Sërish Zhdrella
Mentor Zhdrella është zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit 2010, ashtu siç kishte paralajmëruar edhe Gazeta Express ditë më parë. Futbollisti i Hysit ka grumbulluar 94 pikë në votimin e bërë nga ana e trajnerëve të Superligës.
Kjo ishte hera e dytë që mesfushori i shquar e merr këtë çmim në ndarjen e laureatëve të vitit. Një gjë të tillë nuk e kishte bërë asnjë futbollist më parë.
“Po, është hera e dytë që e marr këtë çmim. Ndihem mjaft mirë. Normalisht, këtë sukses nuk do të mund ta arrija pa ndihmën e bashkëlojtarëve”, tha Zhdrella pasi e mori çmimin e më të mirit të vitit.
Ai ndiqet nga dy futbollistët e Prishtinës, Behar Maliqi e Astrit Fazliu. Ndërsa, në dhjetëshen e parë janë futur edhe Fetim Kasapi (Besa), Roland Duraku (Liria), Azem Ahmeti (Prishtina), Elvis Osmani (Trepça), Enis Zabërxha (Hysi), Fisnik Papuqi (Hysi) e Afrim Mziu (Trepça).
Federata e Futbollit e Kosovës ka ndarë edhe çmime të tjera. Klubi më i mirë është zgjedhur Trepça, e cila në vitin që shkoi ishte kampion i Kosovës dhe e kishte fituar Kupën. Ndërsa trajneri më i mirë u zgjodh pikërisht ai i ‘Xehetarëve’, Gani Sejdiu.
Gjyqtari më i dalluar, edhe një herë ishte i pakonkurrenti Përparim Hasani, ndërkaq punëtori sportiv – Istref Klinaku, kryetar i KEK-ut. Epiteti i klubit më fair-play shkoi në Pejë, atë e rrëmbeu Besa. Golashënuesi më i mirë ishte Fetim Kasapi, që shënoi 18 gola brenda vitit, derisa portieri më i mirë, Valmir Bytyqi i Besës.
Klubi më i suksesshëm në Futsall ishte ‘Bamboo’ nga Prishtina, kurse lojtari më i dalluar i Futsallit, Suad Keçi. Golashënuesi më i mirë, Mentor Mejzini i Feniksit të Prizrenit.
FFK zgjodhi më të mirët edhe në konkurrencën e femrave. Kështu, klubi më i mirë ishte Kosova nga Prishtina, futbollistja më e mirë, Xhemile Berisha nga po ky klub dhe futbollistja më e mirë e re, Qëndresa Krasniqi (KFF Prishtina).
FFK nuk harroi kontributin e vazhdueshëm gjatë vitit 2010 të njerëzve nga diaspora. Andaj, u shpërblyen me mirënjohje pesë prej tyre: Ali Çitaku, Martin Junçaj, Mustafë Belaina, Gëzim Krasniqi, Enver Musliukaj e Jeronie Chanpagne.
Me mirënjohje janë nderuar edhe individët që kontribuuan shumë për futbollin kosovar si: Federata Shqiptare e Futbollit, Astrit Maqi, Fuad Muzuroviq, MKRS, Raiffeisen Bank, Hotel Victory, Hotel Grand dhe Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës.
Të pranishëm në evenimentin e mbajtur në Hotelin Grand ishin përfaqësues nga Federata e Futbollit e Turqisë dhe të Federatës së Futbollit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka përmendur disa të arritura të vitit 2010 nga ana e institucionit që ai drejton, mbi të gjitha licencimin e klubeve nga ana e FIFA-s, që ua mundëson atyre mbrojtjen e kartonëve të futbollistëve.