Kodi Penal i dorëzohet presidentes Jahjaga

Dita e sotme në fakt ishte dita e fundit e paraparë me afatin ligjor që Kuvendi t’ia dorëzojë presidencës Kodin, dy nenet e të cilit, 37 dhe 38, janë kritikuar ashpër nga asociacionet vendore dhe ndërkombëtare që merren me mediat, të cilësuara si përpjekje për të heshtur gazetarinë hulumtuese.
Nenet në fjalë kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.
Zyra e presidentes tani ka një afat prej tetë ditësh të shqyrtojë amendamentet e miratuara dhe siç kanë thënë më herët zyrtarë të kabinetit të zonjës Jahjaga, posaçërisht do të shqyrtohen dy nenet e debatueshme, në bashkëpunim me të gjitha palët.
Reporterët Pa Kufij i kanë bërë më herët thirrje presidentes "të refuzojë nënshkrimin e këtij kodi penal dhe ta kthejë në Kuvend për të bërë ndryshimet që do të ishin në një vijë me standardet ndërkombëtare".
Thaçi: Nenet 37 dhe 38 duhet të riformulohen
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se duhet të riformulohen nenet 37 e 38 të Kodit Penal të Kosovës. Sipas tij këto nene patjetër duhet të jenë sipas standardeve evropiane. Kryeministri ka kërkuar nga deputetët më shumë përkushtim për riformulimin neneve, për shkak të të cilave mediat kosovare bojkotuan të enjten punën e institucioneve.
Qëndrimi i zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi lidhur me dy nenet problematike të Kodit Penal të Kosovës, janë forcuar nga kryeministri Hashim Thaçi.
Ai tha se këto dy nene duhet të riformulohen, sipas standardeve ndërkombëtare.
“Qëndrimi i prezantuar i zëvendëskryeministrit Kuçi sa i përket neneve 37 dhe 38 është qëndrim edhe i Qeverisë së Kosovës dhe i imi. Natyrisht se kërkohet edhe rivlerësim dhe riformulim. Do të kemi kod por edhe nene të standardeve më të larta evropiane dhe perëndimore”, tha Thaçi, sic transmeton RTK.
Këto komente, kreu i ekzekutivit të vendit i bëri në takimin e njëmbëdhjetë të Këshillit Ministror për Integrime Evropiane. Me këtë rast, kryeministri tha se nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë e Kosovës sesa agjenda evropiane.
Ai kërkoi konsensus nga ndërmjet pozitës dhe opozitës, por edhe konsensus mes komuniteteve për përmbushjen e agjendës evropiane. Kryeministri Thaçi kërkoi nga ministrat e kabinetit të tij më shumë përkushtim në përmbushjen e prioriteteve të parapara.