësuar pak kohët e fundit, sepse politika dhe mediat e kanë zbutur retorikën e tyre”, thotë Drews.
Vitet e fundit ka pasur gjithmonë raporte për prezencën në veri të grupeve të armatosura, kriminelëve, personave të armatosur apo madje edhe policisë dhe shërbimeve të ndryshme nga Serbia. Përgjegjësinë për gjendjen në veri duhet ta marrin si qeveria në Prishtinë ashtu edhe ajo në Beograd, mendon Drews.
“Kjo përgjegjësi nënkupton një retorikë ku nuk ka vend për teprime, nxitje dhe ndezjen e gjendjes... Përgjegjësinë për gjendjen në veri e kanë edhe përfaqësuesit lokal, të cilët jo gjithmonë ndikojnë në qetësimin e gjendjes. Por, përgjegjësinë e mbanë edhe bashkësia ndërkombëtare... Dhe më në fund përgjegjësin e kanë edhe organizatat ndërkombëtare këtu në vend”, ka thënë Drews në intervistë për DW.