E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dridhen bankinat

Carlo Ancelotti, Roy Hodgson, Gerrard Houllier e Avram Grant i kanë orët e numëruara. Këta trajnerë po kalojnë momente tmerri me ekipet e tyre; Chelsea, Liverpool, Aston Villa e West Ham. Këto ekipe pësuan humbje shokuese të mërkurën mbrëma. Mirëpo, ata nuk i frikësohen shkarkimit. Nga Express më 07 janar 2011 në ora 10:59

Fundi i vitit 2010 dhe fillimi i atij 2011 ka qenë si një film horror për katër menaxherët e skuadrave angleze. Bëhet fjalë për Gerrard Houllier të Aston Villës, Carlo Ancelottin e Chelseas, Roy Hodgson i Liverpool e Avram Grant i West Hamit. Këta trajnerë në Angli konsiderohen si ‘njerëz të vdekur’, pasi që i kanë orët e numëruara në bankinën e ekipeve që drejtojnë.

Humbjet e tmerrshme të së mërkurës mbrëma të Aston Villas, West Hamit, Liverpoolit e Chelseas mund të jenë vendimtare për ndërrimet që pritet t’i bëjnë pronarët e këtyre klubeve, pas sezoneve mizerie të këtyre ekipeve që po përkeqësohen dita-ditës.

Mirëpo, trajnerët nuk frikësohen për një shkarkim të mundshëm. E nisim një nga një. Chelsea ka rrëmbyer vetëm 10 pikë në 11 ndeshjet e fundit, duke përfunduar në pozitën e pestë, 9 pikë prapa kryesuesit Manchester United. Përkundër kësaj, menaxheri Carlo Ancelotti insiston se ai nuk i frikësohet shkarkimit, përkundër faktit se lufta për titull për Chelsean duket e mbaruar.

“Do të befasohesha nëse do të shkarkohesha. Nuk frikësohem. Unë vetëm brengosem për faktin se nuk po arrijmë rezultate”, ka thënë trajneri italian. “Duhet të vazhdojmë të luftojmë për titull, edhe pse mund ta shohim se tashmë gjërat janë vështirësuar. Nuk është një sezon i mirë për ne, por ne kemi FA Cup dhe Ligën e Kampionëve. Duhet të lëvizim”, vazhdoi Ancelotti, ekipi i të cilit humbi nga Wolverhampton.

Kurse Roy Hodgson ka refuzuar të flasë për të ardhmen e tij, pas humbjes tjetër shokuese të Liverpoolit nga Blackburn.

“Jam shumë i brengosur për paraqitjen dhe për rezultatin. Ndihem keq dhe më vjen keq për fansat, që ndihen njëjtë sikur ne. Nuk jam i gatshëm të flas për të ardhmen time. Nuk kam komente për të dhënë dhe nuk e kam ndërmend të përgjigjem në ndonjë pyetje për këtë çështje”, tha pasardhësi i Rafael Benitez.

Pronari i West Ham, David Gold, i ka thënë menaxherit Avram Grant se koha për të pothuajse ka mbaruar. Mirëpo, trajneri izraelit Grant mbetet sfidues, edhe pse ekipi i tij gjendet në fund të tabelës.

“Jam optimist. Mendoj se jam njeriu që duhet ta udhëheq këtë ekip për të dalë nga momenti i turbullt. Shikoni çfarë kemi bërë para kësaj ndeshjeje. Ne ishim poshtë në tabelë, por luanim futboll të mirë. Përpos këtij rezultati, po shkonim mirë”, tha ish trajneri i Chelseas. West Ham i Valon Behramit pësoi humbje turpëruese nga Newcastle.

Kurse francezi Gerard Houllier është i vendosur që të vazhdojë ta drejtojë Aston Villan përkundër momentit të vështirë. Fansat kërkojnë shkarkimin e tij të menjëhershëm, por ish trajneri i Liverpoolit dhe i Lyonit nuk dorëzohet.

“E kam dëgjuar këtë dhe kjo dhemb. Por, unë kam nevojë për mbështetje për të dalë në rrugë të drejt. E kuptoj frustrimin e fansave, sepse për momentin gjërat janë të vështira”, tha Houllier, ekipi i të cilit u mposht nga Sunderland në shtëpi.

Edhe pse janë optimistë se do t’i ruajnë vendet e tyre të punës, orët dhe minutat për këta trajnerë janë të numëruara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›