SHBA, 100 mijë dollarë për OJQ-të serbe në veri

Në ceremoninë e nënshkrimit të granteve për organizatat e shoqërisë civile, ka marr pjesë ambasadori, Christopher Dell, drejtori i Mercy Corps, Lee Nongat dhe Aleksander Stefanoviq njëri nga organizatat e shoqërisë civile.
Ambasadori Dell ka thënë se rëndësia e këtyre projekteve nuk kufizohet vetëm në shumën e dollarëve që jepen, por sipas tij, rëndësia e kësaj është mesazhi që kjo jep.
Ai ka thënë se hidhen poshtë ato deklarime se për popullsinë në atë pjesë merren vetëm strukturat paralele, gjë që sipas tij, kjo sot e dëshmon të kundërtën.
“Thuhet shpesh se askush tjetër në veri nuk është duke punuar me ta përveç strukturave paralele dhe kjo ceremoni hedh poshtë këtë dhe tregon se sa false është kjo thënie. Këto tetë grante janë pjesë e një ndihme të vazhdueshme të organizatave të shoqërisë civile që kanë të bëjnë me minoritete. Sot kemi dhënë 100 mijë dollarë, nesër do të japim edhe më shumë. Jam veçanërisht i kënaqur që po i japim grante 6 organizatave në veri të Kosovës që të krijojnë një jetë më të mirë për qytetarët në veri”, ka theksuar Dell.
Ai ka shtuar se është e nevojshme për njerëz si këta që të përgjigjen shqetësimeve të qytetarëve e jo për dallim nga të ashtuquajturit udhëheqës të veriut të cilët mbështesin frikën.
Nga ana tjetër, njëri nga udhëheqësit të organizatës, Aleksander Stefanoviq, ka thënë se shoqëria civile ka nevojë për projekte të tilla, duke lënë anash politikën.
“Çdo ditë po përpiqemi që të ndryshojmë gjërat dhe të përmirësojmë jetën e komuniteteve të përmirësojmë paqen dhe stabilitetin në rajon. Nevojat e shoqërisë civile në Kosovë ende janë të mëdha dhe kërkojnë mbështete të vazhdueshme nga të gjithë elementet e tjerë që janë aktiv në Kosovë dhe kjo është e vetmja mënyrë për të ecur drejtë pajtimit dhe proceseve të tjera të cilat na japin mundësi të përmirësojmë jetën e qytetarëve”, ka theksuar Stefanoviq.
Për më tepër, ai ka shtuar se këto projekte do të zbatohen njësoj si në veri ashtu edhe në jug të lumit Ibër, duke shpresuar që së paku të përmirësojmë sadopak jetën e qytetarëve.
Shuma e këtyre granteve është 100 mijë dollarë, që do të ndahet për tetë organizatat joqeveritare që do të adresohen në përmirësimin e jetës së komunitetit serb në komunat në veri dhe të të kthyerve në komunën e Burimit./kosovapress/